2016-02-23 15:54:00

Atë Samir: ftesa për imamin e al-Azharit inkurajon luftën kundër terrorit


“Ideja për të ftuar në Vatikan Imamin e Madh të al-Azharit është shumë e mirë, bërë në çastin e duhur”. Atë Samir Khalil Samir, jezuit egjiptian, pedagog i islamologjisë në Bejrut dhe në Institutin Papnor Lindor të Romës, komenton për Radio Vatikanin, vizitën e një delegacioni të Selisë së Shenjtë në Kajro, në universitetin islamik sunit të al-Azharit, ku ftoi për një takim me Papën, Imamin e Madh Ahmad al-Tayyib. Për vizitën në Kajro foli edhe Papa Françesku, gjatë konferencës së shtypit në avionin e kthimit nga Meksika, ku pohoi se ka dëshirë ta takojë Imamin e se edhe ky i fundit dëshiron të njëjtën gjë.

Të rifillohet dialogu

“Gjatë papnisë së Benediktit XVI – shpjegon jezuiti atë Samir – marrëdhëniet ishin delikate. Konflikti pati lindur kur u morën si pretekst disa fjalë të tij, që në të vërtetë nuk ishin kundër askujt, por mbronin lirinë e fesë. Ftesa e sivjetme është një nga mënyrat për të rifilluar dialogun me Islamin sunit, sepse, siç dihet, al-Azhari është universiteti, që formon numrin më të madh të hoxhallarëve sunitë, mijëra në vit, e është universiteti më i famshëm mysliman, që ekziston prej mëse njëmijë vjetësh”.

Kriza e botës myslimane

“Ky i Vatikanit – shpjegon islamologu – është një hap për t’u rilidhur me një nga qendrat më të mëdha të formimit intelektual të Islamit, për të përballuar kështu, një nga temat kyç të krizës në botën myslimane. Fakti që Papa dërgoi në institucionin sunit nuncin apostolik në Egjipt, imzot Musarò dhe sekretarin e dikasterit për dialogun ndërfetar, imzot Ayuso Guixot, ka rëndësi të madhe simbolike e uroj që edhe rektori i al-Azharit të vijë në Vatikan për ta takuar Papën e për të rifilluar dialogun e nisur e të ndërprerë pesë vjet më parë”.

Duhet mbështetur Islami për të luftuar Isis

“Bota islamike – shpjegon më tej atë Samir – përjeton sot, ndoshta, krizën më të fortë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Një ‘ndeshje e brendshme’ e vërtetë, shkaktuar nga ideologjia e propaganduar nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, Isis apo Daesh. Ideologji e padëgjuar, e papranueshme, që i bën keq vetë botës islamike”. “Preteksti për të ngritur sërish kalifate është i pajustifikueshëm e nuk kuptohet pse u dashka të përfshijë edhe Perëndimin”, shton atë Samir. “Pikërisht për këtë, sot është shumë e dobishme të mbështetet bota myslimane. S’duhet ta luftojmë, por duhet t’i qëndrojmë pranë e t’i ofrojmë përvojën tonë, sepse në Kishën Katolike kemi kaluar probleme të ngjashme”.

Çështja e interpretimit të Kuranit

“Çështja bazë sot, në mendimin islamik – shpjegon atë Samir – është ajo e interpretimit të Kuranit. Interpretimi i njëanshëm, sidomos i pjesëve që kanë të bëjnë me dhunën, sot, është i pamundur. Po kështu, nuk mund të zbatohen parimet e predikuara nga Isis apo Daesh. Universiteti i al-Azharit e kundërshton katërcipërisht, 100%, këtë interpretim të njëanshëm të Kuranit, por është e vërtetë edhe se terroristët e Isisit mbështeten në interpretime, kurse e tekste të imamëve sunitë, që nuk e dënojnë atë haptas. Në dialogun me myslimanët, përpiqem gjithnjë t’u kujtoj se që në Mesjetë, Islami e pati zgjidhur këtë mosmarrëveshje, duke arritur në përfundimin se teksti duhej interpretuar. Vetëm që prej një shekulli ekziston prirja për ta zbatuar fjalë për fjalë. Ndryshimi erdhi si pasojë e ndikimeve fundamentaliste, si “wahabizmi”, doktrinë e ardhur nga Arabia Saudite e nga Katari, të cilat janë provincat më të pasura të botës islamike e pikërisht për këtë, në gjendje të përhapin e të imponojnë kudo ideologjinë e tyre, më tepër se teologjinë. Prandaj, mendoj se është thelbësore ta ruajmë miqësinë me al-Azharin për ta ndihmuar e për ta inkurajuar t’i kundërshtojë këto prirje”.

Leksioni i Regensburgut

“Duke ecur në këtë drejtim, terrorizmi do të shihet vetëm si terrorizëm, pa asnjë lidhje me Islamin autentik”, përfundon atë Samiri. “Reinterpretimi i Kuranit është sot rruga e shpëtimit. Ne, si të krishterë, duhet ta inkurajojmë këtë proces, duke treguar se edhe në traditën tonë është kapërcyer interpretimi fjalë për fjalë i Biblës”. “Nuk është ndonjë akt për të cilin duhet të turpërohet ndokush, nuk është shenjë e pabesisë ndaj Zotit, por është vetëm një mënyrë për të përdorur arsyen. Çelësi i gjithë kësaj është bashkëjetesa ndërmjet ‘fesë e arsyes’, pikërisht si e shpjegoi Benedikti XVI në fjalimin e tij të famshëm në Regensburg, i cili u keqinterpretua. Ky është hapi i vërtetë përpara për të dalë nga kriza e Islamit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.