2016-02-25 16:02:00

Kampioni olimpik Pamich i jep Papës “stemën e shtegtarit”


“Papa Françesku, edhe më kampion se unë, në rrugën drejt horizonteve njerëzore dhe shpirtërore”. Kështu u shpreh kampioni olimpik, Abdon Pamich, pas takimit me Atin e Shenjtë, gjatë të cilit i dhuroi, duke ia varur në qafë me një gjest “olimpik”, edicionin e veçantë të Stemës së Shtegtarit, dëshmi e lashtë metalike, ruajtur në arkivat e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, dalë sërish në dritë muajin e kaluar, pas mëse 1000 vjetësh. Postat e Vatikanit do t’i kushtojnë kësaj ngjarjeje një vulë të veçantë filatelike.

“Ndjehem i nderuar që në mesin e 60 milion shtegtarëve, u kujtuan për mua”, tregoi me emocion Pamich, një nga atletët, që kanë marrë më shumë medalje në garën e ecjes për 50 km. Gjithashtu ai ka qenë 40 herë kampion italian në distanca të ndryshme, ndër të cilat spikasin fitorja në Olimpiadën e Tokios më 1964 dhe medalja e bronzit në Romë në vitin 1960, në disiplinën e ecjes sportive, që përfaqëson idealisht ecjen e rrugën e shtegtarëve. Sipas llogarive, ky kampion i padiskutueshëm ka përshkuar tri herë botën. Tani, 83-vjeçari Pamich vazhdon të bëjë jetën e sportistit me stërvitje e gara amatoriale. Sipas tij, “nuk duhet të jemi sportivë vetëm për një sezon, por për gjithë jetën”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.