2016-02-14 18:34:00

Papa meksikanëve: jini njerëz të kujtesës së kalimit të Zotit, në popullin tuaj


Ftesa për kujtesë përshkoi gjithë lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Papa pas Meshës, në Qendrën e Studimeve të larta të Ecatepec.

U frymëzua nga Leximi i parë i kësaj së dieleje, Papa Françesku, nga ftesa e Moisiut drejtuar popullit që, në çastin e të korrave, të begatisë, të fryteve të para, të mos e harrojë kurrë zanafillën e vet. Të mos i harrojë rrënjët e veta. Të mos harrojë se të sotmen e lindi ndërmjet errësirës e dritës. Papa Bergoglio i ftoi meksikanët të mos i harrojnë kurrë çastet e vështira, të kaluara, as në ditët, kur kremtojnë frytet e begata të tokës.

Françesku e nxiti secilin ta meditojë rrugën, që përshkoi, për të arritur deri këtu. Të kujtojë sa shumë iu desh të ecë, për të festuar sot. E të kujtojë me mirënjohje edhe ata, që ecën e ecën, po nuk mundën të arrijnë në cak. 

Ati i Shenjtë i bëri të vetat fjalët e Moisiut, për t’i ftuar meksikanët të jenë njerëz të kujtesës së gjallë të kalimit të Zotit, përmes popullit të tij, në popullin e tij. T’i shikojnë bijtë e tyre, duke e ditur se trashëgojnë jo vetëm një tokë, një gjuhë, një kulturë, një traditë, por sidomos, frytin e gjallë të fesë, që kujton kalimin e sigurt të Hyjit nëpër këto troje. Sigurinë se Ai është pranë. Se i ndihmon ta ngrenë kokën lart, për ta pritur me dëshirë të zjarrtë agimin.

Duke parë bijtë tuaj, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, nuk mund të mos kujtoj edhe fjalët, që ia pati drejtuar një ditë Pali VI popullit meksikan:

“I krishteri nuk mund të mos e dëshmojë solidaritetin, për të zgjidhur problemet e atyre, tek të cilët nuk ka arritur ende buka e kulturës ose mundësia e punës së ndershme […], nuk mund të rrijë duarkryq, kur breznitë e reja nuk e gjejnë udhën për të realizuar ëndrrat e tyre të ligjshme”.

E Papa Françesku vijoi t’i ftojë përsëri besimtarët të jenë në vijë të parë, të jenë gati për të gjitha nismat, që mund ta bëjnë tokën e bekuar meksikane, tokë e mundësive të reja:

“Tokë ku nuk duhet të emigrosh, për të ëndërruar; nuk duhet të shfrytëzohesh, për të punuar, ku nuk ndjehet nevoja ta bësh dëshpërimin dhe varfërinë e shumicës, voli për pakicën”.

Tokë, e cila nuk duhet t’i qajë burrat e gratë, të rinjtë e fëmijët, që  mbarojnë të shkatërruar në duart e trafikantëve të vdekjes! Ky, denoncimi i fortë i Papës, në një vend ku droga shkatërron shumë jetë.

Kjo tokë, vijoi të kujtojë Papa Françesku, ka shijen e Guadalupianes. Asaj, që na parapriu gjithnjë në dashuri, Asaj t’i themi:

“Virgjër e Shenjtë, na ndihmo të shkëlqejmë në dëshminë e bashkimit, të shërbimit, të fesë së zjarrtë e bujare, të drejtësisë e të dashurisë ndaj të varfërve, që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës e asnjë periferie të mos i mungojë drita e tij”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.