2016-02-27 00:00:00

Shenjtorët e javës 28 shkurt – 6 mars


E diel 28 shkurt, Kisha kremton të dielën e 3-të të kohës së Kreshmëve e po sot më 28 shkurt, kalendari përkujton shën Romanin, abat. Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.

Të hënën më 29 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Osvaldin e shën Hilarin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve.

Të martën më 1 mars,  kalendari kishtar përkujton shën Feliçin, papë e shën Albinin, ipeshkëv i Anzh-Në liturgjinë e ditës jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.

Të mërkurën me 2 mars, kalendari kishtar përkujton shën Troadin, shën Angjelen e Kryqit, virgjër. “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”. Liturgjia e ditës na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.

Të enjten me 3 mars, kalendarit liturgjik përkujton shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.

Të premten më 4 mars, kalendari kishtar përkujton shën Kazimirin, pajtor i Lituanisë. Liturgjia e ditës na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të shtunën më 5 mars, kalendari përkujton shën Luçion I Papë, shën Adrianin martir dhe shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës kujton se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.

Të dielën e ardhshme më 6 mars, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 3-të të kohës së Krezhmëve, e po këtë ditë, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.








All the contents on this site are copyrighted ©.