2016-02-14 19:00:00

Papa në Ekatepek: të mos joshemi nga paratë, nga fama e nga pushteti, t’i ndjekim gjurmët e Jezusit


Në ditën e tretë të vizitës në Meksikë, sot Papa Françesku nga Meksiko në Ecatepec, qytet-satelit me një milion e 650 mijë banorë, afër 30 km nga kryeqyteti, seli ipeshkëvnore, zgjedhur nga Papa Bergoglio sepse është ndër ato dioqeza që nuk është vizituar ndonjëherë nga paraardhësit e tij. Këtu, në ora 11.30 lokale (18.30 evropiane) Papa kremtoi Meshën në zonën e Qendrës së Studimeve të Larta, ku pastaj luti uratën e mesditës të Engjëllit të Tënzot.

Duhet t’ia “çjerrim maskën” tre “formave të mëdha të tundimeve” që i  joshin njerëzit, parasë, famës e pushtetit, që e “kërcënojnë” “planin e Zotit”, emri i të cilit është “mëshirë” e dëshira e të cilit është “shërimi i zemrave tona nga gjithçka degradon”. Kështu tha Papa në homelinë e meshës kremtuar në fushën e Qendrës së Studimeve të Larta në Ecatepec: “Kemi zgjedhur Jezusin e jo djallin”.

Në Meshën e dielës së parë të Kreshmëve, Papa Françesku nuk mundi të mos ndalej në ndihmën që na jep kjo Kohë liturgjike e shpirtërore, që paraprin Pashkët, për t’i luftuar tundimet e djallit e për t’i thënë po Jezusit. Në homelinë e meshës, kremtuar në Qendrën e Studimeve të Ekatepekut, para mëse 400 mijë vetëve, të mbledhur në “kodrinën e erës”, siç quhet ky vend në gjuhën e banorëve, Ati i Shenjtë Bergoglio mori shkas nga Ungjilli i së dielës, që flet për tundimet e Jezusit, për ta vënë theksin mbi tundimet tona e për të na këshilluar t’i shfrytëzojmë Kreshmët për t’u çliruar nga lodhja, apatia, mosbesimi, për t’u larguar nga ati i gënjeshtrës, nga ai që vjen të ndajë, duke krijuar një shoqëri plot konflikte, një shoqëri të pak vetëve për pak vetë.

Kjo është Koha për ta ndjerë sërish gëzimin dhe shpresën, që na jep të qenit bij të Atit Qiellor, për ta njohur brenda nesh e tek të tjerët dinjitetin, me të cilin na vesh Zoti, që është Atë për të gjithë, tërhoqi vëmendjen Papa Françesku e theksoi:

 “Ati ynë është Atë i një familjeje të madhe, është Ati ynë. Di të dojë, por nuk di të lindë e të krijojë ‘bij të vetëm’. Është Zot, me shijen e familjes, të vëllazërimit, të bukës së thyer e të ndarë me të tjerët. Është Zoti i ‘Atynës’, jo i ‘atit tim’ dhe i ‘njerkut tuaj’”.

Pikërisht në kohën e Pashkëve e në çdo hoste të shuguruar të Eukaristisë, nënvizoi Papa, kërkojmë këtë atësi të Zotit, duam ta njohim veten si bij të Hyjit. E për ta realizuar këtë ëndërr, që e kanë kërkuar edhe me gjak martirët e shumtë të djeshëm e të sotëm, theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio, duhet të largohemi nga tundimet e djallit. Tre tundimet e Jezusit, tre tundimet e të krishterit, që synojnë ta shkatërrojnë të vërtetën për të cilën jemi thirrur në këtë jetë, që përpiqen të na prishin nga brenda. E Papa i numëroi:

“Pasuria, duke shtënë në dorë të mira, që janë dhënë për të gjithë e duke i përdorur vetëm për mua, ose për miqtë ‘e mi’. Është edhe fitimi i bukës me djersën e tjetërkujt, ose, madje, edhe me jetën e tjetërkujt. Ajo pasuri, që është bukë me shijen e dhimbjes, të hidhërimit, të vuajtjes. Në një familje apo në një shoqëri të korruptuar, kjo është buka, që u jepet fëmijëve të hanë”.

Pa mëdyshje, Papa Françesku kaloi në tundimin tjetër, të njëjtë me atë që përballoi Jezusi, kur djalli e joshte në shkretëtirë:

“Kotësia. Ai kërkim prestigji, bazuar në skualifikimin e vazhdueshëm e të përhershëm të atyre, që ‘nuk janë askush’. Kërkimi i dëshpëruar i atyre pesë minutave famë, që nuk e fal ‘famën’ e të tjerëve. ‘Duke bërë dru nga pema e rënë’, i lë vendin tundimit të tretë:

Kryelartësia, krenia, që do të thotë ta vesh veten në një plan më të lartë të çdo lloji, duke u ndjerë sikur nuk mund ta ndash ‘jetën me njerëzit e zakonshëm’ e duke u lutur çdo ditë: ‘Faleminderit o Zot, që s’më ke bërë si ata’”.

Ta pyesim veten, ngriti zërin Papa, nëse jemi edhe ne kështu, sepse këto tre tundime na mbyllin në rrethin vicioz të shkatërrimit e të mëkatit, duke na e marrë frymën e duke na privuar nga gëzimi e freskia e Ungjillit:

“Kemi zgjedhur Jezusin e jo demonin; duam t’i ndjekim gjurmët e tij, por e dimë se nuk është e lehtë. E dimë ç’do të thotë të joshesh nga paratë, nga fama e nga pushteti. Prandaj Kisha na dhuron këtë kohë, na fton të kthehemi tek Zoti, me një siguri të vetme: Ai na pret e dëshiron ta shërojë zemrën tonë nga çdo gjë që e degradon… Është ai Zot, që ka emrin e mëshirës. Emri i Tij është pasuria jonë, emri i Tij është fama jonë, emri i Tij është pushteti ynë; e në emrin e Tij, edhe një herë, përsërisim me Psalmin: ‘Zoti im, në të cilin shpresoj’ (91/90,2)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.