Duke shfletuar kalendarin historik më 17 shkurt, kujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanit shqiptar Aë Justin Rrotës, i cili lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë. Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare. Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Atë Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum”
në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues
i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou
dhe Viator. Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout”
dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë.
Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti
i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të
gjuhës.
Kontributi i Atë Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës
shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti
për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj.
Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit
të don Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe
rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas
punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe.
Ja diçka nga veprat e Justin Rrotës
1.Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme,
botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë
Tiranë 1941.
2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe
76.
3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933.
5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944.
6.Analizimi i rasave t'emnit, Shkodër 1931.
7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944.
8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968.
9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939.
10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945.
Atë Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore,
si dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat e fletoret e kohës
si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim
janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë,
fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë).
Studime janë botuar edhe pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës.
Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.
All the contents on this site are copyrighted ©. |