2016-02-15 14:01:00

Tuxtla Gutiérrez kryeqyteti i Shtetit të Chiapas


Emri i qytetit me 600 mijë banorë, vjen nga “tuchtlan”, që në gjuhën nàhuatl do të thotë “aty ku lënë lepujt”, si edhe nga “Gutiérrez”, që është mbiemri i Joaquìn Miguel Gutiérrez, hero kombëtar i ‘800-ës. Është kryeqytet i Shtetit të Chiapas e zakonisht quhet Tuxtla. Ka një ritëm zhvillimi ndër më të lartët e Meksikës e kështu, tërheq emigrantët, edhe klandestinët nga Guatemala e nga vende të tjera të Amerikës Latine. Në ndryshim nga zona të tjera të Chiapas, qyteti nuk është turistik, por vend ku turistët shkojnë e vijnë, për shkak të aeroportit e stacionit të madh të autobusave në “Carretera Panamericana”, një rrugë që përvijon bregdetin e Paqësorit në kontinent.

Katedralja i kushtohet shën Markut, Pajtor i qytetit, dhe është ndërtuar fillimisht nga misionarët dominikanë, në vitin 1560. Këmbanorja e saj katrore ka 48 këmbana e një carillon, që bie në të gjitha orët, ndërsa para syve të shikuesit kalojnë 12 shtatoret e apostujve të Krishtit.

Shteti i Chiapas ka rreth 5 milion banorë në një sipërfaqe prej 73.289 km katrorë. Më jugori i Meksikës, edhe sot, pavarësisht nga burimet e mëdha natyrore, mbetet ndër më të pazhvilluarit. Mosha mesatare është 60 vjeç për burrat e 50 për gratë. 36% e popullsisë flet vetëm gjuhën indigjene. Në të kaluarën, shtypja e popullsisë indigjene shkaktoi rebelimin e vitit 1868. Chiapas është kështjellë e lëvizjes zapatiste, grup militant i së majtës revolucionare, që e merr emrin nga Emiljano Zapata, njeri i reformës agrare e komandant indipendentist gjatë revolucionit meksikan. Lëvizja e armatosur rizgjohet në vitin 1983 e kërkon njohjen e kulturës indigjene, respektin e të drejtave të indigjenëve dhe kontrollin mbi burimet e tyre lokale, sidomos tokën. Braktis luftën e armatosur në favor të saj politike, në vizitn 1994. Baza popullore e Lëvizjes përbëhet nga banorët e fshatrave dhe indiosit Maya.

Kryedioqeza e Tuxtla Gutiérrez ka 1.675.755 banorë, ndër të cilët 68% katolikë të shpërndarë në 69 famulli, 5 kisha apo stacione misionare. Aty shërbejnë 128 meshtarë dioqezanë, 24 meshtarë rregulltarë, 80 rregulltarë, 318 rregulltare, 116 seminaristë. Kryeipeshkvi është imzot Fabio Martìnez Castilla.








All the contents on this site are copyrighted ©.