2016-01-30 11:38:00

Audienca jubilare e Papës: ta komunikojmë harenë e takimit me Jezusin


Për herë të parë, sot paradite, në orën 10.00, Papa Françesku mbajti audiencën e përgjithshme jubilare, parashikuar për të shtunave, disa herë gjatë gjithë Vitit të Mëshirës. Mëshira e misioni ishin sot në qendër të vëmendjes së Atit të Shenjtë, për të cilin “si të krishterë, kemi përgjegjësinë e të qenit misionarë të Ungjillit. Kur marrim një lajm të mirë, ose kur jetojmë një përvojë të bukur, është e natyrshme ta ndjejmë nevojën për t’i bërë edhe të tjerët pjesëmarrës në të”.

         Kështu edhe kur takojmë Zotin, nënvizoi Papa Françesku. Madje, sipas Atit të Shenjtë, shenja konkrete se e kemi takuar vërtet Jezusin është pikërisht gëzimi, që shprehim, kur përpiqemi t’ua komunikojmë këtë edhe të tjerëve. Kjo është përvoja e dishepujve të parë të Krishtit. “Pas takimit me Jezusin – kujtoi Françesku Ungjillin e shën Gjonit – Andrea shkoi t’ia thoshte shpejt vëllait të tij Pjetrit e, të njëjtën gjë bëri Filipi me Natanielin. Takimi me Jezusin do të thotë të takohesh me dashurinë e tij. Kjo dashuri – vijoi Papa – na shndërron e na bën të aftë t’u transmetojmë të tjerëve forcën, që ajo na dhuron. Në një farë mënyre, mund të themi se që nga dita e Pagëzimit, secilit prej nesh i jepet një emër i ri, që i shtohet emrit të dhënë nga nëna e babai e, ky emër është ‘Kristofor’, që do të thotë ‘mbartës i Krishtit’. Çdo i krishterë është mbartës i Krishtit!”

         Mëshira, që tregon për ne Ati Qiellor, reflektoi Papa, nuk na jepet për ngushëllimin tonë privat, por për ta na bërë mjete, përmes të cilave edhe të tjerët ta marrin këtë dhuratë. Kështu, vërejti Ati i Shenjtë, mëshira e misioni lidhen ndërmjet tyre e krijojnë një rreth të mrekullueshëm virtuoz. Duke e jetuar mëshirën, bëhemi misionarë të mëshirës e, duke qenë misionarë, rritemi gjithnjë e më shumë në mëshirën e Zotit. Prandaj, përfundoi Papa Françesku, ta marrim seriozisht faktin që jemi të krishterë e të impenjohemi të jetojmë si besimtarë, sepse vetëm kështu Ungjilli mund të prekë zemrat e njerëzve dhe t’i hapë për të pranuar hirin e dashurisë hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.