2016-02-19 14:06:00

Cantalamessa: falë Shpirtit Shenjt, Jezusi është prani, jo kujtesë


Liturgjia ta rizbulojë energjinë e veçantë të Shpirtit Shenjt, roli i të cilit në jetën e fesë së krishterë mbetet nganjëherë ende në hije. Ky, pohimi kryesor i predikatarit papnor, atë Raniero Cantalamessa, në predikimin e parë të Kreshmëve, mbajtur sot paradite në praninë e Papës e të Kuries Romake, në Kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik.

I rizbuluar, por jo krejtësisht, edhe në Liturgji. Nëse sot Shpirti Shenjt nuk është më ‘i panjohuri’ i Trinisë, meritën e ka Koncili II i Vatikanit, që i krijoi Kishës kushte të ketë një vetëdije më të qartë  lidhur me praninë e me veprimin e Shpirtit të Zotit.

Protagonist, që mungon

Gjithsesi atë Cantalamessa u nis nga kjo premisë, për të reflektuar mbi faktin se ky rizgjim i padiskutueshëm, nuk çoi në  theksimin e duhur të rolit të Shpirtit Shenjt, i cili vijoi të mbetej paksa në hije, në krahasim me Vetjet e tjera të Trinisë.

Hallkë themelore

Këtu nuk është fjala të bëhet tifo për njërën apo tjetrën Vetje të Trinisë, sqaroi predikatari kapuçin, por për të mbrojtur dinamizmin trinitar të liturgjisë. Dinamizëm që, kujtoi, shprehet në së miri nga Shën Bazili, kur thotë: “Ashtu si gjërat hyjnore zbresin në ne nga Ati, përmes Birit, në Shpirtin Shenjt, kështu edhe gjërat njerëzore ngrihen tek Ati përmes Birit, në Shpitin Shenjt”. Pra, pohon rregulltari françeskan:

“… Nuk mjafton vetëm të kujtosh herë pas here se është edhe Shpirti Shenjt. Duhet t’i njihet roli i hallkës themelore; si në udhën e daljes së krijesave nga Zoti, ashtu edhe të rikthimit të tyre në Zotin. Hendeku ndërmjet nesh e Jezusit të historisë, sheshohet nga Shpirti Shenjt. Pa Të, e gjithë liturgjia mbetet vetëm kujtesë, me Të, gjithçka është edhe prani”.

Shpirti Shenjt dhe lutja e ndërmjetësimit

Veç kësaj, vijoi predikatari papnor “Shpirti Shenjt ndërmjetëson për ne e na mëson të ndërmjetësojmë, nga ana e jonë, për të tjerët. E ndërmjetësimi, theksoi, është pjesë themelore e lutjes liturgjike, siç e dëshmon vetë Kisha, që nuk pushon së ndërmjetësuari: për vete, për botën, për të drejtët e për mëkatarët, për të gjallët e për të vdekurit. E kjo është shumë e mirëpritur nga Zoti, sepse nuk mendon për vete, por për të tjerët:

“Lutja e ndërmjetësimit është, kështu, e mirëpritur nga Zoti, sepse çlirohet më shumë nga egoizimi, reflekton më nga afër për  dhuratën falas që na bëhet e përkon më shumë me vullnetin  hyjnor, i cili dëshiron  shëlbimin e të gjithë njerëzve. Zoti është si Atë i mëshirshëm, që e ka për detyrë të dënojë, por ndërkaq i kërkon të gjitha mundësitë lehtësuese për të mos e bërë këtë e është i lumtur, në zemrën e vet, kur vëllezërit e fajtorit e përmbajnë, që të mos e bëjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.