2016-02-05 16:01:00

Papa falënderon Trenton për Shpellën e Lindjes së Krishtit: nga Shën Pjetri do të shkojë në Betlehem.


Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa Françesku  përshëndeti besimtarët e Trentos, shoqëruar nga ipeshkvi, imzot Luigi Bressan, dhe nga autoritetet e provincës autonome, duke i falënderuar për realizimin e Shpellës së Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit, punuar nga mjeshtrat skulptorë të Tezeros, e cila u admirua gjatë, që nga fundi i nëntorit. Shpella u mbyll me ceremoni, në praninë e prelatit dhe të presidentit të provincës, Ugo Rossi. Nga Sheshi i Shën Pjetrit, nisi shtegtimin për në Betlehem. Krishti fëmijë rikthehet në vendlindje, duke mbartur, si gjithnjë, me vete, mesazhin e paqes e të shpresës për Evropën, që lë e për Lindjen e Mesme, ku rikthehet.

Imzot Bressan: nder i madh për popullin tonë

Shpella e Betlehemit, me 25 figura me madhësi natyrore skalitur në dru të ngjyrosur, paraqet skena tipike fshatare të Trentinos. “Nder i madh për popullin tonë, shpjegoi imzot Bressan. Papa e kundroi disa herë e miliona besimtarë mundën ta admirojnë gjatë. Tani na merr malli ta shikojmë përsëri, por njëkohësisht gëzohemi, sepse Shpella jonë do të shkojë në Tokën Shenjte e do të jetë dëshmi e vëllazërimit që solli Jezusi ndërmjet nesh e që e dëshirojmë aq shumë. Vepra e artizanëve trentinas po niset drejt Betlehemit, ku do të jetë dëshmitare e dëshirës së qytetarëve tonë për ta ruajtur në shekuj këtë traditë të mrekullueshme, që na kujtojnë ngjarjen, e cila ndau më dysh historinë, duke hapur epokën e re për njerëzimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.