2016-02-05 14:59:00

Papa Françesku takon presidentin e Zambies


Situata në kontinentin e Afrikës, me sfidat e varfërisë, të paqes e të emigracionit: ishte në qendër të audiencës së Papa Françeskut me presidentin e Republikës së Zambies, Edgar Chagwa Lungu, mbajtur sot paradite në Vatikan. Si njofton një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit “gjatë bisedimeve të përzemërta u përmenden marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Zambias”, e pastaj u fol për “kontributin e Kishës katolike në fushën edukative, sociale e shëndetësore”. Nuk mungoi nënvizimi i “bashkëpunimit ndërmjet Kishës e Shtetit në luftimin e varfërisë, të pabarazisë dhe në fushën e promovimit të bashkëjetesës paqësore shoqërore dhe fetare, përmes kulturës së dialogut e të takimit”.

Po kështu u fol edhe për “tema me interes të përbashkët, si emigracioni, ndryshimet klimaterike e mbrojtja e ambientit. Së fundi – përfundon deklarata e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u përmend edhe situata ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë ndaj konflikteve që interesojnë disa zona të Afrikës dhe ndaj impenjimit të vendit në proceset e paqes në Rajon”.








All the contents on this site are copyrighted ©.