2016-02-11 17:31:00

Vatikani: thirrje për t’i ndihmuar të krishterët në Tokën e Shenjtë


Vatikani: thirrje për t’i ndihmuar të krishterët në Tokën e Shenjtë

“Një detyrë e ‘lashtë’, të cilën historia e këtyre viteve të fundit e ka bërë edhe më urgjente”, kështu kardinali Sandri, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore, kujton në një letër drejtuar ipeshkvijve të gjitha Dioqezave të botës për t’u aktivizuar për Mbledhjen tradicionale të ndihmave për Tokën e Shenjtë, të Premten e Madhe të Pashkëve.

Kështu, Kongregata e Selisë së Shenjtë për Kishat lindore, me rastin e mbledhjes përvitshme të ndihmave për Tokën e Shenjtë, u ka dërguar një letër ipeshkvijve të mbarë botës, për ta mbështetur nismën, nënshkruar nga prefekti i Kongregatës, kardinali Leonardo Sandri, e nga sekretari, imzot Cyril Vasil.  Bëhet i ditur edhe raporti i Rojtarisë së Tokës së Shenjtë mbi projektet dhe veprat që janë realizuar me të ardhurat që janë mbledhur vitin e kaluar.

Duket sikur e Premtja e Madhe e Pashkëve është ditë që “nuk perëndon kurrë në Tokën e Shenjtë, e vijon të jetohet në një kohë të pafund dhune”, lexohet mes tjerash në Letrën e Kongregatës për Kishat Lindore me rastin e Mbledhjes tradicionale të ndihmave, caktuar për të Premten e Madhe, për të krishterët e rajonit.

 “Kolekta (mbledhja e ndihmës) e Premtes së Madhe – lexohet në tekst – ndezë në ne përsëri nevojën e një shprese të sigurt, vështrimin e thellë dhe të vërtetë mbi të keqen që na rrethon, dhe shikon në Tokën e Shenjtë, Lindjen e shëlbimit tonë. Atje janë rrënjët tona, atje zemra jonë: jemi borxhlinj ndaj atyre që nga ato vise janë nisur për t’ia çuar fenë botës; borxhlinj ndaj atyre që kanë mbetur, pavarësisht konflikteve që përherë i kanë munduar, për të dëshmuar fenë, për t’i kuruar gjurmët - të cilat Jezusi i ka lënë – që ne ta prekim me dorë të vërtetën e besojmë-s sonë. Kjo Tokë e thërret dashurinë tonë, bamirësinë tonë për këtë kauzë. Sepse çdo person që jeton e punon atje, ka nevojë për lutjet tona dhe për ndihmën tonë konkrete, për të pasur mbështetjen në veprimtarinë e lehtësimit të plagëve e për vazhduar, me besim e shpresë, punën për rivendosjen e drejtësisë e të paqes” ndër ato popullsi.

“Në këtë vit jubilar jemi të nxitur në një mënyrë të veçantë ta dëshmojmë mëshirën dhe afërsinë tonë me vëllezërit tanë të Lindjes së Mesme. Refugjatë, të pastrehë, të moshuar, fëmijë, të sëmurë kanë nevojë për ne. Në këtë Tokë të Lindjes njerëzit vriten, vdesin, rrëmbehen, jetojnë në ankth për fatin e të dashurve të tyre, vuajnë për familjet  e tyre të shpërndara e të shkatërruara nga emigracioni dhe eksodi. Përjetohet errësira dhe frika e braktisjes, e vetmisë dhe e moskuptimit. Është një kohë e vështirë sprovash e sfidash, është kohë martirizimi...Të gjitha veprat e mëshirshme, të nevojshme e urgjente, ditë për ditë na bëjmë të prekim me dorë se nëse “Zoti nuk e ndërton qytetin, kot janë munduar ndërtimtarët”.

Letra citon Papa Françeskun: “Nuk mund të rrimë indiferent: Zoti nuk është indiferent! Zoti e ka përzemër njerëzimin, Zoti nuk na braktisë!”. E bënë thirrje për ta shtri dorën me bujari ndaj atyre që kanë nevojë për  mbështetjen tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.