Sot me 4 shkurt, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt, françeskan
e studiues i njohur shqiptar. Atë Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje
të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros. Ndërmjet këtyre dy datave,
kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për rrugë rregulltare ndër françeskanë,
vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet e përjetshme të jetës rregulltare ndër
bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet filozofike e teologjike në Zagreb e ato
linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin, shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës
së parë në Tuz më 13 tetor 1957.
Pra françeskani Atë Vinçenc Malaj qe meshtar, historian dhe studiues i njohur që la
një trashëgimi të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest
Koliqit, ku botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”,
studioi veprën e imzot Pjetër Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare
të popullit shqiptar, mbi krishterimin ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin
Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, artin e tjera.
Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku
dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe
të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën dhe rrënjët
etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar
shqiptare.
Në përvjetorin e vdekjes së këtij meshtari françeskan, intelektuali e historiani të shquar, ju propozojmë disa fragmente nga një intervistë që kemi realizuar me Atë Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë ….
Atë Vinçenc Malaj “Vdekja”
Vdekje n’t’vërtetë nuk ka,
ajo s’âsht landë,
as ekzistencë...
Ajo, po, âsht ekstazë,
një kurrgjâsend,
ankth, trishtim,
tymtajë...
shkapërcim prej shtegut n’shteg,
m’tjetrânë si bazë,
kalim prej shkretisë n’oazë...
Rrugë që njitet përpjetë
prej bregut në breg
e ulet prap n’teposhtë
n’tatpjetë...
Ajo âsht urë,
tejkalim si nëpër unazë,
tunel, galerí nëndhese,
udhëtim ânemëkand
prej një jete së shkurtë
e të shueme
të këtij shekulli të zí
në tjetrën jetë:
mâ të mirë,
mâ të bukurmâ të lirë
fatlume në lumní...
Marrë nga përmbledhja poetike “Papërdhokë e gurë faqokë”, Botim i Misionit Françeskan,
Tuz-Malësi, Tuz 2010, fq. 32
All the contents on this site are copyrighted ©. |