2016-02-19 12:07:00

Jubileu. Veprat e mëshirës: “T’u japësh të pinë të eturve”


I gjithë Shkrimi Shenjt përshkohet nga vetëdija e vlerës së ujit. Elementi natyror më i thjeshtë në botë: i tejdukshëm, i kthjelltë, pa erë, pa shije, i kulluar, mbetet simbol i jetës, i pastërtisë, i shkëlqimit. E është i domosdoshëm për jetën. Trupi i njeriut ka 60% ujë e gjatë jetës, sipas statistikave, pi rreth 25.000 litra, për të shuar etjen. Pa këtë sasi uji, nuk mund të jetojë.

E pra, jo të gjithë e gëzojnë këtë pasuri. Bota është e rrethuar nga ujërat. E megjithatë, ka njerëz që nuk kanë asnjë pikë uji për të pirë. E jetojnë etshëm. 

Është e natyrshme prandaj, që në Bibël të kujtohet vazhdimisht detyra për t’ua siguruar ujin e pijshëm të gjitha krijesave, pa dallim race, kulture e feje. E pa krijuar asnjë lloj pengese: “Nëse armiku yt ka etje, jepi të pijë!” lexojmë në Librin e Proverbave (Pr 25,21).

E Jezusi na kujton se vetëm për një kupë uji të freskët, dhënë në emër të Tij, domethënë me drejtësi e dashuri, do të shpërblehesh begatisht në jetën e amshuar.

Natyrisht çështja e sigurimit të ujit të pijshën për të gjithë duhet mbarështuar në nivel planetar e nga institucione të posaçme, gjithsesi  secili e ka për detyrë të bashkëpunojë në këtë drejtim. Po si? Mund të bashkëpunosh duke e ruajtur ujin. Duke mos e shpërdoruar. Duke mos e ndotur me prodhime të rrezikshme kimike…Këto gjeste të thjeshta, që mund t’i bëjnë të gjithë, nuk janë të rëndomta, as të panevojshme, por absolutisht të nevojshme për të mirën e të gjithëve. Kujtojeni ujin e nevojën e tij, kur keni etje… E do ta kuptoni më mirë ç’do të thotë t’i japësh të pijë ujë, njeriut të shkrumbuar nga etja!

Fytyrat e Jubileut: Mëshira dhe pendesa

Tema e Mëshirës, me të cilën Papa Françesku i prin Kishës në rrugën jubilare, mund të jetë një çast i vërtetë hiri për gjithë të krishterët. E njëkohësisht, edhe thirrje për të vijuar angazhimin në udhën e ungjillëzimit të ri e të kthesës baritore të mbarë Kishës, që të mund t’u përgjigjet, kështu. nevojave të njerëzve të sotëm dhe situatave të vështira, të cilat krijohen vazhdimisht në botën e sotme, e cila ka etje për shumë gjëra, jo vetëm për ujë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.