2016-02-17 11:51:00

Ciudad Juàrez në kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-ve


Qyteti ka 1.219.338 banorë dhe ndodhet në lartësinë 1.120 metra mbi nivelin e detit. Themeluar në vitin 1659 me emrin “El Paso del Norte” (Kalimi i Veriut) nga eksplorues spanjollë, që kërkon një kalim përmes Maleve Shkëmbore, Ciudad Juarez, për mëse dy shekuj, ka qenë e vetmja urë mbi lumin Rio Grande për të shkuar nga Meksika në Teksas.

Traktai i Guadalupes “Hidalgo” i vitit 1848 e konsideron lumin Rio Grande si kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-ve, duke ndarë kështu, kolonët në veri të lumit nga pjesa tjetër e qytetit. Ai territor, që u bë pjesë e SHBA-ve, më vonë, u quajt El Paso. Në vitin 1882, në qytet mbërriti hekurudha e si pasojë, u hapën bankat, zyrat e postës, linja trami e shumë veprimtari tregtare. Në vitin 1888, toponimi u ndryshua në Ciudad Juàrez, për nder të presidentit Benito Juàrez.

Qyteti shtrihet në brigjet e lumti Rio Grande, përballë qytetit amerikan teksan El Paso. Dy qytetet formojnë një zonë metropolitane prej rreth 2 milion e gjysëm banorësh, territori më i madh dyzonësh në kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-ve, pas atij të Tijuana-San Diego. Ciudad Juarez është qyteti i pestë i Meksikës dhe qendër e rëndësishme industriale. Sipas disa statistikave, qyteti është edhe një ndër më të dhunshmit në botë, para Miamit, Karakas dhe Nju Orleansit (2.500 vrasje vetëm në vitin 2009). Spiralja e dhunës shkaktohet nga trafiku i drogës në kufirin me SHBA-të. Në Ciudad Juàrez veprojnë 950 banda, ose pandillas siç i quajnë meksikanët, ngaqë me to bashkohene dhe qindra pandilleros me origjinë meksikane, që përjashtohen nga SHBA-të. Për shkak të luftës së narkotrafikantëve, katër vjetët e fundit 18% e popullsisë e ka braktisur qytetin. Nga viti 1993, Ciudad Juàrez është i njohur për mijëra gratë e zhdukura, të cilat punonin në kushte çnjerëzore në “maquiladoras” (fabrikat klandestine), që prodhonin mallra për botën e pasur. Të shumtë, filmat që pasqyrojnë realitetin e dhunshëm të Ciudad Juàrez: “Bordertoën” i vitit 2006, mbështetur nga Amnesty International (për vrasjen e grave); “Kufiri” i vitit 1982 për emigracionin klandestin. Të shumtë edhe librat si “Huesos en el desierto” (Kocka në shkretëtirë) i Sergio Gonzàlez Rodrìguez, ose edhe shoqatat në ndihmë të grave si “Nuestras Hijas de Regreso a Casa”.

 Dioqeza e Ciudad Juàrez është sufragane e Chihuahua, me 29.639 km katrore, 2.757.000 banorë prej të cilëve 85% katolikë, të shpërndarë në 73 famulli, 4 kisha apo stacione misionare. Aty shërbejnë 98 meshtarë dioqezanë, 22 meshtarë rregulltarë, 30 rregulltarë, 177 murgesha, 19 diakon të përhershëm, 56 seminaristë, 15 institute edukative dhe 66 institute bamirëse. Vitin e fundit janë pagëzuar 15.156 vetë. Ipeshkëv është imzot José Guadalupe Torres Campos.








All the contents on this site are copyrighted ©.