2016-02-14 16:01:00

Besimtarët meksikanë: Papa sjell shpresë në kohë të vështira


Papa në Meksikë shkruan tweet-e të reja: “Maria është gruaja e ‘po’-së, një ‘po’ përkushtimi ndaj Zotit, një ‘po’ përkushtimi ndaj vëllezërve të vet. Ta ndjekim në përkushtimin e saj”. E pastaj kujton se “Meksika ka fytyrë të re. Kjo i lejon ta mendojë e ta projektojë të ardhmen, të nesërmen. Kjo i jep shpresë”. E për shpresë kanë nevojë meksikanët, në këtë periudhë të vështirë. Kështu thonë, në mikrofonin e Radio Vatikanit, besimtarët e shumtë, që morën pjesë në meshën e kremtuar nga Papa Françesku, në shenjtëroren e Zojës së Guadalupes.

“Aktualisht jetojmë në kohë të vështira për vendin – pohon një grua – ka varfëri, dhunë, korrupsion, narkotrafik, mungesë pune e arsimi. Prania e Papës është diçka e mrekullueshme, sepse sjell një mesazh paqeje, mëshire e shprese për gjithë Meksikën”.

Një grua tjetër kishte ardhur në Guadalupe për të dëgjuar mesazhin e Papës e për t’iu lutur Zojës ta mbrojë familjen e saj e të gjitha familjet e vendit, në çastin kur po hartohet Kushtetuta e re e Qytetit të Meksikos. I kërkoi Zojës t’i shndrisë qeveritarët që ta mbrojnë familjen dhe jetën. “Familja – thotë ajo – është bërthama e shoqërisë, është shqetësimi i vërtetë i popullit meksikan”.

 Një meshtar kujtoi shpjegimin e Atit të Shenjtë, sipas të cilit, “guadalupani” i vërtetë u qëndron pranë të vegjëlve, atyre që s’kanë zë. Feja do të thotë ta kuptosh se pushteti i vërtetë është shërbimi ndaj të përvuajturve e të varfërve.

Për një grua tjetër, vizita e Papës është çast i veçantë për kombin, i cili është i varfër jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht e është pikërisht kjo lloj varfërie, që ta shuan shpresën. Shumë të rinj po largohen nga Zoti e bien në rrjetin e së keqes. “Papa vjen të na kujtojë se kemi një Nënë që na ngushëllon e na jep forcë për të rifilluar rrugën e re. Na këshillon të mos jemi indiferentë, por të ndërtojmë të mirën. Ky është mesazh i madh për ne”.

Së fundi, një meshtar tjetër pohoi se prania e Papës në Meksikë “është dhuratë e Zotit, dhuratë e bukur, bekim, që u sjell shpresë të vuajturve. Është kohë e rëndësishme për të pranuar hirin e Tënzot”.








All the contents on this site are copyrighted ©.