2016-02-02 12:05:00

Braz de Aviz: Viti i Jetës së Shuguruar, nxitje për t’u kthyer tek thelbi


Viti i Jetës së Shuguruar përfundoi me Jubileun e Rregulltarëve, të cilët, pasi u pritën dje nga Papa Françesku, sot në orën 17.30 marrin pjesë në meshën e kremtuar prej Atit të Shenjtë, në festën e Paraqitjes së Zotit në tempull. Për një bilanc të këtij Viti, ia drejtuam mikrofonin prefektit të Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar, kardinalit Joao Braz de Aviz:

         Mendoj se duhet të themi, mbi të gjitha, se Viti i Jetës së Shuguruar na dha sërish neve, ne të shuguruave, ndjenjën e mirënjohjes ndaj Zotit për thirrjen tonë. Ky Vit është vërtet dhuratë e madhe: ne e ndjejmë si nxitje të fuqishme për t’u rikthyer tek thelbi e për ta parë jetën rregulltare si dhuratë nga lart, në shërbim të Kishës. E kemi edhe shpresë të re për diçka vërtet të madhe në Kishë, që ishte fshehur disi, por që tani, po del me forcë në pah, duke rishfaqur identitetin e vet. Format historike dhe format aktuale nuk janë në kontradiktë, plotësojnë njëra-tjetrën e njëra mund ta ndihmojë tjetrën. Pra, kemi këto dy përvoja të rëndësishme: mirënjohjen dhe shpresën.

         Ky Vit u desh me gjithë shpirt nga Papa Françesku. Si e ndoqi ai vetë?

         Ai qe shpirti i këtij viti. Edhe ai vetë është rregulltar, është jezuit. Na dha orientime, që nisen nga e gjithë tradita e Kishës, por japin edhe shtysa të reja të përshtatshme për këtë çast historik. Për shembull, të kthehemi në thelbin e jetës së shuguruar, që është thirrja e Zotit për ne, së cilës ne i përgjigjemi vërtet, por thirrja është e Tij. E gjithçka tjetër, nëse përkon me të, është pozitive: struktura, karizma, etj….. Kjo ka rëndësi. Shtysa tjetër është të rifitojmë përmasën e bashkimit në Kishë, përmasën e “qëndrimit së bashku”… Ndryshimet nuk duhet të pakësojnë apo të varfërojnë; ndryshimet duhet të na pasurojnë. E këtë duhet ta mësojmë edhe në praktikë. E jo vetëm sepse kështu e kuptojmë si është Ungjilli, por edhe për t’iu kthyer gëzimit, pasi këtë e thotë shpesh Papa. Nëse Zoti na do, duhet ta shprehim këtë dashuri, pavarësisht se disa kushte janë të vështira, si për shembull, celibati. Por kjo, jo për të ndenjur në vetmi e trishtim, por për të pasur diçka më shumë që ia ofrojmë bashkësisë, duke u nisur nga Zoti. Në këtë kuptim, prania e Papës ka qenë për ne shpirti, strumbullari i gjithçkaje.

         E ardhmja? …Viti mbyllet në kuadrin e Jubileut të Mëshirës. Çfarë pritet nga dikasteri për rregulltarët?

         Ne komentuam me Papën Françesku, madje, ai komentoi me ne se e sheh shumë mirë këtë përfundim të Vitit të Jetës së Shuguruar në atmosferën e Jubileut të Mëshirës. Edhe ne i kushtojmë shumë rëndësi këtij përkimi. Është karakteristikë e burrit dhe e gruas së shuguruar ta provojë mëshirën e Zotit e t’ua dhurojë atë të tjerëve në jetën konkrete. E kjo duhet theksuar edhe më shumë përmes veprave të mëshirës të korpit e të shpirtit, të cilat janë të zakonshme ndër rregulltarë. Pra, ne e konsiderojmë këtë Jubile, gati si një zgjatje të natyrshme të Vitit të Jetës së Shuguruar. Kemi shumë programe për të ardhmen.








All the contents on this site are copyrighted ©.