2016-02-26 12:35:00

Atë Lello Lanzilli SJ: Papa Françesku e Nënë Tereza përmes dashurisë na tregojnë rrugën drejt Zotit


Një Vit Shenjt i jashtëzakonshëm, pra, për ta jetuar në jetën e përditshme mëshirën, të cilën Ati Hyjnor e shtrin gjithnjë përmbi ne. Në këtë Jubile ta lëmë Zotin të na mrekullojë! Ai nuk lodhet kurrë duke i hapur portat e zemrës së Tij, për të na përsëritur se na do e dëshiron ta ndajë me ne jetën e vet.

Kisha e ndjen fuqimisht urgjencën e kumtimit të mëshirës së Hyjit, jeta e saj është e vërtetë dhe e besueshme kur e kumton mëshirën me bindje të plotë. Ajo e di se detyra e saj e parë, posaçërisht në një çast si ky yni, plot me shpresa e edhe me kontradikta të forta, është pikërisht çasti për t’u prirë të gjithëve kah misteri i madh i mëshirës së Hyjit, duke kundruar fytyrën e Krishtit.

Kisha është e thirrur e para të jetë dëshmitare e mëshirës, duke e praktikuar e duke e jetuar si qendër e Zbulesës së Jezu Krishtit. Nga zemra e Trinisë, nga thellësia më e madhe e misterit të Hyjit, gurron e rrjedh pa u ndaluar kurrë lumi i madh i mëshirës. Ky burim nuk mund të shterrojë kurrë për të gjithë ata, që i afrohen. Sa herë që ndokush ka nevojë, mund të hyjë në të, sepse mëshira e Hyjit është e pambarim. Sa i pashqyrtueshëm është misteri, që përfshin, aq e pashterrshme, pasuria që vjen prej tij.

Në këtë Vit Jubilar Kisha t’i bëjë jehonë Fjalës së Hyjit, që të kumbojë fort e bindshëm si fjalë e si gjest i faljes, i mbështetjes, i ndihmës, i dashurisë. Të mos  lodhet kurrë së ofruari mëshirën e të jetë gjithnjë durimtare në ngushëllim e ndjesë. Kisha të bëhet zë i çdo burri e çdo gruaje e të përsërisë me besim të paprerë: “Të  bjerë në mend, për mëshirën tënde, o Zot, e për dashurinë tënde, që është e amshuar” (Ps. 25,6).

Mbi domethënien e Vitit të Shenjtë të jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore, flasim me jezuitin Atë Lello Lanzillin, duke analizuar idenë e Papa Françeskut për mëshirën. Në kuadrin e vitit jubilar një vend të veçantë ka edhe figura shembullore e së Lumes Nënë Terezë, e cila së shpejti do të shpallet shenjte. 

Ta dëgjojmë bisedën e dom David Gjugjës me atë Lello Lanzilli-n...








All the contents on this site are copyrighted ©.