2016-02-18 13:58:00

Papa në Meksikë: përshëndetja e lamtumirës


Veprimtaria e fundit e shtegtimit të 12-të ndërkombëtar të Papës Françesku në Meksikë ishte përshëndetja e lamtumirës, në Aeroportin e Ciudad Juárez. Për ta përcjellë kishte dalë presidenti i Shteteve të Bashkuara Meksikane, Enrique Peña Nieto, me bashkëshorten. Përshëndetja e  lamtumirës u kremtua në Sallën VIP Comandancia. Të pranishëm, disa besimtarë dhe një kor, këngët e të cilit e përcollën me jehonën e tyre avionin e Papës, në fluturim.

Por para se të nisej avioni, Françesku i drejtoi fjalën e lamtumirës Meksikës. Nuk dëshiroj të nisem pa i falënderuar të gjithë ata, që u përpoqën për suksesin e kësaj vizite baritore, theksoi. Njerëz me emër, por edhe pa emër, që punuan në heshtje, duke dhënë ç’kishin më të mirë, që këto ditë të ktheheshin në festë të familjes: faleminderit! E ndjeva veten të mikpritur, të rrethuar me dashuri, me atmosferë feste e shprese të kësaj familjeje të madhe meksikane: faleminderit që m’i hapët portat e jetës suaj, të Kombit tuaj!

E, më pas Papa kujtoi vargjet e poezisë “Vëllazërimi”, të poetit të njohur meksikan, Octavio Paz, që i përshtateshin aq shumë këtij çasti:

“Unë jam njeri jetëshkurtër, e nata, pa kufi…

Por shikoj lart e shoh: yjet po shkruajnë.

Pa i kuptuar, kuptoj.  Se shkrim jam edhe unë,

e shi këtë çast, dikush po më deshifron!”.

Duke përdorur këto fjalë të bukura, pohoi Papa, kujtoj se kush na deshifron e na e tregon udhën, është prania misterioze, por reale, e Zotit, në korpin konkret të të gjithë njerëzve, posaçërisht të më të varfërve e më nevojtarëve të Meksikës. Nata mund të duket pa kufi, tejet e errët, por këto ditë munda të shoh se në gjirin e këtij populli vezullojnë shumë drita, që të kujtojnë shpresën: munda të shikoj, në shumë nga dëshmitarët e tij, në shumë nga fytyrat e tij, praninë e Zotit, që vijon të ecë mbi këtë tokë, duke u prirë e duke i mbushur me shpresë; shumë burra e gra, me përpjekjet e tyre të përditshme, bëjnë të mundur që kjo shoqëri meksikane të mos kridhet në errësirë. Janë profetë të së nesërmes, shenjë e një agimi të ri!

“Maria, Nëna e Guadalupes, uroi në përfundim të përshëndetjes së tij më më shkurtër, por edhe më poetike, Papa, vijoftë t’ju vizitojë, të ecë këtyre udhëve, duke ju ndihmuar të jeni misionarë e dëshmitarë të mëshirës e të pajtimit!
Përsëri, shumë faleminderit!”.

Përfundoi, kështu, shtegtimi meksikan i Papës, për t’i hapur udhën shtegtimeve të tjera. Kujtojmë, për shembull, shtegtimin në Kolumbi, ku Françesku do të jetë në vitin 2017.








All the contents on this site are copyrighted ©.