2016-02-03 14:43:00

Papa: drejtësia e vërtetë është falja: Zoti dëshiron t’i shpëtojë të gjithë


 “Zoti nuk kërkon kurrë dënimin e mëkatarit, por shpëtimin e tij, sepse drejtësia e Zotit, është falja”. Mendimi themelor i papnisë së Françeskut u përsërit sot gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar lidhjes së drejtësisë me mëshirën. Duke falënderuar, në fund, një grup artistësh cirku, që dhanë shfaqje për nder të Atit të Shenjtë, Françesku vërejti: “Gjithçka, që është e bukur, ka nevojë për punë. Jeta, pa përpjekje, është tundim”.

Për ta shpëtuar fajtorin, drejtësia njerëzore e dënon, e ndëshkon. Ndërsa drejtësia hyjnore e kupton dhe e fal. Ajo, që mbi këtë tokë duket krejtësisht e papajtueshme - e drejta e shkruar në kode - nuk bazohet mbi ushtrimin e mëshirës që në qiell është ligj, sepse, pohoi Papa Françesku, “drejtësia e Zoti është falja”.

Gjykata e ndërgjegjes

Katekizmi i mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një qiell ngjyrë hiri, ngarkuar me re të akullta, në lëvizje, u ndoq me interesim të madh nga turma e besimtarëve.  E natyrshme. Papa u fliste për drejtësinë njerëzore e, sidomos, për atë hyjnore, që e dëshirojnë të gjithë. Kush e mbarështon drejtësinë, shpjegoi Françesku, e bën duke e dënuar fajorin. Po kjo rrugë, vërejti më tej Papa, nuk të çon në drejtësinë e vërtetë, sepse nuk e mund të keqen, por thjesht i vë prita. Drejtësi e vërtetë, sipas Papës, është ajo e Zotit, që i përgjigjet së keqes me të mirë. E kjo drejtësi nuk kalon nëpër gjykatat, por nëpër ndërgjegjen e fajtorit, për ta ftuar të pendohet, të bëjë kthesë, duke e ndihmuar të kuptojë se po vepron keq:

“E kjo është e bukur: fuqia e bindjes. Kjo është e keqe, kjo është kështu…. Zemra hapet për të pranuar faljen, që i ofrohet. E kjo është mënyra për të zgjidhur edhe kundërvëniet në marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet prindërve e fëmijëve, në gjirin e familjes, ku i fyeri e do fajtorin dhe dëshiron ta shpëtojë marrëdhënien, që e lidh me tjetrin. Mos e këputni këtë lidhje, këtë marrëdhënie!”.

Drejtësia e faljes

Natyrisht, pranoi Papa, kjo është udhë e vështirë. E më pas tregoi edhe pse ndodh kjo. Ndodh sepse….:

“Kërkon që kush pësoi padrejtësi, të jetë gati për të falur e të dëshirojë shëlbimin dhe të mirën e njeriut, që e pati fyer. E drejtësia mund të ngadhënjejë vetëm kështu, sepse fajtori pranon të keqen e bërë e nuk e bën më, e kështu e keqja zhduket e ai, që ishte i padrejtë, bëhet i drejtë, sepse u fal e iu zgjat dora, në përpjekjen për të gjetur udhën, udhën e së mirës. E pikërisht këtu hyn falja, mëshira”.

Zoti dëshiron t’i falë të gjithë

Dhe ja ligji i cili, siguroi Françesku, është “Zemra e Zotit”, Atit të mirë që, përballë çdo mëkatari, ofron vazhdimisht ndjesën e tij të plotë, sepse nuk dëshiron dënimin tonë, por shpëtimin, shëlbimin:

“Zoti nuk e do dënimin e askujt. Secili prej jush mund të më bëjë pyetjen: ‘Po, o atë, dënimi i Pilatit ishte i merituar? Thua e donte vetë Zoti? Jo, Zoti dëshironte ta shpëtonte Pilatin, e edhe Judën, të gjithë! Ai, Zoti i mëshirës, dëshiron t’i shpëtojë të gjithë. Problemi është që të lejohet të hyjë në zemër”.

Të gjindet një “atë” në rrëfyestore

Papa kujtoi edhe kushtin, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për falje: pendimin për të keqen e bërë, pjesë e dinamikës së krishterë të Sakramentit të Rrëfimit, të Pajtimit me Zotin. E këtu Papa Françesku, duke e lënë mënjanë pjesën e fundit të katekizmit të shkruar, bëri një thirrje të re, të pasionuar, për të kërkuar mëshirën e Zotit në rrëfyestore:

“Në rrëfyestore të gjithë shkojmë për të kërkuar një atë, një atë, që të na ndihmojë, në emër të Zotit. E, prej këndej, të jesh rrëfyes, është përgjegjësi  tepër e madhe, tepër, sepse ai bir e ajo bijë, që vjen tek ti,  kërkon vetëm e vetëm të gjejë një atë. E ti, prift, që je aty, në rrëfyestore, ti je aty në emër të Atit, që e bën drejtësinë me mëshirën e tij të pambaruar”.

Njerëzit mediokër, nuk zoriten

Edhe në këtë rast, çasti i përshëndetjeve drejtuar grupeve të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, pati një çast gazmor, krijuar nga shfaqja e disa artistëve të Cirkut amerikan. Duke ndjekur me vëmendje numrat dhe shkathtësinë e artistëve, Françesku kujtoi një mësim me vlerë universale:

“Kjo nuk improvizohet. Pas kësaj shfaqjeje bukurie, janë orë e orë stërvitjeje, që të lodhin e të mërzitin, e ky është shembull për ne të gjithë, sepse joshja për jetë të lehtë, për të gjetur një fund të mirë, pa u trazuar, është tundim. E ju me këtë që bëtë sot e me stërvitjen, që është pas saj, na jepni një dëshmi, e cila tregon se jeta pa u përjekur vazhdimisht, është jetë e rëndomtë, pa  vlerë e pa fryt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.