2016-02-04 11:31:00

Françesku: vij në Meksikë për të qenë mjet i paqes


Përtëritja shpirtërore, lufta kundër korrupsionit dhe dhunës, angazhimi për dialogun e për paqen. Këto, temat e forta që Papa Françesku i prek në një intervistë, dhënë agjencisë meksikane “Notimex”, pak ditë para shtegtimit të tij apostolik në Meksikë, nga 12 deri më 18 shkurt.

Agjencia e shtypit mblodhi një sërë pyetjesh nga ana e qytetarëve meksikanë për realizimin e një video-interviste  të Papës, regjistruar ditët e kaluara në Shtëpinë e Shën Martës. Filli i kuq i të gjitha përgjigjeve të Françeskut,  devocioni i tij bijnor për Zojën e Gudalupes.

“Në Meksikë dua të jem mjet i paqes”. Këtë pohon Papa në intervistën dhënë agjencisë së shtetit meksikan “Notimex”. Françesku saktëson se dëshiron të jetë mjet i paqes, së bashku me gjithë popullin meksikan. I vetëm, vëren, nuk do të mundja, do të ishte marrëzi. Meksika e dhunës, e korrupsionit, e trafikut të drogës, shton, nuk është Meksika që dëshiron Nëna jonë e Guadalupes. Vij në Meksikë, vijon, që të lutem me ju për zgjidhjen e problemeve të dhunës e të korrupsionit. Vij për t’ju nxitur të luftoni çdo ditë kundër korrupsionit, kundër luftës, kundër përçarjes, krimit të organizuar, kundër trafikut të qenieve njerëzore. E nënvizon: “duhet luftuar çdo ditë për paqen, jo për luftën”.

Paqja është punë e përditshme, që lind nga dialogu

Paqja, pohon Françesku, është punë artizanale, punë e përditshme, që shihet në mënyrën si e edukoj një fëmijë ose si e ledhatoj. Këto janë farët e paqes. Paqja, vijon akoma, lind nga dashuria, nga mirëkuptimi. E, në vijim, vë theksin mbi dialogun, fjalë kyçe e paqes: dialogu ndërmjet drejtuesve, me popullin e në gjirin e popullit. Në familje, si në lagje, vëren, duhet dialoguar, duhet folur haptas me të tjerët, duhen dëgjuar arsyet e tjetrit, duhet ta lëmë veten të na korrigojnë. Por, a mund të dialogosh me një kriminel? pyet Papa. Mund të dialogojmë me atë, që mund t’ia ndryshojë zemrën këtij keqbërësi, përgjigjet. E këshillon akoma të mos  hysh në rrugë të shtrembër e cila, për shkak të ca parave, që do të fitosh, të bën skllav gjatë gjithë jetës, të shkakton një luftë të padurueshme shpirtërore e të rrëmben lirinë, sepse ajo që të jep lirinë, është pikërisht paqja, të cilën, duke ecur në rrugë të shtrembër, e ke humbur përgjithmonë.

Kemi të njëjtën Nënë, vijon, të flasim, prandaj, një çast me Të. Françesku i inkurajon të gjithë t’i kërkojnë Zojës së Gudalupes dhuratën e paqes; “paqe në zemra, në familje, në qytete, në mbarë vendin”.

Kur kam ndonjë problem, ia besoj Zojës së Guadalupes

Françesku flet gjatë për devocionin ndaj Zojës së Gudalupes, tek e cila, kujton, ka qenë për vizitë dy herë. Të parën, për një takim të jezuitëve në vitet ’70, të dytën, për shtegtimin e Gjon Palit II, njëzet vjet më pas. Shpesh, rrëfen Papa Françesku, kur kam frikë për ndonjë problem, përsëris me vete të njëjtat fjalë, që ia pati thënë Zoja Juan Diegos: “Mos kij frikë, a nuk jam këtu unë, Nëna jote?”. Herë tjetër, vijon, rri shtang para figures së Saj e nuk ia ndaj sytë. Atëherë ndjej thellë në shpirt se Ajo është nënë, që e kujdes, e mbron, e çon përpara popullin, familjen, që të ledhaton plot dashuri e ta zhduk sakaq frikën stërmunduese. Në njërën nga të dyja herët që e vizitova, tregon, deshën të ma shpjegonin simbolikën e figures, po  unë parapëlqeva të rri para saj në heshtje, duke e shikuar. Kjo figure thotë shumë, është figure folëse, figure e një Nëne, që ta vë shpirtin në fashë, të kujdes. Është Nënë e një populli, të cilit i prin. Françesku vijon të tregojë, pastaj, se pak para se të vinte në Romë për Konklavin, po mendonte të ndërtonte në Buenos Ájres një kishë, kushtuar Shën Juan Diegos, pajtor i lulishtarëve. E pohon plot dashuri edhe se “Nëna e Guadalupes është lulja më e këndshme e Meksikës”.

Feja duhet të jetë gjithnjë për udhë e në dalje

Papa flet edhe për përtëritjen shpirtërore të meksikanëve, të cilën e pret dhe  e shpreson nga kjo vizitë. Unë, pohon, vij për të shërbyer, për të qenë shërbëtor i fesë suaj, sepse për këtë arsye u bëra meshtar, për të shërbyer. E ndjeva këtë thirrje për t’u vënë në shërbim të  fesë suaj, fesë së popullit. Kjo fe, vijon, duhet të dalë jashtë e të hyjë në jetën e të gjitha ditëve, të bëhet fe publike. Është e vërtetë, vëren, se sot ndjehet fort kriza e fesë në botë, por njëkohësisht kemi edhe një bekim të madh, e edhe një dëshirë të madhe që feja të dalë, të bëhet misionare, që feja të mos mbyllet në shishe, si në një kuti teneqeje. Feja jonë pohon, nuk është fe muzeu. Kisha nuk është muze, feja jonë lind nga takimi, nga dialogu me Jezusin: është fe që duhet të dalë udhëve, e jo thjesht për procesion, duhet të arrijë në vendet e punës, në shkolla, në familje, përndryshe nuk i duhet gjë kujt. Feja, pohon rishtas, duhet të ecë krah për krah me Jezusin. Papa vëren se nuk duhet të rrimë të mbyllur me Jezusin tonë, duke mos e lënë të dalë, sepse Jezusi del me ne e, nëse ne nuk dalim, as Ai nuk del. Prej këndej, ftesa për ta përtërirë fenë, duke e bërë të dalë, të vihet gjithnjë për udhë, pa frikë nga ndeshjet, nga konfliktet. Feja, shton, duhet të jetë frymëzimi ynë, që na shtyn të jetojmë në zemër të popullit, gjë që nuk është pa pengesa e rreziqe.

Vij në Meksikë, që të ma ngjitni  fenë tuaj

Unë, pohon Papa, nuk vij në Meksikë si Mbret Dijetar, i ngarkuar me dhurata. Vij si shtegtar, për të kërkuar që populli meksikan të më japë ndonjë gjë. Mos u shqetësoni, bën shaka, nuk kaloj mes jush për të mbushur shportën, e megjithatë vij pikërish të kërkoj pasurinë e fesë suaj, vij që të ma ngjitni fenë tuaj të pasur. Ju, pohon në vijim Françesku, nuk jeni popull jetim, ju mund të lavdëroheni se keni një Nënë, e kur një burrë, një grua ose një popull nuk e harron nënën e vet, merr një pasuri, që nuk mund të përshkruhet. E kujton, pastaj, fjalën e urtë meksikane: “Edhe meksikani ateist, është gudalupas”. “Nëna, përfundon, kjo është pasuria më e madhe, që vij të kërkoj në Meksikë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.