2016-02-08 15:38:00

Françesku do të shtegtojë në Meksikë nga 12 deri më 18 shkurt


Françesku do të shtegtojë në Meksikë nga 12 deri më 18 shkurt, me një etapë në Kubë, për takimin me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusisë, Kirill.

Njoftimin zyrtar për këtë shtegtim e dha vetë Papa më 12 dhjetorin e kaluar,  gjatë Meshës Shenjte, me rastin e Festës së Zojës së Guadalupes, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ndërsa njoftimi për etapën e Kubës u dha më 5 shkurtin e kaluar.

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi edhe programin e këtij shtegtimi apostolik.

Do të jetë një vizitë shumë e ngarkuar me ngjarje, duke nisur nga  arritja në Havanë, në areoportin José Martì, në orën 14.00. Në orën 14.15, në një sallë të Aeroportit, takimi privat i Papës me Patrikun Kirill. Në orën 16.15, shkëmbimi i dhuratave e, më pas, nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët, paraqitja e delegacioneve dhe nisja për në aeroportin ndërkombëtar “Benito Juárez”.

Pason pritja zyrtare e Papës, sapo të shkelë në tokën meksikane, në aeroportin ndërkombëtar “Benito Juárez” të Qytetit të Meksikos, më 12 shkurt, në orën 19.30.

Të nesërmen, e shtunë, 13 shkurt, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, në Pallatin Kombëtar, vizita  tek presidenti i Republikës, takimi me autoritetet, me shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik, të cilëve Papa do t’u drejtojë fjalën.

Gjithnjë paradite, edhe takimi me Ipeshkvijtë e Meksikës, me fjalimin e rastit të Papës e, pasdite, Mesha Shenjte në Bazilikën e Guadalupes, ku Papa do të mbajë homelinë.

Të diel, më 14, pas një udhëtimi të shkurtër me helikopter në Ecatepec,  do të kremtohet Mesha Shenjte në zonën e Qendrës së Studimeve të Ecatepec, me homelinë e Papës dhe kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Pastaj, në orën 12.50, rikthimi, përsëri me helikopter, në Qytetin e Meksikos për vizitën në spitalin pediatrik “Federico Gómez” si dhe takimi me botën e kulturës.            

Mëngjesin e së hënës, 15 shkurt, Papa do të jetë në San Cristóbal de Las Casas për Meshën Shenjte me bashkësitë indiane Chiapas, në Qendrën sportive bashkijake. Pas drekës me përfaqësuesit e indianëve dhe me grupin shoqërues, do të vizitojë Katedralen e San Cristóbal. Ndërsa pranë Stadiumit “Víctor Manuel Reyna” të Tuxtla Gutiérrez, do të takohet me familjet. Në mbrëmje, rikthimi në Qytetin e Meksikos.

Të martën, më 16 shkurt Françesku do të shtegtojë me avion drejt Morelia-s, për Meshën Shenjte me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët. Do të mbajë homelinë dhe do të vizitojë Katedralen. Më pas do të takojë të rinjtë në stadiumin “José María Morelos y Pavón”, për t’u rikthyer në Qytetin e Meksikos.

Të mërkurën, 17 shkurt, Ati i Shenjtë  do të niset për Ciudad Juárez. Pas zbritjes në aeroportin ndërkombëtar “Abraham González”, do të shkojë në burgun vendas për t’i bërë një vizitë të burgosurve. Në orën 12.00, pranë Kolegjit të Bachillere të Shtetit Chihuahua, do të takohet me përfaqësuesit e botës së punës. 

Pasdite, Mesha Shenjte në zonën e panairit të Ciudad Juárez. Në orën 19.15, pas  ceremonisë së lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Ciudad Juárez, rikthimi në Itali, në aeroportin e Romës/Ciampino, ku pritet të arrijë të enjten, 18 shkurt, rreth orës 14,45. 








All the contents on this site are copyrighted ©.