2016-02-11 15:59:00

Shenjtëria e Tij, Patriku Kirill


Shenjtëria e Tij Kirill, Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë (në shekull Vladimir Michajlovič Gundjajev) lindi më 20 nëntor 1946, në Lenigrad (sot Shën Petersburg), në familjen e një popi ortodoks. Pas shkollimit  fillor e gjysëm të mesëm, vijoi studimet në Seminar e në Akademinë teologjike të Leningradit. Më 3 prill 1969 mori tonsurën murgare nga Metropoliti i Leningradit e i Novgorodit, Nikodim (Rotov).

Pak ditë më pas u shugurua diakon e, në qershor të të njëjtit vit, edhe prift. Si sekretar personal i metropolitit dhe mësues në Akademi, mori pjesë në veprimtari të shumta të jashtme të Patriarkanës. Si u bë Arkimandrit, në shtator 1971, përfaqësoi  Kishën Ruse pranë Këshillit Ekumenik të Kishave të Federatës Botërore të Rinisë Ortodokse Syndesmos.

Në vitin 1974 u zgjodh Rektor i Seminarit dhe i Akademisë Teologjike të Leningradit e, në mars të vitit 1976, u shugurua peshkop i Vyborgut, mëkëmbës i dioqezës së Leningradit. I emëruar kryepeshkop në shtator 1977, nga viti 1979 është anëtar i Komisionit të Sinodit të Shenjtë për bashkimin e të krishterëve.

Në vitin 1984  u transferua në dioqezën e Smolenskut e më 1989 u emërua kryetar i departamentit të marrëdhënieve me jashtë dhe anëtar i përhershëm i Sinodit të Shenjtë. Më 1991 u zgjodh metropolit. Shuguroi Kishën e parë ortodokse ruse në Romë, më  2006; i pritur në audiencë nga Papa Benedikti XVI, në vitin 2007, më  2008 përuroi, në Havanë Katedralen e Zojës së Kazanit, Kisha e parë ortodokse ruse në Kubë.

I zgjedhur me shumicë votash Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë (27 janar 2009) u fronëzua në katedralen moskovite të Krishtit Shëlbues (1 shkurt 2009); i pranishëm në kremtim, nga ana e Selisë së Shenjtë, kardinali Walter Kasper, Kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.