2016-02-01 16:29:00

Papa, të shuguruarve: i juaji, nuk është status shoqëror, lërini thashethemet


Mos bini pre e “terrorizmit të thashethemeve”, që kthehen “ në bombë”. Mos mendoni për paratë, të cilat nuk japin shpresë, pasi përgjigjen e vërtetë e jep “vetëm” Zoti. Lutuni për thirrjet e reja, sepse bashkësitë rregulltare plaken e kuvendet mbahen shpesh nga “4-5 murgesha të moshuara”. Këto, fjalët e Papës Françesku në Sallën Pali VI, në Vatikan, në audiencën me pjesëmarrësit e Jubileut të Jetës së Shuguruar, që kremtohet nesër, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull. Ati i Shenjtë do të kremtojë nesër meshën në orën 17.30, në Ditën e 20-të kushtuar rregulltarëve e në mbyllje të Vitit kushtuar Jetës së Shuguruar.

Të jeni gra e burra profetë

         Fjalimi i përgatitur për pritjen e sotme përfundoi në duart e prefektit të Kongregatës për Jetën e Shuguruar, kardinalit Joao Braz de Aviz, ndërsa Papa Françesku, siç bën shpesh, u foli rreth 5 mijë të pranishmëve “me zemër në dorë”. Reflektoi mbi koncepte si “profecia”, “afërsia” dhe “shpresa”. U kujtoi se “profecia” e të shuguruarve, para anarkisë, që është “bijë e djallit”, realizohet përmes bindjes ndaj Atit Qiellor, ashtu si Krishti, i cili nuk thirri të vetët për t’u rezistuar armiqve, por deshi t’i bindej Zotit:

         “Profeci është t’u thuash njerëzve se ka një rrugë lumturie, madhështie, një rrugë që të mbush me gëzim e ajo është rruga e Jezusit. Është rruga për të qenë pranë Jezusit. Është dhuratë profecia, është karizëm e duhet t’ia kërkojmë Shpirtit Shenjt: që të di të them fjalën e duhur në çastin e duhur; që të di të bëj atë që duhet, në çastin që kërkohet; që e gjithë jeta ime të jetë profeci. Gra e burra profetë”.

Afrojuni njerëzve, të krishterë e jo

         Duke u ndalur pastaj, në fjalën “afërsi”, Papa i ftoi të shuguruarit të mos largohen nga njerëzit e të mos rrinë në rehatinë e tyre:

         “Jo, duhet të afrohem e ta kuptoj jetën e të krishterëve e të atyre, që nuk janë të krishterë, të kuptoj vuajtjet, problemet, shumë gjëra, që kuptohen vetëm kur rregulltari e rregulltarja bëhen të afërt. Pra, në afërsi”.

Të jesh i shuguruar, nuk është ndonjë status

          Papa Françesku i ftoi të pranishmit të marrin shembull nga Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, Pajtore e misioneve, e cila “me zemrën plot zjarr” dhe me letrat, që merrte nga misionarët, u qëndronte afër njerëzve. Të shugurohesh, nënvizoi me forcë Ati i Shenjtë, nuk do të thotë të ngjitësh një, dy apo tre shkallë në shoqëri:

         “I shuguruar nuk është ndonjë status jetese, që më nxit t’i shoh të tjerët…kështu… nga larg. Jeta e shuguruar duhet të më çojë drejt afërsisë me njerëzit: afërsi fizike, shpirtërore, njohje me njerëzit”.

Lëreni “terrorizmin e thashethemeve”

         I afërti, vijoi Papa, mund të jetë njeriu i lagjeve të varfëra, por edhe vëllai e motra e së njëjtës bashkësi, duke ushtruar virtytin “ndoshta, më të vështirë”, siç thoshte Shën Jaku Apostull, atë të frenimit të gjuhës, qeshi Ati i Shenjtë:

         “Një nga mënyrat për t’u larguar nga vëllezërit e motrat e bashkësisë është pikërisht ky: terrorizmi i thashethemeve. Dëgjoni mirë: jo thashethemet, por terrorizmi i thashethemeve. Sepse kush bën thashetheme është terrorist. Është një terrorist brenda bashkësisë, sepse hedh një fjalë si të ishte bombë, kundër këtij, kundër atij e, pastaj, largohet i qetë. Shkatërron! Kush bën kështu, shkatërron, ashtu si bomba”.

Impenjimi për Vitin e Mëshirës

         E bomba e thashethemeve, vijoi Papa, është luftë, shkakton largim e anarki. Më pas, këshilla e thirrja:

         “E nëse, në këtë Vit të Mëshirës, secili prej jush të arrinte të mos bëhej kurrë terrorist thashethemexhi, ose thashethemexhie, do të ishte sukses për Kishën, sukses i një shenjtërie të madhe. Hajde pra, guxim!”

Ulja e thirrjeve

         Duke kaluar, më pas, në konceptin e “shpresës”, Ati i Shenjtë u ndal në uljen e numrit të thirrjeve e në bashkësitë rregulltare, që plaken. Kuvendet, tha ai, mbahen me 4-5 murgesha të moshuara. E nuk mungoi qortimi i Papës:

         “Disa Kongregata bëjnë eksperimentin e ‘shtimit artificial’. E çfarë bëjnë? Mirëpresin gjithkënd… ‘Po hajde, hajde…’ E pastaj, vijnë problemet… Jo! Duhet mirëpritur me seriozitet! Duhet dalluar mirë nëse kemi të bëjmë me thirrje të vërtetë, e cila duhet ndihmuar të rritet. E mendoj se kundër tundimit të humbjes së shpresës, që na jep shterpësinë, duhet të lutemi më shumë. E të lutemi, pa u lodhur”.

Shpresa e vërtetë, vetëm në Zotin e jo në paratë

        Zoti do ta mbajë fjalën e dhënë, vijoi Papa Françesku, por duhet t’i lutemi, siç bënte Ana, nëna e Samuelit, kur i kërkonte një fëmijë. Sepse ka një rrezik, vërejti Ati i Shenjtë:

         “Kur një Kongregatë fetare sheh se nuk bij e nipër e fillon të bëhet më e vogël, mendon veç për paratë. E ju e dini se paratë janë jashtëqitje e djallit. Kur nuk kanë garanci se do të kenë thirrje e bij, mendojnë se paratë do t’i shpëtojnë jetën e duan të sigurojnë pleqërinë: të mos na mungojë kjo, të mos mungojë ajo… E kështu nuk ka shpresë! Shpresa është vetëm në Zotin! Paratë nuk ta japin kurrë! Përkundrazi”.

Roli i rregulltareve në Kishë

         Tashmë, gjithnjë e më shpesh, Papa Françesku flet për rolin e grave të shuguruara në Kishë. Ç’do të bënte Kisha, sikur të mos ishin murgeshat, tha kësaj radhe. Ato shkojnë në spitale, në kolegje, në famulli, në lagje e në mision, por edhe në varreza. Japin jetën për Zotin, edhe pse shpesh, larg nga toka e origjinës:

         “Janë sëmurë, kanë marrë ethet e këtyre vendeve, e kanë shuar jetën… Ti thua: këto janë shenjte! Këto janë fara! Duhet t’i themi Zotit të zbresë pak në këto varreza e të shohë ç’kanë bërë paraardhësit tanë e të na japë më tepër thirrje, sepse kemi nevojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.