2016-02-13 00:00:00

Papa Françesku meksikanëve: jini protagonistë të fatit tuaj


“Të dashur vëllezër meksikanë, jeni në zemrën time, t’ia besojmë jetën tonë Virgjërës së Guadalupes, kështu që ajo të mos reshtë së na shikuari me butësi”: me këtë tweet Papa Françesku e nisi ditën e tij në Meksikë, pas turmës së popullit që i dha mirëseardhjen, dje, posa mbërriti në kryeqytet. Ngjarja e parë e ditës së sotme, është ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në Pallatin Kombëtar, takimi me presidentin Pena Nieto, me autoritet tjera që përfaqësojnë shoqërinë civile e me trupin diplomatik në vend.

Pastaj, dita vijon, me takimin, në Katedrale, me ipeshkvijtë meksikanë. Ngjarja më e pritur e ditës së sotme është vizita në shenjtëroren e Zojës së Bekuar të Guadalupe-s, ku Papa kremton Meshën e parë të këtij udhëtimi apostolik.

Po t’i kthehemi pritjes ceremonisë së mirëseardhjes në Pallatin Kombëtar të Qytetit të Meksikos, e t’i përshkojmë fjalët e Papës Bergoglio në takimin e parë në tokën meksikane, atë me autoritetet, me shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik.

“Është gëzim i madh – u tha Papa Françesku – të shkel në këtë tokë meksikane, që zë vend të veçantë në zemër të dy Amerikave”. Vij si misionar i mëshirës dhe i paqes, sqaroi menjëherë qëllimin e shtegtimit Ati i Shenjtë Bergoglio, por edhe si bir, që dëshiron t’i bëjë homazhe nënës së vet, Zojës së Guadalupes.

Pasuria kryesore e Meksikës së sotme ka fytyrë të re

Më pas, Papa Françesku përshëndeti popullin e Meksikës dhe vuri në dukje pasuritë e shumta natyrore, pozicionin e privilegjuar gjeografik, trashëgiminë e kulturave të popujve, që banojnë në këtë vend:

“Mendoj e guxoj të them se pasuria kryesore e Meksikës së sotme ka fytyrë të re; po, janë të rinjtë e saj. Pak më shumë se gjysma e popullsisë përbëhet nga të rinj. Kjo na lejon të mendojmë e të projektojmë të ardhmen, të nesërmen. Kjo i jep shpresë dhe horizont së ardhmes. Një popull i pasur me rini është popull i aftë të rinovohet, të shndërrohet; është ftesë për ta hedhur me entuziazëm vështrimin drejt së ardhmes e, njëkohësisht, ftesë që na sfidon pozitivisht në të tashmen”.

Qytetarët të jenë protagonistë të fatit të tyre

E mira e përbashkët, sipas Papës Françesku, është sfida e së tashmes. Përvoja tregon se vetëm njerëzit e ndershëm e të drejtë e jo ata, që kërkojnë rrugë të lehta e të privilegjuara në dëm të të tjerëve, arrijnë ta përballojnë këtë sfidë. Përndryshe i hapet rruga trafikut të drogës, mënjanimit të kulturave që nuk i pëlqejnë shumicës, dhunës e trafikut të njerëzve, denoncoi Ati i Shenjtë. Kultura e lashtë dhe kapitali njerëzor i Meksikës, nënvizoi Papa, janë në gjendje të frymëzojnë politikanët e sotëm, duke filluar nga të krishterët, që t’ia kushtojnë jetën “një politike vërtet njerëzore”. Pastaj, thirrja:

“Përgjegjësve të jetës shoqërore, kulturore e politike, u takon veçanërisht, të punojnë për t’u ofruar të gjithë qytetarëve mundësinë për të qenë protagonistë të denjë të fatit të tyre, në familje e në të gjitha fushat e zhvillimit të veprimtarisë shoqërore, duke i ndihmuar të gjejnë mënyrën për të pasur të mirat materiale e shpirtërore të domosdoshme: banesë të përshtatshme, punë të denjë, ushqim, drejtësi të vërtetë, siguri efektive, ambient të shëndetshëm e paqësor”.

Nuk është vetëm çështje ligjesh, ngriti zërin Papa Françesku. Sipas tij, duhen formuar ndërgjegjet, që secili, duke respektuar plotësisht të tjerët, të marrë përsipër përgjegjësinë e vet për zhvillimin e kombit. Ati i Shenjtë siguroi se Kisha Katolike, si gjithnjë, do të impenjohet “në shërbim të çështjes fisnike të ndërtimit të qytetërimit të dashurisë”. Udhëtimi i Papës në Meksikë filloi me Françeskun, që në fund të fjalimit të tij të parë, e vuri veten nën vështrimin amnor të shën Marisë, Zojës së Guadalupes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.