2016-02-11 11:46:00

Koch: takimi Françesku - Kirill, hap i guximshëm, që do të japë fryte


Hap i guximshëm, që do të sjellë fryte në dialogun ekumenik: kështu pohon kreu i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të krishterëve, kardinali Kurt Koh, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Prelati komenton takimin historik të Papës Françesku me Patriarkun e Moskës e të gjithë Rusive, Kirill, që do të mbahet nesër në Havanë të Kubës. Kujtojmë se për realizimin e këtij takimi është punuar prej kohësh, por ai u lajmërua papritmas më 5 shkurt. Të dëgjojmë intervistën me kardinalin Koch:

Natyrisht, vjen papritur fakti që, për herë të parë në histori, takohen një Patriark ruso-ortodoks dhe Ipeshkvi i Romës, Papë i Kishës universale Katolike, pavarësisht se gjithçka është planifikuar qëkur.

Pse mbahet në Kubë ky takim i rëndësishëm? Pse jo në Evropë? Shumë janë çuditur për këtë…

Duhet të kemi parasysh dy gjëra. Së pari, Ati i Shenjtë, Françesku, gjatë udhëtimit të kthimit nga vizita e tij në Turqi, në Kostandinopojë, tha qartë: “Dëshiroj të takohem me Patriarkun ortodoks Kirill; ai mund të vendosë ku dhe si e unë shkoj”. Prej këndej u verifikua më pas përkimi me udhëtimin e Papës në Meksikë, ndërsa Patriarku kishte në program vizitën në Kubë: pra, u gjet zgjidhja e tanishme. Por, prapaskena është ndryshe e është ajo, që tha mitropoliti Hilarion gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e ngjarjes: pala ortodokse nuk dëshironte që ky takim të mbahej në Evropë, sepse Evropa është kontinenti i Kishave të ndara, ndërsa këto takime nuk synojnë nënvizimin e ndarjeve, por tregojnë kapërcimin e tyre. Prandaj u zgjodh ai vend.

A do të flitet edhe për “temat e nxehta”, për pengesat në udhën e bashkimit të të krishterëve?

Natyrisht, në një fjalim dy orësh nuk mund të flitet për çdo gjë, por sigurisht do të flitet edhe për çështjet, që kanë të bëjnë me dy krerët e Kishave, nga një këndvështrim personal dhe kishtar. Do të flitet për gjendjen në Ukrainë, e cila ka qenë, për shumë kohë, arsyeja e mosorganizimit të takimit nga pala ortodokse. Patriarku ortodoks rus dhe Papa janë të shqetësuar për konfliktin në Ukrainë e për vështirësitë në marrëdhëniet ndërmjet Kishës greko-katolike e Kishave ortodokse. Takimi i nesërm sigurisht, do të hapë rrugën për t’u lidhur me ato Patriarkate ortodokse, me të cilat nuk kemi asnjë marrëdhënie deri tani. Gjithashtu, mund të kontribuojë në marrëdhëniet brenda ortodoksisë, në prag të Koncilit panortodoks, që do të mbahet në qershor, në Kretë.

Ka edhe zëra kundër takimit të Papës me Patriarkun rus. Edhe komentet e greko-katolikëve nuk janë gjithnjë pozitive. Si mendoni ju?

Besoj se Patriarku ruso-ortodoks është thellësisht i vetëdijshëm për këtë atmosferë, për këto reagime e, vullneti për ta realizuar takimin është konfirmimi se ai dëshiron ta bëjë këtë hap të guximshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.