2016-02-05 14:46:00

Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës: Në kërkim të veprave të mëshirës


“Është dëshira ime më e madhe që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut për veprat e mëshirës trupore e shpirtërore. Do të jetë një mënyrë për të zgjuar ndërgjegjen tonë, shpesh të topitur përballë dramës së varfërisë, e për të hyrë gjithnjë më thellë në zemër të Ungjillit, në të cilin të varfërit janë njerëzit më të zgjedhur nga mëshira hyjnore” (n.15).

Me këto fjalë, që i lexojmë në Bulën e shpalljes së Vitit Jubilar Misericordiae Vultus, Papa Françesku i jep një drejtim të qartë mbarë Kishës, që reflektimi mbi mëshirën të mos mbetet vetëm shprehje konceptesh, por të kuptohet e të jetohet pikërisht në atë mënyrë që e zgjodhi vetë Zoti, kur foli për mëshirën: “Zoti e bëri vepruese në marrëdhëniet me njerëzit, duke treguar se interesohet fuqimisht për nevojat e skamnorëve dhe të të gjithë njerëzve, që vuajnë në  shpirt e në korp.

Kështu Jezu Krishti, më shumë se katekizmin e fjalëve e të figurave, zgjodhi afërsinë ndaj të sëmurëve, nevojtarëve, mëkatarëve, për t’i rikthyer në rrugën e drejtësisë e të së vërtetës. Të rizbulosh “veprat e mëshirës” në këtë vit jubilar, do të thotë të kuptosh se mëshira është vepër, është diçka që bëhet. E edukon si atë që jep, ashtu edhe atë që merr. Ngadalë-ngadalë do të propozojmë edhe disa reflektime mbi këto aspekte, duke kujtuar veprat e ndryshme të mëshirës.

Kolana zyrtare e Mëshirës

E, për t’u njohur më hollësisht me këtë Mëshirë, në qendër të vëmendjes së Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm, Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, ka botuar tashmë një kolanë zyrtare, që titullohet pikërisht “Kolana e Mëshirës”. Përfshin veprat: “Kremtojeni Mëshirën”; “Rrëfimi, Sakrament i Mëshirës”; “Psalmet e Mëshirës”; “Shëmbëlltyrat e Mëshirës”; “Mëshira e Etërve”; “Shenjtorët e Mëshirës”; “Papët e Mëshirës”; “Mëshira shpirtërore e trupore”.

Një Jubile vërtet për të gjithë

Jubileu i Mëshirës është festë e jashtëzakonshme e faljes, në të cilën Papa Françesku, në emër të Zotit, i fton të gjithë “të verbër, të shurdhër e të çalë”, nga të gjitha periferitë ekzistenciale(cfr Lk 14,21). Nuk përjashtohen as gratë, që kanë provuar dramën e abortit, as të burgosurit, që janë njollosur me krime të llahtarshme e që vijojnë të vuajnë dënimin. Kushti është një i vetëm. E prej tij nuk mund të hiqet dorë: të pendohesh sinqerisht e të ndryshosh jetë. Vetëm një është mëkati i pafalshëm, i cili ia mbyll portën atij, që troket: mëkati kundër Shpirtit Shenjt, mëkati i mosbesimit në Mëshirën e Zotit, që na dëftohet në Jezu Krishtin (cfr Mk 3,29). 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.