2016-02-09 18:53:00

Thomas Tallis – William Byrd: Art që bashkon!


Kanë kaluar më se pesëqind vjet që kur jetuan e kompozuan Thomas Tallis (rreth 1505- Greenwich 23 nëntor 1585) dhe William Byrd (Lincolnshire, 1539- Stondon Massey 4. 07. 1603) kompozitorë e organistë shumë të njohur në kohët tragjike krijuar gjatë sundimit të Enrikut VIII, që pati si pasojë një përçarje të madhe, e cila vijon deri më sot: shkëputjen e anglikanëve nga Kisha katolike. Pikërisht në këtë kohë, mbreti gjakatar   e dëboi kardinalin Wolsey dhe i këputi marrëdhëniet me Kishën katolike. Lindte, kështu, anglikanizmi, e me të, edhe liturgjia anglikane e reformuar, që u përurua gjatë sundimit të shkurtër të Eduardit VI (1547-1553).
Në këtë kohë të trazuar jetuan dy kompozitorët e mëdhnej anglezë, protagonistë të kremtimit të sontëm ekumenik në Kapelën Mbretërore  Hampton Court Palace, të Londrës ku, 450 vjet pas skizmës anglikane, jehuan përsëri tingujt e liturgjisë sipas ritit latin të Kishës katolike. Talles-i, autor  i veprave më të shquara muzikore të epokës elizabetiane, kompozoi shumë nga Psalmet. Ndërmjet veprave të tij më të shquara, kujtojmë Fantasia on a Theme, Vajtimet e Jeremisë për Javën e Madhe dhe motetin Spem in alium, konceptuar për tetë kore e pesë zëra. Ky kompozim u luajt gjatë kremtimeve për ditëlindjen e  mbretëreshës, më 1573. Kompozimi i këtij moteti frymëzohej nga një motet tjetër, me 40 zëra, titulluar “Ecce beatam lucem”. Duhet kujtuar se kompozimet polifonike vokale me një shtrirje kaq të gjerë, janë jashtëzakonisht të rralla në historinë e muzikës. Kujtojmë edhe se krahas latinishtes, autori nisi të kompozojë edhe tekste në gjuhën angleze.

Tallis mbeti katolik deri në fund të fundit e, megjithatë, u respektua thellësisht nga katër sovranë, të cilëve u shërbeu. E mbrojti arti i tij i madh. Maria katolike i dhuroi një pronë në Kent, që i krijoi kushtet për jetë të qetë e të pavarur, ndërsa Elizabeta e autorizoi atë e Byrd-in të shtypë e të botojë muzikë, një nga autorizimet e para në vend.

Byrd e nisi karrierën në moshë të njomë, si këngëtar i Kapelës mbretërore gjatë sundimit të Maria Tudor (1553-1558). Muzikën e studioi nën drejtimin e Thomas Tallis. Tallis e njohu muzikantin ri me kompozitorët më të famshëm të epokës dhe e shoqëroi në shtegtime të shumta, që i hapën horizonte të reja. Mbretëresha Maria e donte muzikën kishtare në gjuhën latine, prej këndej i krijoi kompozitorit kushtet për të shkruar disa kryevepra. Në vitin 1605 e 1607 botoi në dy vëllimet Gradualia, përmbledhje motetesh për  festat e vitit liturgjik. Sidoqoftë, Byrd jetoi në një periudhë të vështirë për katolikët në Angli, por, me gjithë dënimet e rënda, deri në vdekje, që pësonin katolikët në kohën e tij, vijoi t’i mbetej besnik Katolicizmit e të kompozonte me frymëzim katolik.  Kur Byrd ishte vetëm 18 vjeç, Maria Tudor vdiq. Vendin e saj e zuri Elizabeta I e Anglisë. Ky ndërrim mund t’i kushtonte shumë kompozitorit, që mund edhe të dëbohej nga Oborri. Por për çudi, ndodhi e kundërta: Byrd u emërua organist e mjeshtër kori në katedraen e Linkolnit. Elizabeta e çmonte muzikën e Tallis e të Byrd. Më 1575 Byrd botoi, së bashku me Tallis, Cantiones sacrae, përmbledhje motetesh të mësuesit e të nxënësit. Në përfundim të pesëqindës shkroi edhe tri Meshë, me pesë zëra,  që vijojnë të luhen edhe sot e kësaj dite. Kompozoi edhe muzikë për liturgjinë anglikane  e muzikë me frymëzim kishtar anglikan edhe me shoqërimin e violave e me tekst anglisht. Mbretëresha, që i vlerësonte talentet, më shumë se bindjet,  e pëlqente shumë muzikën e Tallis e të Byrd, që  krijoi, kështu, atë fill të kuq i cili, pas 450 vjetësh, lidhi  liturgjinë katolike me atë anglikane, duke vënë edhe një herë në dukje ndihmesën e pazëvendësueshme të Kishës katolike në zhvillimin e muzikës, me ndikim të fuqishëm e të përhershëm mbi shpirtrat e shijet e njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.