2016-02-13 11:13:00

Përqafimi i Papa Françeskut me Kirillin: uniteti krijohet në ecje


Takim historik, ndërmjet vëllezërish. Kështu ishte takimi i mbrëmshëm, gjatë të cilit Papa Françesku dhe Patriku i Moskës e i gjithë Rusisë, Kirill, u përqafuan, në aeroportin e Havanës, në Kubë. Takim tejet i rëndësishëm. Dy orë bisedimi privat, shkëmbim i dhuratave (Papa i dhuroi Patrikut një relikuar me reliken e Shën Qirilit dhe një kelk; Patriku, një kopje, më të vogël se origjinali, të Zojës së Kazanit), e pastaj, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët. “Uniteti krijohet në ecje” tha Papa, para takimit. Në përfundim, nisja e avionit papnor drejt Meksikës.

Hynë të dy njëherësh, u ulën pranë e pranë për nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët, në përfundim të takimit privat: një çast vërtet emocionues, në të cilin Françesku e Kirilli u përqafuan përsëri, ashtu siç bënë edhe në fillim. Dy orë bisedimi, përmbledhur shkurtimisht nga Papa e Patriku, në të cilin të dy ripohuan vëllazërimin e të dyja Kishave:

Hablamos como hermanos, tenemos el mismo bautismo, somos obispos...

Folëm si vëllezër, tha Papa, kemi të njëjtin Pagëzim, jemi ipeshkvij. Folëm për Kishat tona, ramë dakord se uniteti krijohet në ecje, folëm qartë, pa gjysma fjalësh. Ju rrëfej, vijoi Papa, se ky dialog ma ngushëlloi shpirtin. Françesku, më pas, e falënderoi Kirillin për përvujtërinë vëllazërore dhe për dëshirën e fortë të unitetit, duke nënvizuar se gjatë bisedimit, dolën një sërë nismash, sipas gjykimit të tij, të mundshme e të realizueshme. E më pas e falënderoi fort popullin kuban dhe presidentin e tij, Raul Kastro, i pranishëm në aeroport, për gatishmërinë e tyre:

... si sigue así, Cuba será la capital de la unidad...

“Nëse vijohet kështu, shtoi Papa, Kuba do të jetë kryeqytet i unitetit”.

Unitet ndërmjet dy Kishave, e quajti edhe Kirilli, që foli për një diskutim vëllazëror me mirëkuptim të plotë e me përgjegjësi për të dyja Kishat, si dhe për ardhmërinë e krishterimit. Fjalim i pasur me përmbajtje, saktësoi, që krijoi kushtet për t’u kuptuar e për t’i dëgjuar qëndrimet reciproke. Të dyja Kishat, përfundoi Kirilli, mund të punojnë së bashku, që të mos ketë më luftë, që jeta njerëzore të respektohet, që të fuqizohen bazat e moralit të familjes e të njeriut.

Pëfundoi, kështu, një takim historik, realizuar për vullnet të Zotit, sipas  pohimit të Françeskut, i cili e quajti disa herë Kirillin “vëlla”, fjalë të cilave Patriku iu përgjigj me të njëjtën përzemërsi: “Pavarësisht nga vështirësitë, pati thënë para se të fillonte takimi, mund të bisedojmë. E kjo është vërtet gjë e bukur!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.