2016-02-14 14:02:00

Papa ipeshkvijve meksikanë: vetëm dhembshuria e Zotit i pushton zemrat


Mos kini frikë nga transparenca, jini pranë njerëzve, dëshmitarë të Zotit, jo princa. Këto, disa nga porositë, që u dha Papa, përmes një fjalimi të gjatë e të hollësishëm, ipeshkvijve të Meksikës, mbledhur në katedralen e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në zemër të kryeqytetit. Atyre ua besoi të rinjtë, respektin e mirënjohjen për popujt vendas dhe për emigrantët, që duhen ndjekur, shtoi, edhe përtej kufijve. E fortë, thirrja e Françeskut për luftë kundër trafikut të drogës, përmes një projekti baritor serioz e cilësor, që duhet t’i përfshijë të gjithë.

Vetëm 800 metra e ndajnë Pallatin Kombëtar të Qytetit të Meksikos, nga Katedralja e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: për Papën, hapësirë e re për një turmë të pafundme, gazmore, që e përcolli me këngë e valle, deri në hyrje të Kishës, ku mori  kyçet e Qytetit, për të hyrë, pastaj e për t’u gjunjëzuar gjatë, në heshtje, para Elterit të Faljes.

Dhembshuria e Zotit është e vetmja forcë, që e pushton zemrën e njeriut

“Entro con pasos suaves...

“Hyj me hap të pandjeshëm në këtë shtëpi të shenjtë, që e deshi vetë Zoja  Zeshkane. Këtu gjindet zemra sekrete e çdo meksikani”. Kështu Papa, që më pas kaloi menjëherë tek fjalimi drejtuar ipeshkvijve, përqendruar tek modeli i Zojës së Guadalupes. Sa do të desha, theksoi Françesku, që Ajo vetë ta çojë në thellësitë e shpirtit tuaj, atë që gufon nga zemra e Papës:

“Ante todo, la Virgen Morenita nos enseña que la única fuerza capaz...

Mbi të gjitha, Zoja Zeshkane na mëson se e vetmja forcë, e aftë për të fituar zemrën e njerëzve, është dhembshuria e Zotit. Çka magjeps e josh, çka përkul e fiton, çka copëton zinxhirët e hap portat, nuk është forca e mjeteve, as rreptësia e ligjit, por ligështia e gjithëpushtetshme e dashurisë hyjnore, forca e pakundërshtueshme e ëmbëlsisë dhe e premtimit të paprapësueshëm të mëshirës së Zotit”.

T’i jepet popullit, si në zanafillën e ungjillëzimit të Kontinentit, “prehëri” i fesë së krishterë, që pranon e pajton. Këtë kërkon Papa:

“Reclínense pues, con delicadeza y respeto, sobre el alma profunda de su gente...

Përkuluni me delikatesë mbi shpirtin e njerëzve tuaj, jini ipeshkvij me sy të kthjelltë, me shpirt transparent, me fytyrë plot dritë. E mos kini frikë nga transparenca. Kisha nuk punon kurrë në terr. Vigjëloni, që sytë tuaj të mos i terratisë mjegulla e mendësisë së botës. Mos lejoni t’ju korruptojë materializmi i ulët e as iluzionet joshëse të marrëveshjeve nën banak. Në botën e  sotme, tejet të ndërlikuar, shpjegoi Papa, me lojëra force e me  koncept të lëkundur mbi jetën, duhet ta kapni sa më shpejt pyetjen, që bërtet në zemrën e njerëzve tuaj e t’i përgjigjeni menjëherë se Zoti ekziston e është aty pranë. Se ka fytyrë njerëzore. Sytë tuaj të dëshmojnë se e keni parë Jezusin, përndryshe fjalët, që kujtojmë prej Tij, do të mbeten figura retorike boshe, belbëzim jetimësh pranë varresh”.

Një shikim i vëmendshëm e i afërt

Me një vështrim të thellë shpirtëror, Papa e porositi Kishën meksikane, përballë tij, për kthesë guximtare baritore, që të mund t’i kërkojë, t’i lindë e t’i ushqejë dishepujt e sotëm të Jezu Krishtit, duke pasur gjithnjë si model, Zojën Zeshkane, e cila e ruan dhe e pasqyron fytyrën e atij, që e takon:

“Sólo una Iglesia que sepa resguardar el rostro de los hombres...

Vetëm një Kishë, që di ta mbrojë fytyrën e njerëzve, të cilët trokasin në portën e saj, është e aftë t’u flasë atyre për Zotin. Në se nuk i deshifrojmë vuajtjet e tyre, nuk kujtohemi për nevojat e tyre, nuk mund t’u ofrojmë gjë prej gjëje. T’i themi, prandaj ‘jo’ klerikalizmit e vetëkënaqësisë”:

“No se necesitan «príncipes», sino una comunidad de testigos del Señor...

Nuk kemi nevojë për princa, por për një bashkësi dëshmitarësh të Zotit. Duhet ruajtur, prandaj, bashkimi e uniteti. Kisha shumëformëshe e Meksikës ka nevojë për ipeshkvij shërbëtorë e ruajtës të unitetit, ngritur mbi Fjalën e Zotit, ushqyer me Korpin e Tij, udhëhequr nga Shpirti i Tij, frymëmarrje jetike e Kishës”.

Vëmendje e veçantë të rinjve dhe luftës kundër trafikut të drogës

Zelli misionar dhe formimi i laikëve ishte një nga porositë kryesore të Papës për ipeshkvijtë, të cilëve ua besoi posaçërisht të rinjtë e, në veçanti, ata që joshen nga paraja dhe nga tregtarët e vdekjes, të trafikut të drogës, sfidë etike për Kishën e shoqërinë, për të cilën Papa u lut të mos nënvleftësohet:

“La proporción del fenómeno, la complejidad de sus causas, la inmensidad de su extensión...

Përpjestimet e fenomenit, kompleksiteti i shkaqeve të tij, shtrirja e pamasë, si metastazë, që grin e korr, kërkojnë guxim profetik dhe projekt serioz baritor, duke nisur nga familjet”.

Delikatesë për popujt vendas, kërkoi më pas Papa

“Il México tiene necesidad de sus raíces amerindias para no quedarse en un enigma irresuelto...

Meksika ka nevojë për rrënjët e veta amerinde, që të mos mbetet enigmë e pashpjegueshme. Indianët e Amerikës presin akoma t’u njihet faktikisht pasuria e kontributit të tyre dhe fekonditeti i pranisë së tyre, për të trashëguar atë identitet, që e bën Meksikën komb unik, e jo thjesht një komb, ndërmjet sa e sa të tjerëve. Ipeshkvijtë duhet t‘i vlerësojnë rrënjët e lashta, ta ruajnë kujtesën, të ngjallin shpresa”.

Të ndiqen emigrantët përtej kufijve

Fjala e fundit e Atit të Shenjtë, në mbyllje të fjalimit të tij të gjatë drejtuar ipeshkvijve, iu kushtua pikërisht sfidës së emigracionit. Miliona bij të Meksikës largohen nga vendi, nga rrënjët e tyre, nga familjet e tyre. Prej këndej, ftesa:

“Hermanos, que sus corazones sean capaces de seguirlos y alcanzarlos más allá de las fronteras...

Vëllezër, zemrat tuaja duhet të jenë të afta t’i ndjekin e t’i arrijnë përtej kufijve, edhe me ndihmën e episkopatit amerikan, që të mos shndërrohen ‘në mërgimtarë, që s’janë më në gjendje as ta njohin vetveten’. Dëshmoni, të bashkuar, se Kisha është rojtare e një vizioni unitar të njeriut e nuk mund të lejojë të rrëgjohet thjesht në burim njerëzor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.