2016-02-13 14:49:00

Përqafimi i Françeskut me Kirillin: uniteti krijohet në ecje


Historik, ndërmjet vëllezërish, takimi, gjatë të cilit Papa Françesku dhe Patriku i Moskës e i gjithë Rusisë, Kirill, u përqafuan, në aeroportin e Havanës, në Kubë, më 12 shkurt.

“Tejet i rëndësishëm dhe i përzemërt, nisi me një përqafim e me fjalët e Papës: ‘vëlla më në fund’. Na duket si pikarritje, e njëkohësisht edhe si pikënisje, në udhën e unitetit, ky mirëkuptim jashtëzakonisht i çmuar”. Kështu shprehet drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, në një intervistë dhënë TV2000, në lidhje të drejtpërdrejtë me Aeroportin Ndërkombëtar Josè Martì të Havanës, gjatë transmetimit të posaçëm “Ditari i Papës Françesku”, duke folur për takimin e Papës me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusisë.

Ne, pohon atë Lombardi, kërkuam t’i themi Papës të rrijë i qetë, të pushojë në shtegtimin ndërmjet Kubës e Meksikës, por ai është plot entuziazëm e gëzim, pas këtij takimi, e, prej këndej, deshi të ketë pa tjetër edhe një takim me ne, për të na shprehur gëzimin e për të na thënë atë, që kishte në zemër. Shenjtëri, faleminderit njëmijë herë!

Papa Françesku:

Mirëmbrëma. Besoj se me Deklaratën, që morët [Deklarata e përbashkët me Patrikun Kirill] keni punë për gjithë natën, e edhe për nesër! Prandaj nuk po shkëmbejmë pyetje-përgjigje. Por dëshiroj t’ju shpreh ndjenjat e mia.

Para së gjithash, ndjenjën e mirënjohjes për mikpritjen e gatishmërinë e Presidentit Castro. Kisha folur me të për këtë takim, një herë tjetër, e më pati thënë se ishte gati të bënte gjithçka, gjë që edhe e pamë në përgatitjen e këtij takimi. E duhet ta falënderojmë për këtë.

Së dyti: me Patrikun Kirill pata një bisedë ndërmjet vëllezërish. Folëm për disa pika të qarta, që na shqetësojnë të dy. Me sinqeritet të plotë. Unë  e ndjeva veten si të isha para një vëllai, e edhe ai më tha të njëjtën gjë. Dy ipeshkvij, që flasin për situatën e Kishave të tyre. Kjo, së pari. E, së dyti, për situatën në botë, për luftërat, luftëra që tani  mund të krijojnë një rrezik të ri, të mos jenë më copa-copa, por t’i përfshijnë të gjithë. E folëm edhe për situatën e Ortodoksisë, për Sinodin e afërt panortodoks… Po unë po ju them, me të vërtetë, ndjeja një gëzim shpirtëror, që vinte pikërisht nga Zoti. Ai fliste lirisht, e edhe unë lirisht. Ndjehej gëzimi. Përkthyesit ishin shumë të mirë, të dy. Ishte bisedë me gjashtë sy: Patriku Kirill, unë, Hirësia e Tij, Metropoliti Hilarion dhe Hirësia e Tij,  Kardinali Koch, si dhe dy përkthyesit. Flitej krejt lirisht. Flisnim ne të dy, e edhe të tjerët, në se u drejtohej ndonjë pyetje.

Së treti, u hartua një program për veprimtari të mundshme të përbashkëta,  sepse uniteti të bën të ecësh. Një herë pata thënë se uniteti bëhet në studio; duke studiuar teologjinë e të tjerat, ndoshta vjen vetë Zoti e ne jemi akoma duke bërë unitetin. Uniteti bëhet duke ecur, duke ecur, që të paktën, kur të vijë Zoti, të na gjejë duke ecur.

Pastaj nënshkruam këtë Deklaratë, që ju e keni në dorë: do të ketë shumë interpretime, shumë. Por, nëse keni ndonjë dyshim, atë Lombardi mund t’ju thotë kuptimin e vërtetë. Nuk është Deklaratë politike, nuk është Deklaratë sociologjike, është deklaratë baritore, edhe kur flitet për shekullarizimin  e për gjëra të tjera të qarta, për manipulimin biogjenetik e për të gjitha këto gjëra. Por gjithsesi, është baritore; e dy ipeshkvijve,  që u takuan me shqetësim baritor. E unë mbeta shumë i lumtur. Tani më presin 23 kilometra rrugë në papamobil të hapur…

Ju falënderoj shumë për punën tuaj: bëni ç’të mundni! Faleminderit shumë, faleminderit!

Por të rikthehemi përsëri tek ngjarja e madhe:

“Dy orë bisedimi privat, shkëmbim i dhuratave (Papa i dhuroi Patrikut një relikuar me reliken e Shën Qirilit dhe një kelk; Patriku, një kopje, më të vogël se origjinali, të Zojës së Kazanit), e pastaj, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët. “Uniteti krijohet në ecje” tha Papa, para takimit. Në përfundim, nisja e avionit papnor drejt Meksikës.

Hynë të dy njëherësh, u ulën pranë e pranë për nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët, në përfundim të takimit privat: një çast vërtet emocionues, në të cilin Françesku e Kirilli u përqafuan përsëri, ashtu siç bënë edhe në fillim. Dy orë bisedimi, përmbledhur shkurtimisht nga Papa e Patriku, në të cilin të dy ripohuan vëllazërimin e të dyja Kishave:

Hablamos como hermanos, tenemos el mismo bautismo, somos obispos...

Folëm si vëllezër, tha Papa, kemi të njëjtin Pagëzim, jemi ipeshkvij. Folëm për Kishat tona, ramë dakord se uniteti krijohet në ecje, folëm qartë, pa gjysma fjalësh. Ju rrëfej, vijoi Papa, se ky dialog ma ngushëlloi shpirtin. Françesku, më pas, e falënderoi Kirillin për përvujtërinë vëllazërore dhe për dëshirën e fortë të unitetit, duke nënvizuar se gjatë bisedimit, dolën një sërë nismash, sipas gjykimit të tij, të mundshme e të realizueshme. E më pas e falënderoi fort popullin kuban dhe presidentin e tij, Raul Kastro, i pranishëm në aeroport, për gatishmërinë e tyre:

... si sigue así, Cuba será la capital de la unidad...

“Nëse vijohet kështu, shtoi Papa, Kuba do të jetë kryeqytet i unitetit”.

Unitet ndërmjet dy Kishave, e quajti edhe Kirilli, që foli për një diskutim vëllazëror me mirëkuptim të plotë e me përgjegjësi për të dyja Kishat, si dhe për ardhmërinë e krishterimit. Fjalim i pasur me përmbajtje, saktësoi, që krijoi kushtet për t’u kuptuar e për t’i dëgjuar qëndrimet reciproke. Të dyja Kishat, përfundoi Kirilli, mund të punojnë së bashku, që të mos ketë më luftë, që jeta njerëzore të respektohet, që të fuqizohen bazat e moralit të familjes e të njeriut.

Pëfundoi, kështu, një takim historik, realizuar për vullnet të Zotit, sipas  pohimit të Françeskut, i cili e quajti disa herë Kirillin “vëlla”, fjalë të cilave Patriku iu përgjigj me të njëjtën përzemërsi: “Pavarësisht nga vështirësitë, pati thënë para se të fillonte takimi, mund të bisedojmë. E kjo është vërtet gjë e bukur!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.