2016-02-06 14:31:00

Papa: Atë Piu, “përkëdhelje” e mëshirës së Zotit për të gjithë


Bota ka nevojë si për bukën, për mëshirën e Zotit, atë mëshirë, së cilës Atë Piu nga Pietrelçina i shërbeu  aq, sa të bëhej për miliona njerëz, përkëdhelje e gjallë e Atit. E pohoi Papa, në prani të dhjetra mijëra njerëzve, pjesëtarë të grupeve të lutjes së Atë Piut, ardhur nga të katër anët e botës në audiencën, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ju jeni, u tha Papa, centrale të mëshirës, që  furnizojnë Kishën e botën me energjinë e dashurisë.

Atë Piu nuk u soll nëpër botë, sepse për të bota kishte përmasat e një rrëfyetoreje e sepse ishte bota ajo, që sillej e vijon të sillet rreth tij, 50 vjet pasi mbylli sytë, për të shijuar gëzimin, që ndjen njeriu, kur vihet në paqe me Zotin. Sepse ai ishte “ledhatim” i Zotit!

Parfumi i faljes

Papa gjeti një shprehje delikate, tejet të ëmbël e në përkim të plotë me Jubileun, për të rikujtuar se Shën Piu nga Pietrelçina njihet edhe atje, ku shpesh nuk dihet gjë prej gjëje për Kishën. Papa fliste para një Sheshi të mbushur sa më s’zinte. Fliste para më se 80 mijë të devoçëmve të atit kapuçin, ardhur prej mijëra viseve. Papamobili i Françeskut u soll   ndërmjet tyre, duke përshkuar gjërë e gjatë Sheshin vigan, para të ngjitej në treme e të vinte në dukje pse Atë Piu rrethohet me gjithë këtë dashuri. Ju ndihmoi, pohoi Françesku, ta zbuloni e ta provoni bukurinë e faljes, një shkencë, nënvizoi, që duhet ta mësojmë ditë për ditë:

“Mund të themi se Atë Piu ishte shërbëtor i mëshirës. Ishte ditë-natë, nganjëherë deri në rraskapitje, në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit, që shëron plagët e mëkatit e freskon zemrën me paqen e tij. Shën Piu nuk u lodh kurrë duke i pritur njerëzit, duke i dëgjuar e duke shkrirë kohë e forca për të përhapur parfumin e faljes së Zotit.

Kush lutet, nuk bën tregti

Forcën për ta jetuar këtë shërbesë të posaçme, kujtoi Papa, Atë Piu e merrte nga jeta e thellë shpirtërore. E kjo forcë ‘u ngjitej’ edhe të tjerëve aq, sa të ndikonte fuqimisht në krijimin e këtyre grupeve të lutjes, që frati i përvuajtur deshi t’i quante “fidanishte feje” e “vatra dashurie”. E kjo, sepse lutja, pohoi Papa, duke cituar atë Piun, është forcë që vë në lëvizje botën:

“Lutja, atëherë, nuk është praktikë e mirë për të vënë sadopak në paqe zemrën. E as mjet devocioni, për të nxjerrë nga Zoti hiret e dëshiruara. Po të qe kështu, do të ishte thjesht pasojë e egoizmit. ‘Epo unë lutem për të qenë mirë, si të merrja një aspirinë: jo, nuk është kështu. Lutja është tjetër gjë! Është vepër mëshire shpirtërore, që dëshiron ta çojë gjithçka në zemrën e  Zotit”.

Lutja bën mrekulli

Françesku gjeti edhe shprehje të tjera, për të hyrë sa më thellë në shpirtin e atyre, që e ndjejnë pushtetin e lutjes. Është kyç, që hap zemrën e Zotit, kyç i kollajshëm, i zakonshëm mbasi, shpjegoi, zemra e Zotit nuk është e blinduar me mjete të panumërta sigurie, sepse është thjesht zemër ati. E prej këndej:

“… grupet e lutjes janë centrale mëshire, centrale përherë të hapura, që përmes pushtetit të përvuajtur të lutjes, furnizojnë botën me dritën e Zotit e Kishën, me energjinë e dashurisë. Të jeni gjithnjë apostuj gazmorë të lutjes, i ftoi të pranishmit Papa. Lutja bën mrekulli. Apostullimi i uratës bën mrekulli!”.

Pranë  e pranë të sëmurëve

Nëse grupet e lutjes së Atë Piut janë mëshirë shpirtërore e mishëruar, “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes” është pol i shkëlqyer shëndetësor, jo vetëm puliez, që prej 60 vjetësh mishëron veprën e mëshirës trupore, të cilën Françesku e quajti ‘të jashtëzakonshme’, për efektin e afrimit pranë të sëmurëve, që e nxiti atë Piun të mendonte për ngritjen e një spitali:

“Të mjekosh sëmundjen, por sidomos të kujdesesh për të sëmurin. Mund të ndodhë që, ndërsa mjekojmë plagët e korpit, rëndohen plagët e shpirtit, që mjekohen shumë më ngadalë e më me vështirësi. Edhe njerëzit në grahma të vdekjes, nganjëherë në dukje të pavetëdijshëm, marrin pjesë në lutjen e bërë me fe pranë tyre e ia besojnë vetveten Zotit”.

Dëshiroj të vij tek Atë Piu

E ky mendim i solli në mendje Papës kujtimin e një miku të tij, prift, për një kohë të gjatë në gjendje kome. Gjendje e dhimbshme pavetëdijeje e nyje e vështirë për t’u zgjidhur në këndvështrimin mjekësor,  i cili një ditë erdhi në vete falë ndërhyrjes së një prifti tjetër, që ia doli mbanë të komunikojë me të sëmurin, duke e ftuar t’ia besonte qetësisht vetveten Zotit:
“Shumë njerëz kanë nevojë, shumë të sëmurë kanë nevojë për një fjalë, për një ledhatim, për forcë, që të mund ta përballojnë sëmundjen ose të nisen për takimin me Zotin; kanë nevojë të ndihmohen për t’ia besuar krejt vetveten Zoti.,  Ju jam shumë, shumë mirënjohës ju e të gjithë atyre, që u shërbejnë të sëmurëve me kompetencë, dashuri e fe të gjallë”.

Fjalët e fundit të Françeskut ishin një përshëndetje, që u shndërrua në ftesë:

“Kushdo që vjen në tokën tuaj të bukur - e unë kam shumë dëshirë të vij – mund të gjejë edhe në ju, pasqyrimin e dritës së Qiellit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.