2016-02-29 15:12:00

Hashim Thaçi President i ri i Kosovës


Ministri i Punëve të jashtme të Kosovës, udhëheqësi i PDK-së, Hashim Thaçi është zgjedhur President i ri i Kosovës, për një mandat 5-vjeçar. Të premten e kaluar, më 26 shkurt 2016, me 71 vota pro e 10 të pavlefshme, Hashim Thaçi arriti të sigurojë është zgjedhur për President të Shtetit. Më 7 prill, do të bëjë betimin e do të fillojë misionin e ri, në shërbim të vendit. Thaçi është Presidenti i katërt i Republikës, prej se Kosova është shpallur e pavarur, ndërsa  i pesti në historinë e saj. Presidenti i ri Hashim Thaçi tha se do të punojë për të mirën e të gjithë kosovarëve. Sfidat janë të shumta, e bashkëpunimi i të gjitha palëve është i domosdoshëm, për të punuar për të mirën e përbashkët të vendit. Presidenti i sapo zgjedhur, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë se Punëve të Jashtme, por edhe pozita e zëvendëskryeministrit. Në të njëjtën kohë ai nuk është më as kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Kur Thaçi ishte kryeministër, më 17 shkurt 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...

Shërbimi i Rabie Ibrajt nga Prishtina: Hashim Thaqi  president i ri i Republikës se Kosovës

Të premten e kaluar, më 26 shkurt, në kushte të jashtëzakonshme, mes gazit lotsjellës dhe kundërshtimeve të ashpra e fyese  të opozitës, e cila me pas edhe u përjashtua nga seanca parlamentare, e në anën tjetër flakës se koktej mollotovit të hedhur jashtë objektit nga protestuesit  dhe ndërhyrjeve të  forcave të shtuara policore,  Kuvendi i Kosovës,  me mundime të mëdha  arriti që tek në raundin e tretë ta zgjedh president të vendit, Hashim Thaqin, dikur kundërshtar i madh politik i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë së Kosovës.   

Por, sido që të jetë, pas kohës së dr. Ibrahim Rugovës, Hashim Thaqi lider i Partisë Demokratike, arriti që në dekadën e fundit  të jetë lideri më i votuar në Kosovë. Ai arriti të bëhet edhe kryeministër i vendit, të cilit i buzëqeshi fati ta lexojë edhe Deklaratën Kushtetuese  me rastin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës  më 17 Shkurt 2008.

Hashim Thaçi i lindur me 24 prill 1968, vjen nga fshati Burojë e Drenicës, rajon ky me i prapambetur dhe i lenë pas dore nga pushtetarët e atëhershëm kur Kosova ishte Krahinë Autonome.  Tani si rrjedhojë e kohës e zhvillimeve në vend, fal  një marrëveshjeje politike PDK e LDK dhe një koalicioni të gjerë, Drenica shpërblehet duke e nxjerr nga gjiri i vet Presidentin e ri të Kosovës.  

Në momentin e shpalljes  president, Hashim Thaqi i mbërthyer nga emocionet për realizimin e ëndrrës se tij, mes tjerash  ka deklaruar:  “Ju falënderoj të nderuar ambasadorë për qëndrimin e deritanishëm me ne. Natyrisht, falënderoj PDK-në, LDK-në, Listën Srpska, 6+ dhe deputetët e pavarur. Ju siguroj që do të punoj gjithmonë në shërbim të vendit, në shërbim të të gjithë qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke punuar për rend e ligj, duke iu shërbyer të gjithë qytetarëve,  pa dallime, për të ndërtuar Kosovën Evropiane”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.