2016-02-17 14:41:00

Imami i Madh al Tayyeb ftohet në Vatikan për dialogun Seli e Shenjtë – al Azhar


Me 18 shkurt, sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Angel Ayuso Guixot, i shoqëruar nga nunci apostolik në Egjipt, imzot Bruno Musarò, vizitoi institucionin e njohur mysliman sunit të al-Azharit.

Atmosfera e takimit, e përzemërt

Delegacioni, lexohet në një komunikatë të dikasterit vatikanas, u prit nga zëvendësi i Imamit të Madh, Abbas Shuman. Takimi qe i përzemërt. U fol për nevojën e rifillimit të dialogut ndërmjet dy institucioneve, siç uron Papa Françesku dhe njerëz të tjerë vullnetmirë. Të dyja palët u shprehën se vijimi dhe thellimi i dialogut ka rëndësi për të mirën e njerëzimit.

Kard. Tauran, i gatshëm ta shoqërojë Imamin e Madh në audiencë me Papën

Sekretari, imzot Ayuso, dorëzoi një letër të presidentit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalit Jean-Louis Tauran, në të cilën shprehet gatishmëria për ta pritur Imamin e Madh, Ahmad Al-Tayyib, e për ta shoqëruar atë në audiencë me Papën Françesku. Së fundi, në komunikatë falenderohet al-Azhari për kontributin e dhënë në suksesin e vizitës së delegacionit vatikanas dhe urohet të vijojë bashkëpunimi në të ardhmen. 








All the contents on this site are copyrighted ©.