2016-02-20 18:45:00

Jubileu i turizmit. Imzot Andreata: shtegtarët në Tokën Shenjte janë plotësisht të sigurt


U kremtua sot Jubileu i punonjësve të sektorit të turizmit. Me këtë rast, kardinali mëkëmbës, Agostino Vallini, kryesoi Meshën Shenjte në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Jubileun e organizoi Vepra Romake e Shtegtimeve. E pyetëm imzot Liberio Andreatën, administrator delegat i organizmit, si integrohen shtegtimi me turizmin fetar:

Përgjigje: - Integrohen shumë mirë, sepse çdo shtegtim, çdo udhëtim fetar, është njëkohësisht edhe takim me artin, me historinë, me kulturën, me bukuritë natyrore e me gjithçka mund t’i dhurojë turizmi shtegtarit.

Pyetje: - A ka ndryshim ndërmjet shtegtimit e shtegtarit-turist?

Përgjigje: - Sot është shumë e vështirë ta dallosh turistin nga shtegtari. Për shembull, turisti, që vjen në Romë, në një shenjë vendi jeton edhe përvojën e shtegtarit. E kjo është detyra e Veprës Romake të Shtegtimeve, ta shndërrojë turistin në shtegtar.

Pyetje: - E kush mund të quhet shtegtar? Cili do të ishte identikiti i shtegtarit?

Përgjigje: - Sot shtegtari është njeri në kërkim të vetvetes, në kërkim të atyre vlerave, që shoqëria nuk është më në gjendje t’ia japë. Në shtegtim i lindin pyetjet themelore për jetën: Kush jam? Nga vij? Ku shkoj? E në shtegtim e sipër, kërkon edhe përgjigjet.

Pyetje: - Pronarët e hoteleve, të restoranteve e punonjësit e shtegtimeve, me ç’sy e shikojnë shtegtarin? Si njeri, nga i cili mund të pritet pak e aspak fitim?

Përgjigje: - Jo, absolutisht. Shtegtari është ai, që shkon të kërkojë themeloren; nuk kërkon luks, nuk kërkon të blejë sende të kota, të tepërta, të panevojshme. Shtegtari shkon në thelb të gjërave. Prej këndej, përdor mjete, si çdo turist tjetër, por pa i shkapërderdhur paratë e pa humbur kohë.

 Pyetje: - Cili është kuptimi që ka Jubileu i Punonjësve të Turizmit, organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve?

Përgjigje: - Është t’i përgatisë punonjësit e turizmit, ata që shërbejnë në hotele, në restorante, në dyqane, në autobusë… Ata, që punojnë në këtë sektor, duhet ta kuptojnë pse vjen shtegtari në Romë. Vjen për të bërë përvojën e shtegtarit e për të kapërcyer Portën Shenjte, ngaqë vetëm nëse e provon vetë këtë përvojë, do të mund të hyjë në dinamizmin e atij, të cilin e mikpret në hotel, në restorant e në dyqan. Është parapërgatitje personale.

Pyetje: - Flitet shumë për shtegtimet në Lindjen e Mesme. Cila është gjendja në këto vise sot?

Përgjigje: - Shtegtimi në Tokën Shenjte, Izrael, Palestinë e Jordani është krejt i qetë e zhvillohet në siguri të plotë. Frikën e krijojnë mjetet e komunikimit, por ju e dini, e e di edhe unë, se gjatë përvojës sime 40 vjeçare në këto vise, nuk kam parë t’i preket kujt as një fije floku. Edhe në këto situata të frikshme, sipas mediave, shtegtarët nisen me grupe e kthehen të lumtur e të qetë, sepse shtegtimet kryhen me qetësi e siguri të plotë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.