2016-02-02 18:45:00

Papa Françesku: admirues i madhështisë kulturore të popullit kinez


“E admiroj Kinën, kulturën e saj të madhe, dijen e pashterrshme”: kështu shprehet Papa Françesku në një intervistë, dhënë gazetarit Francesco Sisci për gazetën “Asia Times”. Gjatë bisedës, Papa i drejtoi urimet popullit kinez dhe presidentit të tij, Xi Jinping, për Vitin e Ri kinez, që bie më 8 shkurt.

Intervista, botuar dje në “Asia Times”, realizuar në Vatikan nga Francesco Sisci, trajton gjerësisht temat kulturore dhe filozofike të Kinës, pa prekur çështjet fetare ose politike. “Për mua Kina ka qenë gjithnjë pikë referimi e madhështisë", shpjegon Papa. Vend i madh, kulturë e madhe, me urti të pashterrshme. Papa nuk mund të mos shprehë admirimin e tij të madh për këtë kulturë. I pashmangshëm, prej këndej, kujtimi i atit jezuit, Matteo Ricci, misionar në Kinë që, shpjegon Françesku, na mësoi se është e nevojshme të hyjmë në dialog me këtë vend. Është tokë e bekuar me një mori vlerash e Kisha katolike e ka për detyrë t’i respektojë të gjitha qytetërimet e të ketë respekt për to, me “R” të madhe.

Sfida e paqes përballohet me dialog

Papa Françesku citon, pastaj, Marco Polo-n, që i solli makaronat spageta nga Kina, në Itali dhe kujtoi emocionin që ndjeu duke përshkuar hapësirën ajrore kineze, gjatë shtegtimit apostolik që, në janar 2015, e çonte në Sri Lanka e në Filipine. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për paqen, Papa nënvizon se frika nuk është këshilltare e mirë e se, prej këndej, nuk duhet t’i druhesh sfidave. Flet, më pas, edhe për aftësinë e gjetjes së mënyrës së bashkëjetesës e të aftësisë për t’u respektuar reciprokisht. Natyrisht Papa është i vetëdijshëm se të mbash ekulibrin e paqes, është sfidë e madhe, por Evropa, bota perëndimore e ajo lindore, si edhe vetë Kina, e kanë aftësinë për ta mbajtur këtë ekuilibër; kanë edhe forcën për ta bërë këtë. Prandaj, pohon Papa, duhet të gjejmë mënyrën ta arrijmë këtë objektiv përmes dialogut. Rrugë tjetër nuk ka.

Dialogu nuk është kompromis, por udhë e bërë së bashku

Dialogu, vijon Françesku, duke u rikthyer tek tema e tij posaçërisht e dashur, çon në takim. Ekuilibri i vërtetë i paqes realizohet përmes dialogut, thekson, dialog që nuk do të thotë të zbresësh në kompromise, por të ecësh së bashku, për të ndërtuar. Në këtë mënyrë “torta”, kujton Papa me një metaforë, që nënkupton njerëzmin e kulturën, nuk ndahet në copa të vogla, por u përket të gjithëve e të gjithë mund të japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët.

Fëmijët, “problem i dhimbshëm”

Duke iu përgjigjur, më pas, një pyetjeje  lidhur me politikën kineze të “një fëmije të vetëm”, Papa flet për një problem të dhimbshëm, që i ngarkon fëmijët me barrën e mbajtjes së prindërve e të gjyshave, për shkak të disa sektoreve të kamura, të cilave nuk u pëlqen të kenë fëmijë. Kjo nuk është mënyrë natyrore, thekson Papa. E kuptoj, shton, se Kina ka hapur rrugë në këtë front. Prej këndej, Papa kalon tek Viti Shenjt i Mëshirës, duke e ftuar popullin kinez të pajtohet me historinë e vet, me sukseset e gabimet, sepse kjo të çon në fitimin e pjekurisë e në rritjen shpirtërore. Një popull, që ka mëshirë për vetveten, është popull me shpirt të fisëm, që mund të buzëqeshë e të ecë përpara, sepse po të ndalet, atëherë edhe qelbet, si  qelben ujërat e kënetave.

Të njihet madhështia e popullit kinez

E këtu Papa rikthehet tek tema dialogut: “Të dialogosh nuk do të thotë ndalesh, shpjegon, sepse sot, në ballafaqimin ndërmjet vendeve të ndryshme ekziston rreziku i kolonizimit kulturor. Përkundrazi, është e nevojshme të njihet madhështia e popullit kinez, që e ka ruajtur gjithnjë kulturën e tij, kujton Françesku, e saktëson: “Nuk po flas për idelogjitë, por për kulturën”.

Të përballohet realiteti e të bëhen përpjekje për ta përmirësuar

Përsa i përket zhvillimit ekonomik të vendit që, vëren Sisci, pati pasoja dramatike në planin ambiental e njerëzor, Papa pohon: “Para së gjithash duhet shikuar realiteti ashtu si është e, pastaj, në rend të dytë, të punohet për ta përmirësuar. Mund të duken këshilla të thjeshta, gati të rëndomta, pohon Papa. Por është e mira të mos bësh si struci, që e fsheh kokën nën rërë, për të mos e parë realitetin”. Pastaj duhet pranuar se madhështia e Kinës sot gjindet pikërisht në shikimin drejt së ardhmes, parë nga e sotmja, mbështetur nga kujtesa e së kaluarës së saj kulturore; gjindet  në aftësinë për të jetuar në tension, që nuk është ankth, por ballafaqim ndërmjet së kaluarës e së sotmes, që krijon kushte për  të ecur përpara.

Urimet për Vitin e Ri kinez

Së fundi, në prag të Vitit të ri kinez, që fillon më 8 shkurt e i kushtohet majmunit, Papa i dërgon urimet më të mira e përshëndetjet më të përzemërta presidentit Xi Jinping si dhe mbarë popullit kinez. Shpresoj, pohon, se nuk do ta humbasin kurrë vetëdijen historike të madhështisë së tyre, si popull i madh, me histori të madhe urtie, që ka shumë për t’i dhënë mbarë botës. “Me këtë vetëdije, në këtë vit të ri, përfundon Papa, mund të vijojnë të ndihmojnë dhe të bashkëpunojnë me të gjithë në kujdesin për shtëpinë e përbashkët e të mbarë popujve”.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.