2016-02-16 14:48:00

Atë Lombardi: Papa lutet për të gjitha viktimat e dhunës


Nesër, me Meshën që do të kremtohet në Ciudad Juárez, në kufrin me SHBA-të, Françesku do të përfundojë vizitën e tij në Meksikë, duke shtrënguar me duar rrjetin, që ndanë popuj e vende. Në Meshë do të jenë të pranishëm një mori njerëzish që lidhen, në forma të ndryshme, me problemet e ndryshme të dhunës në Meksikë. E konfirmon këtë atë Federico Lombardi, duke kujtuar edhe deklaratat polemike të prindërve të 43 studentëve të zhdukur, që do të dëshironin një takim privat me Papën. Ia drejtuam mikrofonin tonë, atë Lombardit:

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për takimin privat të Papës me një grup indianësh?

Përgjigje: - Ishte takim normal, gjatë një dreke. Kjo ndodh  në  disa raste, si për shembull në Ditët e Rinisë, në raste vizitash ndër zona ku ka të varfër ose refugjatë… Ishin tetë indigjenë, që përfaqësonin disa nga bashkësitë vendase. Ndërmjet tyre, edhe një meshtar indian, njeri shumë i ndjeshëm, që të bënte menjëherë për vete me thjeshtësinë e tij, me mënyrën si sillej e si shprehej. Madje edhe me veshjen e tij, tipike indiane. Nuk kishte asnjë shenjë të veçantë klerikale; pastaj ishte edhe një përfaqësues i diakonëve, bashkë me gruan; një rregulltare; një i ri e një katekist, të gjithë përfaqësues të bashkësive indiane vendase. Papa u shtrua me ta sofër e shkëmbeu një bisedë shumë të thjeshtë.

Pyetje: - Diçka për Meshën në Ciudad Juárez? A ka ndonjë të re lidhur me familjarët e desaparecidos, apo të zhdukurve?

Përgjigje: - Në Meshën, që do të kremtohet në Ciudad Juárez, do të jenë të pranishëm shumë njerëz, që lidhen në forma të ndryshme e me probleme të ndryshme të dhunës në Meksikë. E dimë se këtu janë zhdukur më se 27 mijë vetë, vetëm vitet e fundit. Por nuk kam dijeni nëse Papa do të bëjë ndonjë gjë të veçantë për ndonjërin nga grupet. Papa dëshiron t’u tregojë të gjithëve afërsinë e tij, praninë e tij. Papa lutet për të gjithë e është pranë të gjithëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.