2016-02-14 16:16:00

Biseda e heshtur e Françeskut me Zojën Zeshkane


Papa Bergoglio, i pari ipeshkëv i Romës, i lindur në Amerikën Latine, mundi, më në fund, ta shikojë sy për në sy Zojën e Gudalupes, që është në zanafillë të identietetit të popujve latinoamerikanë. E pa sy për sy, Nënën e njerëzve të shpërngulur, të padëshiruar, të flakur në skajet e skutat e jetës. Njerëzit më të dashur për Françeskun, që u lut, fill i vetëm, në heshtje, në Camarin, vend ku ruhet figurja e Zojës, ku mund t’ia ngulte gjatë sytë fytyrës misterioze të Pajtores e Mbretëreshës së Amerikave e ku ndodhet edhe kurora prej ari e argjendi, që ia solli si dhuratë.  E, në sa lutej, dëgjoi një zë, që i pëshpëriste në shpirt:

“A nuk jam Nëna jote? Thua nuk jam këtu? Mos lejo që të të mposhtin dhimbjet tua, trishtimet tua! Jam këtu! Këtu më gjen, kur të kesh nevojë, kur të jesh i trishtuar, kur e ndjen se po të lëshon zemra.... E edhe kur zemra jote galdon në Zotin”.

E Papa iu përgjigj me Himnin e lashtë:   

“S’due tjetër, veç me të pa,

Mari!

Me sy të hapun kah ti,

si botë e mbyllun në vetvete...

Mjafton Ty me të kundrue

e me zbrazë heshtas

në zemrën tande,

zemrën e mbushun plot.

E Ti flladin e ballit

aspak mos e trazo.

Vetëm përkunde lehtë

vetminë time të dhunueme,

varun mes jetës e vdekjes...

Në sytë e tu,

o Nanë e dashunueme,

shoh një copë jete

shtangun në kujtesë;

e orët, shoh, që nxitojnë,

e njerëzit që i kafshon

ndysia e jetës e e vdekjes...

Mjafton me të pa, o Nanë,

me t’kundrue veç një çast

me zemër në zemrën tande,

në pastrinë tande

të bardhë porsi zambaku,

e me pa Dritën

që rri pezull mbi ne!1

 

1 Përkthim i lirë








All the contents on this site are copyrighted ©.