2016-02-14 12:05:00

Zoja Zeshkane e tre Papë


Françesku nuk është Papa i parë, që shkel në trojet e Meksikës. Para tij shkelën edhe dy papë të tjerë: Gjon Pali II dhe Benedikti XVI.

Shën Gjon Pali II e vizitoi pesë herë Meksikën: herën e parë, pak pas fillimit të Papnisë, në janar-shkurt 1979, për hapjen e Konferencës së përgjithshme të Episkopatit Latino-Amerikan. Më pas do ta vizitonte vendin edhe katër herë të tjera: më 6 maj 1990, për lumnimin  e Juan Diegos dhe tre martirëve të Tlaxcala; më  16 shtator 1993;  më 23 janar 1999, për dorëzimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale dhe më 31 korrik 2002, për shenjtërimin e Juan Diegos, në shenjtëroren e Zojës së Guadalupes.  

Pati një devocion të thellë për Zojën e Guadalupes, me emrin e së cilës i nisi shtegtimet e tij aposotolike. Duke iu drejtuar Meksikës nga Shenjtërorja e Zojës, gjatë shtegtimit të dytë apostolik, pati theksuar:

“Këtu rreh zemra amëtare, që i jep jetë e shpresë gjithë Meksikës” .

Edhe Benedikti XVI shkeli trojet meksikane, më 23 deri më 29 mars 2012.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, pas Meshës në Sheshin e Dyqindvjetorit të Pavarësisë, në Leon, Papa Benedikti XVI tha:
“Edhe ne sot i lutemi Marisë të na e tregojë Jezusin. I lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën. Papët, kujtoi Benedikti XVI, e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”.
Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”. Papa theksoi në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot të 25 marsit 2012, se devocioni për Virgjërën Mari, që na afron gjithnjë tek Jezusi, nuk është sentimentalizëm shterpë e kalimtar, e as besim foshnjor, por buron nga feja e vërtetë, që na nxit ta njohim epërsinë e Nënës së Zotit, ta duam me dashuri bijnore e t’i bëjmë tonat virtytet e saj:
“Ta duash, do të thotë të impenjohesh të dëshmosh Birin e saj; ta nderosh Zojën e Guadalupes, do të thotë të jetosh sipas fjalëve të frytit të bekuar të kraharorit të saj. Në këto çaste, kur shumë familje detyrohen të ndahen e të nisin rrugët e mërgimit, kur vuajnë për shkak të varfërisë, të korrupsionit, të dhunës shtëpiake, të trafikut të drogës, të krizës së vlerave e të kriminalitetit, duhet t’i drejtohemi Marisë e t’i lutemi të na japë ngushëllim, forcë, shpresë”.

Benedikti XVI ia besoi Zojës së Guadalupes Meksikën, gjithë Amerikën Latine e Karaibet, duke kujtuar se:

“Në kohë prove e dhimbjeje, shumë martirë vdiqën me brohoritjen: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Zoja e Guadalupes”, duke dhënë, kështu, dëshminë e pamort të besnikërisë ndaj Ungjillit e Kishës”.

Në përfundim, Papa u lut që prania e Virgjërës në Meksikë, t’u kujtojë të gjithëve respektin për njeriun, detyrën për mbrojtjen e jetës, frymën e vëllazërimit, domosdoshmërinë për t’i mënjanuar hakmarrjet e kota e për t’i dhënë fund urrejtjes, që përçan.

E tani, një Papë tjetër e kremtoi Meshën dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot nga viset e Zojës së Guadalupes, duke kujtuar:

“Në atë agim të dhjetorit 1531, bëhej mrekullia e parë, që pastaj, do të ishte kujtesa e gjallë e gjithçkaje, që ruhet në këtë shenjtërore. Atë agim, në atë takim, Zoti rizgjoi shpresën e birit të vet, Huanit, shpresën e Popullit të vet. Në atë agim, Zoti rizgjoi e rizgjon shpresën e më të vegjëlve, më të vuajturve, të të shpërngulurve e të të mënjanuarve, të gjithë atyre, që ndjejnë se nuk kanë një vend të denjë mbi këto troje. Në atë agim, Zoti iu afrua dhe i afrohet zemrës së vuajtur por të fortë të sa e sa nënave, baballarëve, gjyshërve, që i kanë parë bijtë të nisen, i kanë parë të humbur e madje, edhe në duart e kriminalitetit”.

Kjo tokë, vijoi të kujtojë Françesku më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ka shijen e Guadalupianes. Asaj, që na parapriu gjithnjë në dashuri, Asaj t’i themi:

“Virgjër e Shenjtë, na ndihmo të ndriçojmë në dëshminë e bashkmit, të shërbimit, të fesë së zjarrtë e bujare, të drejtësisë e të dashurisë ndaj të varfërve, që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës e asnjë periferie të mosi mungojë drita e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.