2016-02-17 12:41:00

Dita e fundit e Papës në Meksikë me emigrantët në kufirin me SHBA-të


Papa Françesku e kaloi sot ditën e fundit në Meksikë, në Ciudád Juarezin verior, qytet që ndahet nga SHBA-të me një mur, ngritur nga administrata veri-amerikane, për t’i vënë pritë dyndjes së emigrantëve jugamerìkanë.

Papa Françesku, kujton zëdhënësi i Vatikanit, atë Federico Lombardi, që pati thënë se do të hynte në SHBA nga Meksika, e dëshironte shumë praninë në këtë kufi, në rastin e shtegtimit të tij në SHBA, të cilit, më në fund, i parapriu vizita në Kubë, shtatorin e kaluar. Por sot, në përfundim të shtegtimit meksikan, e realizoi këtë dëshirë: shkeli në Ciudad Juárez, vend jashtëzakonisht domethënës për problematikat shoqërore e njerëzore të Meksikës e të mbarë kontinentit.

Në orën 10.30 (18.30 në Evropë) Jorge Mario Bergoglio do të vizitojë burgun, ku vuajnë dënimin 3 mijë të  burgosur. Ati i Shenjtë do të takojë 700 përfaqësues të tyre, në kapelën e burgut.

Në mesditë (ora 20.00 evropiane), takimi me botën e punës në Colegio Bachilleres të Shtetit Chihuahua, ku do të jetë i pranishëm edhe një delegacion i lëvizjeve popullore, që është takuar me Papën si në Bolivi, ashtu edhe në Vatikan.

Pastaj Françesku do të drejtohet kah kufiri me  SHBA-të,  duke kaluar fare pranë  rrjetit metalik, a perdes së hekurt, që të kujton sa e sa perde të tjera të hekurta, të rrëzuara e të ringritura edhe në ditët tona. E aty do t’i afrohet fare pranë kufirit, për të përshëndetur ata, të cilët kanë kaluar mbatanë.

Në orën 16.00 (mesnatë) Mesha në zonën e panairit të Ciudad Juárez: podiumi, nënvizoi atë Lombardi, është ngritur vetëm 80 metra larg kufirit e parashikohet që nga ana tjetër të jenë mijëra njerëz në El Paso, gryka e kalimit, ndërsa në anën meksikane priten të jenë deri në 200 mijë njerëz. Në këtë Meshë parashikohet edhe prania e grupeve të ndryshme: viktima të dhunës, ose familjarë të tyre, duke nisur nga familjarët e 43 studentëve meksikanë të zhdukur pa gjurmë disa muaj më parë, në një ndeshje hakmarrjeje lidhur me trafikun e drogës, të cilët Papa i kujtoi disa herë.

Françesku do të largohet nga Ciudad Juárez rreth orës 19.15 (3.15), për t’u rikthyer në Romë, në Aeroportin e Ciampinos, rreth orës 14.45.








All the contents on this site are copyrighted ©.