2016-02-26 13:58:00

Papa takohet me fëmijët protagonistë të librit: “Dashuria përpara botës”


Dje mbasdite u dha njoftimi për takimin e Papës, më 22 shkurt, në njërën nga sallat pranë asaj të Palit VI. Rreth Atit të Shenjtë ishin disa fëmijë nga kontinente të ndryshme, që i patën bërë me shkrim pyetjet, të cilave Françesku iu përgjigj. Lindi, kështu, libri, i titulluar “Dashuria përpara botës. Papa Françesku u shkruan fëmijëve”. Letrat u përmblodhën nga “Loyola Press” e jezuitëve amerikanë. Libri doli pikërisht dje në vitrinat e librarive italiane, Së shpejti do të mund të lexohet i përkthyer në 14 gjuhë. Po përshkruajmë, më poshtë, takimin gazmor të Papës me fëmijët.

"Las preguntas mas dificiles que me han hecho, no fueron en los examenos los profesores...

Pyetjet më të vështira nuk m’i kanë bërë profesorët gjatë provimeve, por fëmijët”. Kështu Françesku shpjegon se pyetjet e fëmijëve janë nga më të vështirat, sepse edhe fëmijët kanë aftësinë të shikojnë themeloren. Lindi kështu, diçka që del nga thellësitë e shpirtit e i prek thellësitë e shpirtit të tjetrit, duke e bërë të fitojë pjekurinë. Papa, plot kureshtje e simpati, i përshëndeti fëmijët një për një dhe i pyeti nga vinin, duke kaluar nga italishtja, në anglisht e, sidomos, në spanjisht. Mori edhe dhuratat, që i kishin sjellë fëmijët: nga çokolatat e Belgjikës, tek shirupi i panjës  kanadeze; nga bilbili irlandez, tek kupa e bërë me guaska deti të Filipineve; nga çizmet e Australisë, tek ëmbëlsirat e Sicilisë e tek një shtatore e Zojës së Bekuar, nga Kenia. Një vajze të vogël kineze i tregoi se lutet çdo ditë për Kinën, para një figureje të Zojës së She Shanit. Posaçërisht vlerësoi  sendet dhe vizatimet e bëra nga vetë fëmijët, me duart e tyre të njoma:

“Ti e ke bërë?- e pyeti Papa njërin nga fëmijët, duke shikuar një vizatim me Krishtin e Kryqëzuar. Po? I bukur, shumë! Të lumtë. Po ma jep ta shikoj mirë! Ç’ vizatim i bukur, ky!”.

Kur e pyesin ç’i pëlqen më shumë tani, që është Papë, Françesku përgjigjet pa farë ngurrimi:

“Më pëlqen shumë të jem me njerëzit, pranë njerëzve, sepse kështu ti je me një të moshuar, me një fëmijë, me një djalë, me një vajzë, me një njeri të madh a të vogël. Secili të mëson diçka nga jeta e vet e të bën ta jetosh jetën, gjë që shndërrohet në lidhje, në takim me njerëzit”.

Për të qenë i lumtur në jetë, shton, duhen ndërtuar ura me njerëzit e tjerë. Pastaj, një fjalë për vuajtjen. Papa kujton pyetjen e të madhit Dostojevski: “Pse vuajnë fëmijët?”. E përgjigjet: “Ju siguroj se unë, Papa, që duket sikur i di të gjitha e se e ka në dorë gjithë pushtetin e botës, nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. E vetmja gjë, që më jep dritë, është të shikoj këtë Kryq, të kuptoj pse vuajti Krishti. E kjo është përgjigjja e vetme, që mund të jap”.

Më pas, edhe një pyetje, me shijen e pyetjeve, që burojnë nga zemra; “Si ndjehet tani, që është Papë?”. “Ndjehem i qetë, u përgjigj Françesku, e ndjehem kështu, sepse Zoti më jep hirin të mos e humbas paqen”.

Jeta e njeriut është kështu: ka çaste gëzimi, e ka të tjera, kur ti e ndjen veten krejt të rënë shpirtërisht; ka çaste kur ndjen dashuri të madhe për Jezusin e për të gjithë njerëzit, e ka të tjera, kur nuk ndjen më dashuri për njerëzit, madje edhe çaste, kur e ndjen se po e tradhton sadopak dashurinë e Jezusit. Ka çaste kur ndjehesh shenjt, e të tjera, kur e ndjen se je mëkatar. Po jeta kështu është. Mos u tremb kurrë nëse jeton një çast të errët, mos u tmerro kur bën mëkat, dashuria e Jezusit është gjithnjë shumë më e madhe se gjithë këto. Shko tek ai e lëre të të përqafojë”.

Papa kujtoi, në vijim, se kur ishte fëmijë, dëshironte të bëhej kasap. E kjo ishte thirrja e tij e parë.

E kur i drejtohet pyetja nëse është e vështirë të jesh Papë, përgjigjet thjeshtësisht: “Është lehtë dhe e vështirë, si jeta e çdo njeriu”. Më pas, një mesazh themelor, si përgjigje e pyetjes së një fëmije:

Fëmija: - Ti, çfarë dashurie ndjen për Jezu Krishtin, për Zotin?

Papa: - Unë nuk e di nëse e dua me të vërtetë Jezu Krishtin, bëj çmos ta dua, por për diçka jam krejt i sigurt, se Ai më do!

Fëmija: - Cilët janë shenjtorët, që admiron më shumë?

Papa: - Jam mik i Shën Terezinës së Krishtit Fëmijë, mik i Shën Injacit, mik i Shën Françeskut. Janë tre shenjtorët, që më prekin zemrën!

E, së fundi, një mesazh për të mos u harruar. “Për Jezusin, kujtoi Françesku, fëmijët ishin si pasqyrim i udhës, që të çon drejt Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.