2016-01-29 16:31:00

Kroaci: rregulltarë katolikë e serbo-ortodoksë, së bashku për jetën e shuguruar


Ndërsa sot, Papa Françesku priti në audiencë nuncin apostolik në Serbi, imzot Luciano Suriani, ditët e kaluara, në Kroaci, për herë të parë, rregulltare e rregulltarë katolikë dhe serbo-ortodoksë reflektuan së bashku për jetën e shuguruar në traditën e tyre fetare.

Takim, për Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve

         Takimi, informon agjencia katolike kroate Ika, u mbajt më 23 janar në Dubrovnik, në kuadrin e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila përfundoi të hënën, si edhe në kuadrin e Vitit për Jetën e Shuguruar. Nisma dëshironte t’u përgjigjej këshillave të Papës në Letrën e tij apostolike për këtë vit, që po i afrohet fundit.

Rast i veçantë për t’u njohur e për t’u kuptuar

         Takimi qe edhe rast i veçantë për t’u njohur e për t’u kuptuar më mirë. Atë Matijas Farkash, rojtar i Manastirit dominikan të Dubrovnikut foli mbi karakteristikat e jetës së shuguruar në traditën latine dhe përvijoi historinë e urdhërave të ndryshëm mashkullorë e femërorë, ndërsa arkimandriti i manastirit ortodoks të Zhitomisliç shpjegoi jetën murgare në krishterimin lindor. Dy rregulltare, njëra dominikane nga Korçula dhe tjetra, abateshë e manastirit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Apostuj, në Trebinje, u përshkruan pjesëmarrësve jetën rregulltare në kuvendet katolike. Takimi u mbyll me një lutje ekumenike në katedralen e Dubrovnikut, të bashkëkremtuar nga ipeshkvi i qytetit dhe nga eparku serbo-ortodok i Zahumljes dhe Hercegovinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.