2016-02-02 13:28:00

Salezianët në Kosovë kremtuan festën e themeluesit të tyre


Edhe bashkësia saleziane e Kosovës kremtoi të dielën festën e shën Gjon Boskos. Më hollësisht për veprimtaritë e kësaj dite, na flet, me telefon nga Prishtina, Rabije (Mrikë) Ibraj. Ta dëgjojmë…

Në Kosovë, Bashkësia Saleziane, si kudo në botën e krishterë,  kremtoi  31 janarin, festën e themeluesit të tyre, Shën Gjon Boskos, prift, mësues dhe edukator i brezave të rinj. Me atmosferë të mrekullueshme kanë kremtuar edhe 700 nxënës, e 70 mësimdhënës e punetorë të tjerë të Qendrës Edukative Sociale në Prishtinë.  Për Pajtorin e tyre, për këtë Shenjt të jashtëzakonshëm, janë shfaqur  programe të ndryshme artistike e sportive, që nga fëmijët e ciklit të ulët e deri tek më i larti. Gëzimin e kësaj feste e ka shtuar edhe pjesëmarrja e motrave te kishës, prindërve, qytetarëve e personaliteteve nga strukturat e ndryshme të shoqerisë.  

Drejtori i kësaj qendre, dom Izidor Llukiq,  në kuadër të programit, përmes fjalës së tij, pasqyroi sukseset e arritjet në vite të nxënësve të kësaj shkolle të brumosur sipas misonit dhe shembullit të Shën Gjon Boskos.  “Qëllimi dhe misioni i Salezianëve të Don Boskos është edukimi dhe formimi i të rinjve për jetën, e në veçanti i atyre, që janë të varfër, ndërsa Qendra “Don Bosko” dhe misioni i saj kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë përmes edukimit të të rinjve, që është fokusi ynë. Besojmë se përkushtimi i përgjithshëm për të rinjtë është dhurata më e mirë për njerëzimin”, tha dom Izidori, i cili me theks të vecantë u ndal tek misioni i don Boskos, përqafuar nga një pjesë e mirë e rinisë kosovare.

“Veprimtaria jonë në Kosovë me dy Qendra të Don Boskos, në Prishtinë e Gjilan, ka  bërë  hapa të rëndësishëm në rritjen dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, ka bërë që ata t’i duan Qendrat tona dhe këtë e dëshmojnë kur thonë se “Don Bosko” është shtëpia jonë e dytë dhe neve na konsiderojnë si prindërit e dytë” tha dom Izidori duke  lexuar një pjesë nga hyrja e Kushtetutës  së Shoqërisë Saleziane, ku thuhet: “Kur në një shtëpi apo qendër si kjo e jona,  mbretëron dashuria vëllazërore, kur të gjithë e duan njëri-tjetrin dhe secili kënaqet nga e mira e tjetrit sikur të ishte e mira e vet, atëherë kjo shtëpi apo qendër bëhet parajsë” vlerësoi dom Izidori. Me këtë rast, ai falenderoi qeverinë gjermane, përkatësisht  Fondacionin “Renovabis”, që ende vazhdon financimin e infrastrukturës së Qendrës “Don Bosko” në Prishtinë.  Ai nënvizoi se Shoqëria  Saleziane e Don Boskos është e pranishme në tërë botën, në më shumë se 132 shtete, përfshirë edhe Kosovën.

E kremtja ka kulmuar të dielën mbrëma, me meshën solemne të kremtuar nga Vikari  i Ipeshkvisë së Kosovës, dom Lush Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë të tjerë. Në fjalën e predikimit, don Lushi tha, veç tjerash, se kjo ditë është e madhe vecanërisht për Salezianët e për bijtë e bijat shpirtërore të këtij Shenjti, i cili la gjurmë jo vetëm në kishë, por edhe në jetën edukative arsimore. Don Bosko i deshi me shpirt fëmijët e të rinjtë dhe kishte për moto: ‘Mjafton të jeni të rinj dhe unë ju dua’’, tha don Lushi, duke shtuar se  metodologjia ungjillore, që zbatoi ai ishte shoqërimi e afërsia me fëmijët e të rinjtë për t’i sjellë ata më afër Zotit e kishës, përfshirë edhe shkollimin, arsimimin e qytetërimin e tyre. Por,  mbi të gjitha, Shën Gjon Bosko ishte dëshmitar autentik i Krishtit e dhashtë Zoti që ndërmjetësimi i tij të na ndihmojë të gjithëve, tha dom Lushi,  duke i përgëzuar Salezianët në Kosovë, ndërsa në perfundim të meshës  dha bekimin e Festës së Shën Gjon Boskos. 








All the contents on this site are copyrighted ©.