2016-02-03 12:00:00

Kalendari Kishtar përkujton Shëna Vlashin, ipeshkëv e martir Sebastes.


Sot, 3 shkurt, Kalendari Kishtar përkujton Shën Ansagarion (Oskar) ipeshkëv i Hamburgut dhe i Bremës, apostull i Skandinavisë, si dhe Shëna Vlashin, ipeshkëv e martir i Sebastes.

Shëna Vlashi, mrekullbërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor i Raguzës, kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve e, jo më pak, në krahinën e Kurbinit, sidomos në Laç ku, pikërisht nën Shenjtnoren e Shëna Ndout, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor. Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit.

E munduan shumë, për ta detyruar të mohonte fenë, derisa, të tërbuar nga qëndresa e Shenjtit, ia prenë kokën, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Kapadoçies. Ishte data 3 shkurt e vitit 316 pas Krishtit.

Është shkruar shumë për Shëna Vlashin, për jetën, fundin e vendlindjen e tij. Atë Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si Atë Vinçenc Malaj, sollën shumë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni, siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.

Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë Kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në Kishën e Shenjtit, në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të Shqipërisë. Kujtojmë shpellën e Shëna Vlashit, në Laç, Kishën e Shëna Vlashit në Durrës e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.

Kujtojmë edhe se besimtarët i luten Shëna Vlashit posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur në fyt një halë peshku, që po ia merrte frymën.

Prandaj gjatë meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".








All the contents on this site are copyrighted ©.