2016-02-11 14:34:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Mëkati


Rubrikën e sotme, në kuadrin e reflektimeve tona për Jubileun e Mëshirës, do t’ia kushtojmë “mëkatit” dhe perceptimit të tij nga njeriu.

         Kur të krishterët thonë se janë njerëz të lirë, pak u besojnë e madje, nganjëherë, ka edhe të krishterë që nuk e kuptojnë se janë krejtësisht të lirë. Natyrisht, ka rregulla, që na ndihmojnë të jetojmë së bashku, por njeriu është i lirë të zgjedhë nëse dëshiron t’i ndjekë, të bëhet i mirë, të ndihmojë të tjerët, ose t’ua shkatërrojë jetën me tekat e veta, zilitë e arrogancën.

         Megjithëse diskutohet pa fund, në të vërtetë, të gjithë e dimë se ç’duhet të bëjmë për të qenë të lumtur: të jetojmë në harmoni me të tjerët, të gëzojmë për çdo gjë të bukur që na dhuron jeta, të shohim gjithnjë anën pozitive të ngjarjeve. Por, shpesh jemi të pakënaqur, bëjmë gjëra që na krijojnë vuajtje si ne, ashtu edhe të tjerëve. Pse?

         Ky është misteri i mëkatit, kur zgjedhim gjithçka shkatërron e jo atë, që ndërton e zbukuron. Vetë Zoti na ka sugjeruar ç’duhet të bëjmë për të ndërtuar, na ka dhënë këshilla të sakta si dhjetë Urdhërimet e Tënzot. Në të vërtetë nuk janë urdhëra, nuk parashikojnë dënime e flasin për të ardhmen. Janë udhëzime! Udhëzime për të qenë të lumtur. Edhe Jezusi nuk erdhi për t’i ndryshuar, por i sintetizoi duke na thënë ta lejojmë Zotin të na dojë e ta duam edhe ne, të duam të afërmin, ashtu siç na do Hyji.

         E nëse gaboj? Nëse mëkatoj? Nëse largohem prej Zotit? Mund të ndodhë edhe kjo, por mund të kërkojmë falje, përmes Sakramentit të Pajtimit. E Jubileu i Mëshirës na ndihmon të zgjedhim Ungjillin, ta jetojmë e ta dhurojmë faljen, të zbulojmë dhembshurinë. Mjafton të mendojmë sa e bukur do të ishte bota, nëse në vend të dhunës e të hakmarrjes, njerëzit ta falnin njëri-tjetrin. Një botë, ku nuk fiton arroganti dhe njeriu i dhunës. Por për t’u pajtuar me Hyjin është e rëndësishme ta kuptojmë ku kemi gabuar e ta ndreqim dëmin e bërë me mëkatin tonë. Është një rrugë për të cilën do të flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.