2016-01-29 15:14:00

Trupi i atë Piut dhe i shën Mandiçit në Romë


Dërgimi i Misionarëve të Mëshirës dhe ardhja e trupit të atë Piut nga Pietrelçina e të shën Leopold Mandiçit në Romë, ishin sot në qendër të konferencës në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Për dy ngjarjet e rëndësishme, në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, foli kreu i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella. Prelati njoftoi edhe se, deri tani, në veprimtaritë jubilare kanë marrë pjesë rreth 1,4 milion njerëz, 40% e të cilëve kanë ardhur nga jashtë Italisë. Nesër, Papa Françesku do të mbajë audiencën e parë të përgjithshme jubilare, e cila, një të shtunë në muaj, u shtohet atyre të zakonshmeve të së mërkurës.

Atë Piu e Leopold Mandiç, shenjtorë të faljes e të mëshirës

         Imzot Fisichella kujtoi veçanërisht devocionin e Atit të Shenjtë për kapuçinin me origjinë kroate, i cili, njëlloj si atë Piu nga Pietrelçina, e kalonte pjesën më të madhe të ditës në rrëfyestore, ku mijëra njerëz shihnin në të, dëshminë e privilegjuar të faljes e të mëshirës së Zotit. Ja fjalët e imzot Fisichella-s:

         “Disa nga sivëllezërit e tij thoshin se ishte injorant e dorëlëshuar, se ua zgjidhte të gjithëve mëkatet, pa i shoshitur mirë punët. Por përgjigjja e tij e thjeshtë dhe e përvuajtur i linte pa fjalë: ‘Nëse Hyji i Kryqëzuar do të më qortonte se jam dorëlëshuar, do t’i përgjigjesha: këtë shembull të keq, o Zot, ma keni dhënë ju vetë. Unë akoma s’kam mbërritur në atë gradë marrëzie, sa të vdes për shpirtrat’”.

Nga 5 deri më 11 shkurt, reliket e shenjtorëve në Bazilikën e Shën Pjetrit

         Më pas, imzot Fisichella bëri të ditur programin e zhvendosjes së relikeve të dy shenjtorëve - në dy urna të tejdukshme – që do të mbërrijnë në Romë më 3 shkurt e do të vendosen në kishën e Shën Lorencit jashtë Mureve. Më 5 shkurt, pas një procesioni në udhën e Pajtimit (via della Conciliazione), ku priten mijëra besimtarë, do të vendosen në navatën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të mund të nderohen deri më 11 shkurt paradite:

         “Është herë e parë domethënëse fakti, që dy fretër të shkretë, të cilët nuk lëvizën kurrë nga vendet e tyre gjatë jetës, vijnë tani në Romë, në mënyrë kaq solemne. Mendoj se është vërtet ngjarje e jashtëzakonshme”.

         Grupet e lutjes së atë Piut nga Pietrelçina do të priten në audiencë nga Papa më 6 shkurt.

Françesku do të nisë 1071 Misionarë të Mëshirës

         Kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri u ndal më pas në mandatin e Misionarëve të Mëshirës, të cilët Papa Françesku do t’i nisë nëpër botë për të falur mëkatet e rënda, gjatë kremtimit të së Mërkurës së Përhime, më 10 shkurt. Është fjala për 1071 misionarë nga vende të ndryshme të botës, të cilëve Ati i Shenjtë do t’u japë autoritetin për të falur mëkatet, që zakonisht i rezervohen Selisë Apostolike. Në Romë, do të jenë të pranishëm 700 prej tyre. Papa do t’i takojë më 7 shkurt për t’u thënë sa shumë e ka për zemër këtë nismë, e cila është një nga çastet më kuptimplote të Jubileut të Mëshirës:

         “Misionarët e Mëshirës, pra, janë vetëm disa meshtarë, që marrin nga Papa detyrën për të qenë dëshmitarë të privilegjuar të Jubileut të jashtëzakonshëm të  Mëshirës në Kishat e tyre të veçanta. Është vetëm Papa, që i emëron këta misionarë, jo ipeshkvijtë, e atyre u beson mandatin e kumtimit të bukurisë së mëshirës së Zotit, u kërkon të jenë rrëfyestarë të përvuajtur e të urtë, të aftë për t’i falur me zemërgjerësi ata, që i afrohen Sakramentit të Rrëfimit”.

Më 22 shkurt, Jubileu i Kuries, në meshë me Papën

         Imzot Fisichella njoftoi edhe se më 22 shkurt do të kremtohet Jubileu i Kuries Romake. Parashikohet që jezuiti artist, atë Marko Ivan Rupnik, të mbajë një reflektim në Sallën Pali VI. Më pas, anëtarët e Kuries do të vihen në procesion për në sheshin e Shën Pjetrit e do të kalojnë Portën Shenjte të Bazilikës, ku do të marrin pjesë në meshën e kryesuar nga Papa Françesku. Prelati kujtoi edhe dy gjestet e Atit të Shenjtë, që ai i deshi si dëshmi konkrete mëshire: hapjen e Portës Shenjte të bamirësisë në Strehën për të varfërit “Don Luigi Di Liegro” dhe vizitën tek të moshuarit e të sëmurët në gjendje vegjetative, të premten e kaluar, në Torre Spaccata, në periferi të Romës:

         “Këto shenja kanë vlerë simbolike para nevojave të shumta të shoqërisë së sotme; megjithatë, synojnë t’i provokojnë të gjithë për të verifikuar gjendjet e shumta me probleme, të pranishme në qytetet tona, për t’u dhënë një përgjigje kujdesi e ndihme, sado të vogël”.








All the contents on this site are copyrighted ©.