2016-02-12 19:19:00

Katolikët e ortodoksët të bashkuar përballë sfidave të botës. Teksti i deklaratës


“Gëzim i madh për takimin, kemi folur me çiltërsi”. Papa Françesku takon gazetarët në avion pas fluturimit nga Kuba në drejtim të Meksikës: “Deklarata e përbashkët nuk është politike, nuk është sociologjike, është deklaratë baritore duke përfshirë edhe aty ku flitet për shekullarizimin e për manipulimin biogjenetik”. Mirënjohje për rolin e Raul Castro-s. Në vijim teksti plotë i Deklaratës së përbashkët firmosur në Havanë nga Papa Françesku e Patriarku Kirill ka 30 pika.

“Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkimi me Shpirtin Shenjt qofshin me ju të gjithë” (2 Kor 13,13)

1. Për vullnet të Hyjit Atë, nga i cili vjen çdo dhuratë, në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit e me ndihmën e Shpirtit Shenjt Ngushëllues, ne, Papa Françesku e Kirilli, Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë, u takuam sot, në Havanë. Falënderojmë Hyjin, lumnuar në Trininë Shenjte, për këtë takim, i pari në histori.

Me gëzim u rigjetëm si vëllezër në fenë e krishterë, që takohen për të “folur gojarisht” (2 Gjn 12) si i flet zemra-zemrës e për të diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kishave, për problemet themelore të besimtarëve tanë e perspektivat e zhvillimit të qytetërimit njerëzor.

2. Takimi ynë vëllazëror u bë në Kubë, në udhëkryq ndërmjet Veriut e Jugut, Lindjes e Perëndimit. Nga ky ishull, simbol i shpresave të “Botës së Re” e ngjarjeve dramatike të historisë së shekullit XX, ia drejtojmë fjalën tonë të gjithë popujve të Amerikës Latine dhe të Kontinenteve të tjera.

Gëzohemi që feja e krishterë po rritet e po fiton gjallëri të re. Potenciali i fuqishëm fetar i Amerikës Latine, tradita e saj shekullore kristiane, realizuar përmes përvojës personale të mijëra njerëzve, janë garanci e një ardhmërie të madhe për këtë zonë.

3.Takohemi larg kundërshtive të lashta të “Botës së vjetër”: e ndjejmë me forcë të veçantë nevojën e një pune të përbashkët ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, të thirrur, me ëmbëlsi e respekt, për t’i dhënë llogari botës për shpresën, që është në ne (cfr 1 Pt 3,15).

4. Ta falënderojmë Zotin për dhuratat, që morëm nga ardhja në botë e Birit të Tij. Ta ndajmë Traditën e përbashkët shpirtërore të mijëvjeçarit të parë të krishterimit. Dëshmitarë të kësaj tradite janë Nëna e Shenjtnueshme e Zotit, Virgjëra Mari dhe Shenjtorët, që i nderojmë. Ndërmjet tyre, një mori martirësh, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e u bënë farë e të krishterëve.

5. Pavarësisht nga kjo traditë e përbashkët e shekujve të parë, katolikëve e ortodoksëve, gati prej një mijë vjetësh, u mungoi bashkimi në Eukaristi. U ndamë nga plagët, që hapën konfliktet e së kaluarës së largët e të afërme, nga mosmarrëveshjet e trashëguara nga të parët tanë, në  kuptimin  e në ushtrimin e besimit tonë në Zotin, një i vetëm në Tri Vetje – Ati, Biri e Shpirti Shenjt. E dënojmë humbjen e unitetit, pasojë e ligështisë njerëzore dhe e mëkatit, që ndodhi megjithë Lutjen meshtarake të Krishtit Shëlbues: “Që të gjithë të jenë një gjë e vetme. Si ti, o Atë je në mua e unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne një gjë e vetme” (Gjn 17,21).

6. Të vetëdijshëm për vazhdimësinë e pengesave të panumërta, urojmë që takimi ynë të ndihmojë për rivendosjen e këtij uniteti të dëshiruar nga Zoti, për të cilin u lut Krishti. Urojmë që takimi ynë t’i frymëzojë të krishterët e mbarë botës t’i luten përsëri Zotit me gjithë zemër për bashkimin e plotë të të gjithë dishepujve të Tij. Në një botë, që pret nga ne jo vetëm fjalë, por gjeste konkrete, ky takim qoftë shenjë shprese për të gjithë njerëzit vullnetmirë!

7. Të vendosur për të bërë gjithçka është e nevojshme për t’i kapërcyer divergjencat historike që trashëguam, duam t’i bashkojmë përpjekjet tona për ta dëshmuar Ungjillin e Krishtit dhe trashëgiminë e përbashkët të Kishës së mijëvjeçarit të parë, duke iu përgjigjur së bashku sfidave të botës bashkëkohore. Ortodoksë e katolikë duhet të mësohen të japin dëshmi të njëzëshme për të vërtetën, në fushat ku kjo është e mundur dhe e nevojshme. Qytetërimi njerëzor ka hyrë në një periudhë ndryshimesh epokale. Ndërgjegjja jonë e krishterë dhe përgjegjësia baritore nuk na lejojnë të rrimë duarkryq përballë sfidave, që kërkojnë përgjigje të përbashkët.

8. Shikimi ynë drejtohet, në radhë të parë, drejt zonave të botës, ku të krishterët janë viktima të persekutimeve. Në shumë vende të Lindjes së Mesme e të Veriut të Afrikës, vëllezërit e motrat tona në Krishtin shfarosen me familje, fshatra e qytete të tëra. Kishat e tyre rrënohen e plaçkiten barbarisht, objektet e tyre të shenjta dhunohen, monumentet kthehen në gërmadhë. Në Siri, Irak e në vendet tjera të Lindjes së Mesme, vërejmë me dhimbje ikjen masive të të krishterëve nga tokat, ku nisi të përhapet feja jonë e ku ata jetuan që nga kohët e apostujve, njëherësh me bashkësitë e tjera fetare.

9. I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të veprojë urgjentisht për të parandaluar dëbimet e reja të të krishterëve të Lindjes së Mesme. Duke ngritur zërin në mbrojtje të të krishterëve të persekutuar, dëshirojmë të shprehim dhembshurinë tonë për vuajtjet e pësuara nga besimtarët e traditave të tjera  fetare, edhe ata viktima të luftës civile, të kaosit terrorist.

10. Në Siri e në Irak dhuna ka shkaktuar tashmë mijëra viktima, duke lënë miliona njerëz pa strehë e pa kurrfarë pasjeje. E nxisim bashkësinë ndërkombëtare të bashkohet për t’i dhënë fund dhunës e terrorizmit dhe njëkohësisht, për të kontribuar përmes dialogut në rivendosjen e paqes civile. Është themelore të sigurohen ndihmat humanitare në shkallë të  gjerë për popullsitë e martirizuara si dhe për refugjatët e shumtë në viset fqinje.

U kërkojmë të gjithë atyre që mund të ndikojnë mbi fatin e njerëzve të rrëmbyer, ndërmjet të cilëve, Metropolitët e Halebit, Pali e Gjoni Ibrahim, të rrëmbyer në muajin prill 2013, të bëjnë ç’është e nevojshme për lirimin e tyre të shpejtë.

11. I lartojmë lutjet tona Krishtit, Shëlbuesit të Botës, për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, si “fryt i drejtësisë” (cfr Is 32,17), për fuqizimin e bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet popullsive të ndryshme, Kishave e feve të pranishme, për rikthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre, për shërimin e të plagosurve e pushimin në paqe të shpirtrave të njerëzve të pafajshëm, të vrarë.

U drejtojmë një thirrje të flaktë të gjitha palëve, që mund të kenë gisht në konflikte, të tregojnë vullnet të mirë e të ulen në tryezën e bisedimeve. Njëkohësisht është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të bëjë çdo përpjekje të mundshme për t’i dhënë fund terrorizmit me ndihmën e veprimtarive të përbashkëta, të bashkërenditura e të koordinuara. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve, që marrin pjesë në luftën kundër terrorizmit, të veprojnë me përgjegjësi e  maturi. I nxisim të gjithë të krishterët  dhe të gjithë besimtarët në Zotin, ta lusin me gjithë shpirt Zotin Krijues të botës, që ta mbrojë krijesën e tij nga shkatërrimi e të mos lejojë një luftë të re botërore. Që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme, duhen bërë përpjekje për rizbulimin e vlerave të përbashkëta, që na bashkojnë, të bazuara mbi Ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

12. Përkulemi para martirizimit të atyre, që me çmimin e jetës, e dëshmojnë të vërtetën e Ungjillit, duke pranuar më mirë vdekjen, sesa  mohimin e Krishtit. Besojmë se këta martirë të kohës sonë, që u përkasin Kishave të ndryshme, por që bëhen një përmes vuajtjes së përbashkët, janë peng i bashkimit të të krishterëve. E pikërisht juve, që vuani për Krishtin, ju drejtohet fjala e Apostullit: “Gëzohuni, në atë masë që merrni pjesë në mundimet e Krishtit, gëzohuni, që edhe në zbulesën e lumnisë së tij, të mund të gëzoni e të galdoni” (1 Pt 4, 12-13).

13. Në këtë epokë të shqetë, dialogu ndërfetar është i domosdoshëm. Ndryshimet në kuptimin e të vërtetave fetare, nuk duhet t’i pengojnë njerëzit me fe të ndryshme të jetojnë në paqe e harmoni. Në rrethanat aktuale, liderët fetarë kanë përgjegjësi të posaçme në edukimin e besimtarëve të vet me frymën e respektit për bindjet e atyre, që u përkasin traditave  të ndryshme fetare. Janë absolutisht të papranueshme përpjekjet për t’i përligjur veprimet kriminale me parulla fetare. Asnjë krim nuk mund të kryhet në emër të Zotit, “sepse Zoti nuk është Perëndi i çrregullimit, por i paqes” (1 Kor 14,33).

14. Duke pohuar vlerën e lartë të lirisë fetare, e falënderojmë Zotin për përtëritjen e paparë të fesë së krishterë, që vërehet sot në Rusi e në shumë vende të Evropës lindore, ku regjimet ateiste sunduan për dhjetra vjet. Sot zinxhirët e ateizmit militant u copëtuan e, në shumë vende, të krishterët mund ta praktikojnë tashmë lirisht fenë e tyre. Në një çerek shekulli, u ngritën dhjetra mijëra Kisha të reja, u hapën qindra manastire e shkolla teologjike. Bashkësitë e krishtera çojnë përpara veprimtari të shumta bamirëse e shoqërore, duke u dhënë ndihma nga më të ndryshmet nevojtarëve. Ortodoksë e katolikë shpesh herë punojnë krah për krah. Ata vërtetojnë ekzistencën e bazave të përbashkëta shpirtërore të bashkëjetesës  njerëzore, duke dëshmuar vlerat e Ungjillit.

15. Njëkohësisht shqetësohemi për situatën në shumë vende, në të cilat të krishterët ndeshen gjithnjë më shumë me kufizimin e  lirisë fetare, të së drejtës për t’i dëshmuar bindjet e tyre dhe të mundësisë për të jetuar në përkim me to. Posaçërisht vërejmë se shndërrimi i disa vendeve në shoqëri të shekullarizuara, për të cilat Zoti dhe të vërtetat e Tij janë të huaja, përbëjnë një kërcënim të rrezikshëm për lirinë fetare. Është për ne burim shqetësimi, kufizimi i sotëm i të drejtave të të krishterëve, për të mos folur këtu për diskriminimin e tyre, kur disa forca politike, të udhëhequra nga ideologjia e shekullarizimit, shpesh herë agresiv, kërkojnë t’i mbyllin në skutat e jetës publike.

16. Procesi i integrimit evropian, i nisur pas shekujve të konflikteve të përgjakshme, u prit nga shumëkush me shpresë, si garanci për paqen e sigurinë. Gjithsesi, ftojmë për vigjilencë kundër integrimit, që nuk respekton identitetet fetare. Duke e pranuar kontributin, që i japin  fetë e tjera qytetërimit tonë, jemi të bindur se Evropa duhet të vijojë t’u qëndrojë besnike rrënjëve të veta të krishtera. U kërkojmë të krishterëve të Evropës lindore e perëndimore të bashkohen për ta dëshmuar së bashku Krishtin  e Ungjillin, në mënyrë që Evropa ta ruajë shpirtin e saj, të formuar prej dymijë vjetësh nga tradita e krishterë.

17. Sytë tanë drejtohen kah njerëzit, që kalojnë çaste vështirësish të mëdha, që jetojnë në kushte nevojash të jashtëzakonshme, që janë krejtësisht të varfër, ndërsa shtohen gjithnjë më shumë pasuritë materiale të njerëzimit. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë fatit të miliona  emigrantëve dhe refugjatëve, që trokasin në portat e vendeve të pasura. Konsumi i shfrenuar, siç vërehet në disa nga vendet e zhvilluara, po i shterron gradualisht burimet e Planetit tonë. Pabarazia në rritje në shpërndarjen e pasurive tokësore, e thellon ndjenjën e padrejtësisë përballë sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, që është vendosur.

18. Kishat e krishtera janë të thirrura t’i mbrojnë kërkesat e drejtësisë, të respektit ndaj traditave të popujve si dhe të solidaritetit të  vërtetë me të gjithë ata, që vuajnë. Ne, të krishterët, nuk duhet të harrojmë se “Zoti zgjodhi të marrët për sytë e botës, për t’i turpëruar të mençurit, Zoti zgjodhi të ligshtit në sytë e botës, për t’i ngatërruar të fortët, Zoti zgjodhi çka në botë është e përbuzur dhe e poshtëruar, e çka s’ka kurrfarë vlere, për t’i asgjësuar gjërat, që janë, që askush të mos mburret para Hyjit” (1 Kor 1,27-29).

19. Familja është qendra natyrore e jetës njerëzore dhe e shoqërisë. Shqetësohemi për shkak të krizës së familjes në shumë vende. Ortodoksë e katolikë kanë të njëjtin koncept për familjen e janë të thirrur të tregojnë se ajo është udhë shenjtërie, që dëshmon besnikërinë e bashkëshortëve në marrëdhëniet reciproke, dëshirën për të krijuar jetë të re e për t’i edukuar fëmijët, solidaritetin ndërmjet breznive dhe respektin ndaj më të ligshtëve.

20. Familja bazohet mbi martesën, akt i lirë e besnik i dashurisë së një burri me një grua. Është dashuria ajo, që vulos bashkimin e tyre dhe u mëson ta pranojnë njëri-tjetrin, si dhuratë. Martesa është shkollë e dashurisë dhe e besnikërisë. Shprehim keqardhjen tonë që format e tjera të martesës vihen tashmë në të njëjtin nivel me këtë bashkim, ndërsa koncepti i atësisë e i amësisë, si thirrje e veçantë e burrit dhe e gruas në martesë, shenjtëruar nga tradita biblike, përjashtohet nga ndërgjegjja publike.

21. Kërkojmë nga të gjithë ta respektojnë të drejtën e pamohueshme për jetën. Miliona fëmijëve u mohohet deri e drejta për të lindur në botë. Zëri i gjakut të fëmijëve të palindur bërtet aq, sa të arrijë para fronit të Zotit (cfr Zan 4,10).

Zhvillimi i të ashtuquajturës eutanazi bën që njerëzit e moshuar e të sëmurë të nisin e ta shikojnë veten si barrë të rëndë për familjet e tyre e edhe për shoqërinë, në përgjithësi.

Shqetësohemi edhe për teknikat e lindjes të asistuar mjekësisht, sepse manipulimi i jetës njerëzore është sulm kundër bazave të jetës së njeriut, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit. Besojmë se e kemi për detyrë të kujtojmë pandryshueshmërinë e parimeve morale të krishtera, bazuar mbi respektin dhe dinjitetin e njeriut, të thirrur për t’i hapur rrugën jetës, sipas planit të Krijuesit.

22. Sot dëshirojmë t’u drejtohemi posaçërisht të rinjve të krishterë. Ju, të rinj, e keni për detyrë të mos i fshihni talentet nën tokë (cfr Mt 25,25), por t’i përdorni të gjitha aftësitë, që Zoti ju dha, për të përforcuar në botë të vërtetat e Krishtit e për t’i mishëruar në jetën tuaj urdhërimet ungjillore të dashurisë për Zotin e për të afërmin. Mos kini frikë të shkoni kundër rrymës, duke mbrojtur të vërtetën e Zotit, nga e cila normat shekullare largohen gjithnjë më shumë.

23. Zoti ju do e pret nga secili prej jush të jeni dishepujt dhe apostujt e Tij. Të jeni drita e botës, në mënyrë që kush ju rrethon, duke parë veprat tuaja të mira, t’i japë lumni Atit tuaj, që është në qiell (cfr Mt 5,14,16). Edukojini bijtë tuaj në fenë e krishterë, transmetojuni margaritarin e çmuar të fesë (cfr Mt 13, 46) që  e morët nga prindërit tuaj e nga të parët tuaj! Kujtojuni se u bletë me çmim shumë të lartë” (1 Kor 6,290), me çmimin e vdekjes në kryq të Njeriut-Zot, Jezu Krishtit.

24. Ortodoksë e katolikë janë të bashkuar jo vetëm nga Tradita e përbashkët e Kishës së mijëvjeçarit të parë, por edhe nga misioni për të predikuar Ungjillin e Krishtit në botën e sotme. Ky mision kërkon respekt reciprok për anëtarët e bashkësisë së krishterë dhe përjashton çdo formë të prozelitizmit.

Nuk jemi konkurrentë, por vëllezër, e nga ky koncept duhet të udhëhiqen të gjitha veprimtaritë ndërmjet nesh e me botën e jashtme. I nxisim katolikët dhe ortodoksët e të gjitha vendeve të mësojnë të jetojnë së bashku në paqe e në dashuri e "të kenë njëri për tjetrin të njëjtat ndjenja” (Rom 15,5). Nuk mund të pranohet përdorimi i mjeteve të paligjshme  për t’i  nxitur besimtarët të kalojnë nga njëra Kishë, në tjetrën, duke u mohuar lirinë e tyre fetare, ose traditat e tyre. Jemi të thirrur të vëmë në jetë mësimin e Shën Palit Apostull: “U përpoqa ta shpall Ungjillin jo atje, ku ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoja mbi themelet e të tjerëve” (Rom 15,20).

25. Shpresojmë se takimi ynë do të kontribuojë edhe për pajtimin, atje ku ekzistojnë tensione ndërmjet greko-katolikëve e ortodoksëve. Sot është e qartë se metoda e “uniatizmit” e së kaluarës, e kuptuar si unifikim i një bashkësie me tjetrën, duke e shkëputur nga Kisha e vet, nuk është mënyrë që mundëson unitetin. Gjithsesi, bashkësitë kishtare, të cilat u dukën në këto rrethana historike, kanë të drejtë të ekzistojnë e të kenë gjithçka u duhet për të plotësuar kërkesat shpirtërore të besimtarëve të tyre, duke kërkuar, në të njëjtën kohë, të jetojnë në paqe me të afërmit. Ortodoksë e greko-katolikë kanë nevojë të bashkohen e të gjejnë forma të pranueshme  bashkëjetese.

26.  Dënojmë ndeshjen në Ukrainë, që u shkaktoi shumë viktima dhe plagë të panumërta  banorëve paqësorë, duke e flakur shoqërinë në një krizë të thellë ekonomike e humanitare. I ftojmë të gjitha palët në konflikt për maturi, solidaritet shoqëror dhe veprimtari për të ndërtuar paqen. I ftojmë Kishat tona në Ukrainë të punojnë për harmoninë shoqërore, të mos  pranojnë të marrin pjesë në ndeshje e të mos e mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të konfliktit.

27. Urojmë që skizma ndërmjet besimtarëve ortodoksë të Ukrainës të kapërcehet mbi bazë të normave kanonike ekzistuese, që të gjithë të krishterët ortodoksë të Ukrainës të jetojnë në paqe e në harmoni e që bashkësitë katolike të vendit të japin ndihmesën e tyre, në mënyrë që të dalë sa më në pah vëllazëria jonë e krishterë.

28. Në botën bashkëkohore, shumëformëshe, e megjithatë, me një fat të përbashkët, katolikë e ortodoksë janë të thirrur të bashkëpunojnë vëllazërisht për kumtimin e Lajmit të Mirë të shëlbimit e ta dëshmojnë së bashku dinjitetin moral dhe lirinë e vërtetë të njeriut “që bota të besojë”(Gjn 17,21). Kjo botë, në të cilën zhduken progresivisht bazat shpirtërore të jetës njerëzore, pret nga ne një dëshmi të fortë të krishterë në të gjitha fushat e jetës personale e shoqërore. Nga aftësia jonë për të dhënë së bashku dëshmi të Shpirtit të së vërtetës në këto kohë të vështira, varet shumë ardhmëria e njerëzimit.

29. Në këtë dëshmi të ndritshme të së vërtetës së Zotit e të Lajmit të Mirë shëlbues, na ndihmoftë Njeriu-Zot Jezu Krishti, Zoti ynë e Shëlbuesi ynë, që na përforcon shpirtërisht me premtimin e Tij të pagabueshëm: “Mos ki frikë, grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë e Tij” (Lk 12,32).

Krishti është burim gëzimi e shprese! Besimi në Të e shndërron jetën njerëzore, e mbush përplot me kuptim. Për këtë u bindën, përmes përvojës së tyre, të gjithë ata, që mundën t’i vënë në jetë fjalët e Pjetrit Apostull: “Ju, që një herë e një kohë nuk ishit popull, tani jeni populli i Zotit; ju, që një kohë ishit të përjashtuar nga mëshira, fituat, ndërkaq, mëshirën”. (1 Pt 2,10).

30. Plot me mirënjohje për dhuratën e mirëkuptimit reciprok të shprehur gjatë takimit tonë, shikojmë me shpresë Nënën e Zotit, duke iu lutur me fjalët e kësaj lutjeje të lashtë: “Nën mbrojtjen e mëshirës sate strehohemi, o Nënë e Zotit". E Lumja Virgjëra Mari, me ndërmjetësimin e saj, e inkurajoftë vëllazërimin e atyre, të cilët e nderojnë, që të bashkohen në kohën e caktuar nga Zoti, në paqe e në harmoni, në një popull të vetëm të Zotit, për lumninë e së Shenjtërueshmes e të së Pandarshmes Trini!

 

Ipeshkvi i Romës                                                                                                                                                   Patriku i Moskës

Papa i Kishë katolike                                                                                                                                              e i gjithë Rusisë

                                           

                                                                                                                                                                    12 shkurt 2016, Havanë (Kubë)

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.