2016-02-01 12:13:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: asnjë gjendje njerëzore nuk largon nga Zoti


“Asnjë gjendje njerëzore nuk përbën motiv për t’u përjashtuar nga zemra e Atit Qiellor”: Papa Françesku i theksoi dje këto fjalë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Ditën kushtuar të sëmurëve nga lebra apo gërbula. Gjithashtu, përshëndeti fëmijët e të rinjtë e Karvanit të Paqes, organizuar tradicionalisht nga Veprimit Katolik Italian.

Zoti shkon aty ku janë njerëzit

         “I vetmi privilegj në sytë e Zotit, është të mos kesh privilegj”, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili pa letër, shtoi “e të mos kesh as padron”. I vetmi privilegj është mundësia për ta braktisur veten në duart e Hyjit:

         “Zoti shkon të takojë burrat e gratë e të gjitha kohërave e të të gjitha vendeve, në situatën konkrete ku ndodhen. Na vjen për ndihmë edhe ne”.

         Fjalët e Jezusit, pavarësisht se të thëna 2000 vjet më parë, vlejnë edhe sot, vijoi Papa:

         “E sotmja, shpallur nga Jezusi atëherë, vlen për çdo kohë; ritingëllon edhe për ne sot, në këtë shesh, duke na kujtuar aktualitetin dhe nevojën e shëlbimit, sjellë nga Jezusi për njerëzimin…”

“Asnjë profet nuk është i pranuar në vendin e vet”

         Ati i Shenjtë iu referua pjesës ungjillore, në të cilën Jezusi, pasi ka filluar jetën e vet publike, kthehet dhe i paraqitet bashkësisë së vet, të mbledhur në sinagogë, ditën e shtunë. Bashkëkohësit e vet i kërkojnë mrekulli, por Jezusi përgjigjet se “Asnjë profet nuk është i mirëpritur në atdheun e vet” e kujton profetët e mëdhenj të së kaluarës. Elia dhe Elizeu bënë mrekulli ndër paganë, për të vënë në dukje se populli i tyre nuk u besonte. Nuk është thjesht grindje bashkëfshatarësh, shpjegoi Papa Françesku, duke shtuar se është paralajmërim për njeriun e fesë, i cili ka gjithnjë tundime të tilla, nga të cilat duhet të largohet:

         “Është tundimi për ta konsideruar fenë si investim njerëzor e, si pasojë, fillon ‘pazari’ me Zotin, duke kërkuar interesin vetjak. Në të kundërt, duhet të pranojmë zbulesën e një Zoti, që është Atë dhe kujdeset për çdo krijesë të vet, edhe për atë më të voglën e më të parëndësishmen në sytë e njerëzve”.

Zoti na kërkon i pari

         Jeta e Jezusit, gjithçka bëri e tha, na tregon se asnjë gjendje njerëzore, sado e vështirë dhe e ndërlikuar, mund t’i largojë njerëzit nga zemra e Atit Qiellor. Është Hyji ai, që bën hapin e parë drejt njeriut dhe me mëshirë, e ngre nga pluhuri i mëkateve të veta, theksoi Papa:

         “…vjen të na japë dorën për të na ngritur nga humnera, në të cilën kemi rënë për shkak të mendjemadhësisë e na fton ta pranojmë të vërtetën ngushëlluese të Ungjillit e të ecim në rrugët e së mirës. Por gjithnjë vjen Ai të na kërkojë e të na gjejë”.

Solidaritet për të gërbulurit

         Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u ndal në Ditën botërore të të gërbulurve. Sëmundje, nënvizoi, që prek një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish, por akoma godet sidomos të varfërit e të braktisurit:

         “Është e rëndësishme të tregojmë solidaritet me këta vëllezër e motra, mbetur invalidë pas kësaj sëmundjeje. Atyre u sigurojmë lutjen tonë si edhe mbështetjen tonë për ata, që i ndihmojnë… Ju lumtë laikë, ju lumtë murgesha, ju lumtë meshtarë”.

Përshëndetja për Karvanin e Paqes

         Më pas, Papa përshëndeti shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në veçanti, fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik të dioqezës së Romës, ardhur në shesh me Karvanin tradicional të Paqes. “Këtë vit – u tha – dëshmia juaj e paqes, frymëzuar nga feja në Krishtin, do të jetë edhe më e gëzueshme dhe e vetëdijshme, sepse pasurohet nga gjesti, që sapo bëtë, nga kalimi i Portës Shenjte”.

         Pas mesazhit të lexuar nga dritarja e Papës, me të cilin fëmijët vunë në dukje frikën nga konfliktet, duke premtuar impenjimin e tyre për paqen, Ati i Shenjtë i inkurajoi të jenë mjete të paqes e të mëshirës ndër bashkëmoshatarët. Tullumbacet, simbol i paqes, mbushën plot hapësirën mbi sheshin e Shën Pjetrit, premtim shumëngjyrësh i fëmijëve për një botë më të mirë në të ardhmen.








All the contents on this site are copyrighted ©.