2016-02-20 12:00:00

Papa: mëshira është angazhim konkret, që e shndërron zemrën


Dita e sotme ishte një nga të shtunat e audiencës së përgjithshme jubilare në Sheshin e Shën Pjetrit. Rreth 50 mijë vetë, ndër të cilët, një përfaqësi e veprimtarëve të turizmit dhe të dhuruesve të gjakut, që kremtonin Jubileun e tyre të Mëshirës, u mblodhën për të dëgjuar katekizmin e Atit të Shenjtë në këtë audiencë të veçantë, që Papa e mban një të shtunë në muaj, gjatë gjithë Vitit Jubilar. Kësaj radhe, Papa Françesku u përqendrua në impenjimin e krishterë për t’u dëshmuar të gjithëve shenjat konkrete të afërsisë së Zotit.

“Kur impenjohem – tha Papa – do të thotë se marr përsipër një përgjegjësi, një detyrë ndaj dikujt; e këtu përfshihet edhe stili, qëndrimi besnik e i përkushtuar, kujdesi i veçantë me të cilin e plotësoj këtë detyrë. Çdo ditë na kërkohet të impenjohemi në gjërat që bëjmë: në lutje, në punë, në studim, por edhe në sport, në veprimtaritë e kohës së lirë… Pra, të impenjohemi, do të thotë të përdorim vullnetin e mirë e forcat tona për ta përmirësuar jetën”.

Edhe Zoti, vijoi Ati i Shenjtë, është impenjuar me ne. Fillimisht krijoi botën e, pavarësisht nga përpjekjet tona për ta shkatërruar, Hyji impenjohet për ta mbajtur gjallë. Por impenjimi më i madh i Zotit është fakti që i dhuroi botës Jezu Krishtin. “E Jezusi Zot u impenjua plotësisht për t’iu kthyer shpresën të varfërve, të privuarve nga dinjiteti, të huajve, të sëmurëve, të burgosurve e mëkatarëve, të cilët i priste me mirësi. Në të gjitha këto gjëra, Jezusi ishte shprehje e gjallë e mëshirës së Atit”.

         Duke u nisur pikërisht nga kjo dashuri e mëshirshme, me të cilën Jezusi shprehu impenjimin e Zotit në favor të njerëzve, këshilloi Papa Françesku, edhe ne mund e duhet t’i përgjigjemi dashurisë së Tij me impenjimin tonë. Edhe një herë, Ati i Shenjtë vuri në dukje situatat më të rënda, ku do t’i pëlqente t’i shihte të krishterët të impenjuar me të braktisurit, me invalidët, me të sëmurët rëndë, me njerëzit në prag të vdekjes, me ata, që nuk janë në gjendje ta shprehin mirënjohjen e tyre. “Ky Jubile – uroi Ati i Shenjtë në fund – e ndihmoftë mendjen e zemrën tonë ta prekin me dorë impenjimin e Zotit për secilin prej nesh e, falë kësaj, e shndërroftë jetën tonë në impenjim mëshire për të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.