2016-02-18 00:00:00

Papa: jo shfrytëzimit të punëtorëve, Zoti do t’u kërkojë llogari skllavistëve


Ditën e fundit të vizites së tij në Meksikë, Françesku u takua me botën e punës, në Colegio de Bachilleres, në praninë e organizatave të ndryshme të punëtorëve, përfaqësuesve të dhomave dhe shoqatave sipërmarrëse. Mund të konsiderohen edhe kundërshtarë, kujtoi Papa, ndonëse kanë të njëjtën përgjegjësi: të përpiqen për të krijuar mundësi pune dinjitoze, vërtet të përshtatshme për shoqërinë e, sidomos, për të rinjtë e këtyre trojeve. Prej këndej nënvizoi me forcë nevojën e bashkëpunimit, për sigurimin e ardhmërisë së ëndërruar nga brezni të tëra.

Por menjëherë pas, fjalët e Papës tingëlluan si padi, e njëkohësisht edhe si ftesë për kthesë:

“Një nga shuplakat më të forta, që u jepet të rinjve, është mungesa e mundësisë për shkollim, për punë të sigurt e për pagë, që u krijon mundësi të bëjnë plane; si pasojë, në shumë raste lindin situatat e varfërisë. Më pas kjo varfëri bëhet terren i përshtatshëm për të rënë në spiralen e trafikut të drogës e të dhunës. Është luks, që askush nuk mund ta lejojë; nuk mund të lihet vetëm, e braktisur, ardhmëria e Meksikës”.

Për fat të keq, vijoi Ati i Shenjtë, koha në të cilën jetojmë na imponon paradigmën e dobisë ekonomike si parim themelor për marrëdhëniet personale. Mendësia sunduese lufton për fitime sa më të mëdha, me çdo kusht e menjëherë. E jo vetëm që shkakton humbjen e përmasës etike të sipërmarrjeve, por harron edhe se investimi më i mirë i mundshëm, është ai, që vë në plan të parë njerëzit e familjet e tyre. Investimi më i mirë është të krijosh mundësi; ndërsa mendësia sunduese e vë fluksin e njerëzve në shërbim të fluksit të kapitalit, duke shkaktuar, në shumicën e rasteve, shfrytëzimin e punonjësve, të cilët shikohen si sende për t’u përdorur e pastaj, për t’u flakur si hedhurina (cfr Enc “Lëvduar qofsh”, 123).

Më pas, padia e hapur e shkaktarëve të kësaj gjendjeje:

“Zoti do t’u kërkojë llogari tregtarëve të skllevërve të ditëve tona, e ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur, që këto situata të mos përsëriten kurrë më! Fluksi i kapitaleve nuk mund të përcaktojë fluksin e jetës së njerëzve”.

Për këtë flet qartë Doktrina Shoqërore e Kishës, sqaroi Papa, pikërisht ajo  Doktrinë, e cila vihet në diskutim nga ata, që nuk ngurrojnë edhe t’i kundërvihen. “Këta  kujtojnë se jemi organizata bamirësie, ose se duhet t’i shndërrojmë sipërmarrjet tona në institucione filantropike!” pohojnë, jo pa ironi, ata që interesohen vetëm për parinë e kapitalit. E, jo, Doktrina Shoqërore e Kishës nuk e pretendon këtë. I vetmi  pretendim që ka kjo Doktrinë, është vëmendja ndaj zhvillimit të gjithanshëm të njerëzve e të strukturave shoqërore. Sa herë që për arsye të ndryshme ky zhvillim do të kërcënohet ose do të rëgjohet në mall konsumi, Doktrina Shoqërore e Kishës do të jetë zë profetik, që do t’i ndihmojë të gjithë të mos fundosen në detin e ambicionit. Sepse sa herë dhunohet integriteti i njeriut, mbarë shoqëria dëmtohet, prishet. E kjo nuk është kundër askujt, por në dobi të gjithkujt, kujtoi Papa, për të nënvizuar, më pas:

“Çdo sektor e ka për detyrë të shqetësohet për të mirën e të gjithëve, jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Të gjithë duhet të luftojmë, që ta bëjmë punën instancë të humanizimit e të ardhmërisë; hapësirë të përshtatshme për të ndërtuar shoqërinë e qytetarinë, gjë që  jo vetëm e përmirëson, por edhe e shndërron kulturën, duke krijuar hapësirë për të gjithë”.

Kjo kulturë, theksoi Ati i Shenjtë, e krijuar shpesh nga tensionet, po lind një stil të ri marrëdhëniesh, një stil të ri Kombesh.

E pastaj, një pyetje, që Papa e ka përsëritur disa herë, me të njëjtin shqetësim:

“Çfarë bote duam t’u lëmë fëmijëve tanë?

Pyetje kjo, që do të duhej t’ia përsëriste vetes çdo njeri e çdo komb, e posaçërisht kombet që ua bëjnë jetën aq të padurueshme bijve të vet, sa t’i shtyjnë të braktisin gjithçka e të  ravgojnë mundimshëm nëpër botë, shpesh edhe duke i humbur fare gjurmët: 

“Çfarë dëshiron t’u lërë Meksika fëmijëve të saj? – vijoi të pyesë Papa. Dëshirion t’u lërë kujtimin e shfrytëzimit, të pagave të papërshtashme, të dhunimeve në punë? Apo dëshiron t’u lërë kulturën e kujtesës së punës dinjitoze, të banesës së këndshme, të tokës së lëruar e të begatë? Çfarë do t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh? Ç’kulturë? Ç’atmosferë? Atmosferë të ndotur nga korrupsioni, kalbësirë që kutërbon, nga dhuna, nga pasiguritë, nga mosbesimi, apo, përkundrazi, atmosferën që është në gjendje të lindë alternativa, përtëritje, ndryshime?”.

Pastaj, një enumeracion i thekshëm mbi vetëdijen e edhe mbi vështirësitë që hasen, kur bëhen përpjekje për t’ia ndryshuar faqen shoqërisë:

“E di se projekti nuk është i lehtë - pohoi Papa - por e di edhe se është më keq ta lësh ardhmërinë në dorë të korrupsionit e të korruptuarve, të brutalitetit e të padrejtësisë. E di se shpesh nuk është aspak e lehtë t’i sjellësh të gjitha palët në tryezën e bisedimeve, por e di edhe se mungesa e bisedimeve është mungesë vlerësimi. E di se nuk është e lehtë të merresh vesh, në një botë gjithnjë më të ndërlikuar, por e di edhe se është më keq ta lësh botën e konkurencës të vendosë mbi fatin e popujve. Fitimi e kapitali janë pasuri për njeriun, por pa harruar se janë në shërbim të së mirës së përbashkët. E kur e mira e përbashkët vihet në shërbim të fitimit e të kapitalit, i vetmi përfitim i mundshëm është ai, që quhet përjashtim”.

Nisa me falënderime, kujtoi Papa, e po përfundoj duke ju ftuar ta ëndërrojmë Meksikën, ta ndërtojmë Meksikën që meritojnë fëmijët tuaj; Meksikën ku nuk ka njerëz të kategorisë së parë, të dytë, të tretë, të katërt…, po Meksikën që di të pranojë se çdo njeri ka dinjitetin e Birit të Zotit!

Së fundi sytë e Françeskut u drejtuan përsëri kah Zoja e Guadalupes. Asaj ia drejtoi edhe lutjen e mbrame:

“Guadalupiania, që iu duk Huan Diegos e i tregoi se ata që liheshin mënjanë, ishin dëshmitarët e saj më të zgjedhur, ju ndihmoftë e ju shoqëroftë në këtë ndërtim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.